Të ardhurat e Doganës deri në shtator kanë arritur shifrën e 1 miliard eurove, derisa eksporti ka shënuar rritje. Kështu ka bërë të ditur drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu. Ai tha se ky sukses është i gjithmbarshëm, derisa ka theksuar se eksporti ka shënuar rritje prej 68%.
Dogana e Kosovës ka shënuar një rekord të jashtëzakonshëm, duke mbledhur 1 miliard euro të ardhura brenda nëntëve muajve.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm, Agron Llugalliu, kjo është hera e parë që Dogana e arrin këtë rekord që nga themelimi.
“Vetëm gjatë vitit 2021 për periudhën kohore 1 janar- 30 shtator, Dogana ka arritur të tejkalojë projeksionin e rishikuar te të ardhurave për 6.51%, ndërkaq krahasuar me të hyrat e vitit 2020 për të njëjtën periudhe kemi një rritje për 33.74% të të hyrave të inkasuara e krahasuar me projeksionin për tërë vitin 2021 mund të themi se kemi arritur të grumbullojmë mjetet në lartësi prej 80% të buxhetit të planifikuar”, ka thënë Llugalliu.
Ai ka thënë se rritja e të ardhurave në mënyrë direkte i atribuohet zhdoganimit të rregullt të mallrave të deklaruara sipas procedurave të përcaktuara nga Dogana.
“Mirëpo, në këtë përformancë një ndikim mjaft të madh e kanë aktivitetet e orientuara në parandalim të kontrabandës, evazionit fiskal dhe korrupsionit si dhe dukurive tjera të cilat si indikatorë kanë shënuar rritje ne krahasim me periudhën paraprake. Në këtë drejtim, gjatë këtij viti janë arrestuar 13 persona të dyshimtë, 2 prej tyre janë zyrtarë doganore të cilët janë zënë në flagrancë duke lehtësuar kontrabandën me medikamente në njërin rast, ndërkaq në rastin tjetër njeri zyrtar doganor është arrestuar për mit marrje”, ka thënë tutje ai.
Mes tjerash ai tha se rreth 10% ka ndikuar situata e krijuar në Jarinjë e Bërnak, sa i përket mallrave të importuar nga Serbia.
“Është e vërtetë që kam pasur vështirësi të ndërrimit të zyrtarëve, mirëpo kanë operuar pa ndërprerje, kështu kanë qenë gjatë gjithë kohës në detyrë. Është e vështirë që brenda javës me trend real, mirëpo ka qenë një ndikim rreth 10% e importeve përmes Serbisë që vijnë mallrat”.
Ilir Morina, nga Dogana e Kosovës ka dhënë detaje për portalin e Doganës, që siç thotë ai përmes tij ky institucion komunikon drejtpërdrejtë me qytetarët, ku ata dhe bizneset mund t’i paraqesin kërkesat dhe ankesa.
“Portali i Doganës, ky qytetarët paraqesin ankesat e tyre, momentalisht i ka 243 biznese që bëjnë kërkesa të vazhdueshme në sistemin doganor. Në këtë portal ne kemi arritur që Dogana të komunikojë drejtpërdrejtë me qytetarin”.
Ndërsa, Besim Lushta ka folur për aplikacionin E-Dogana, ku iu mundëson qytetarëve raportimin për korrupsion e kontrabandim.
“Dogana ka publikuar aplikacionin qe u mundëson qytetarëve për parandalimin e korrupsionin, kontrabandës dhe kontrollimin e veturave, aplikacioni mund të kërkohet në Playstore duke shënuar E-Dogana”. Dogana në fund ka falënderuar gjithë partnerët për arritjen e këtij qëllimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.