Dogana e Kosovës, që çdo vit mbush arkën e shtetit, edhe këtë vit po synon që të derdhë sasi të konsiderueshme parash në buxhet.
Synimi i këtij institucioni është që për vitin 2021 të tejkalohet shuma prej 1 miliard euro.
Dogana e Kosovës ditë më parë ka njoftuar se gjatë muajit janar ka rritur performancën e të ardhurave, duke tejkaluar ato të vitit 2020.
Sipas Doganës, mbledhja e të ardhurave gjatë muajit të parë të vitit ka shënuar rritje prej 9.3 për qind.
“Gjatë janarit 2020, Dogana e Kosovës ka grumbulluar 73.2 milionë euro, ndërsa raporti i këtij viti tregon 80.1 milionë euro apo 9.3 për qind më shumë”.
E me këtë ritem të të ardhurave Dogana e Kosovës po pretendon të vazhdojë gjatë tërë këtij viti.
Në këtë institucion kanë treguar se planifikimet për vitin 2021 janë të tejkalohet shuma prej 1 miliard euro .
“Synimet tona janë të tejkalohet mbi 1 miliard euro për buxhetin e Kosovës, por sidoqoftë ne edhe vitin e kaluar e kemi pasur po të njëjtin planë, por si rezultat i pandemisë dhe perfromancës ekonomike në përgjithësi, ne kemi parë ulje të të ardhurave dhe rënie të konsumit realisht. Por sivjet nëse vazhdojmë me këtë trend ne presim që të kemi një performancë më të mirë në aspektin e mbledhjes së të ardhurave”, kanë treguar në Doganën e Kosovës.
Lexo edhe këtë: Dogana e Kosovës mbledh mbi 80 milionë euro gjatë janarit
Tutje është bërë me dije se Dogana ende është duke vazhduar shitja online e mallrave të konfiskuar.
“Por, gjithsesi janë duke vazhduar ankandet për shitjen online, po ashtu është një sistem që e ka zëvendësuar sistemin klasik të shitjes përmes ankandeve fizike dhe tani ne kemi kaluar në sistemin tërësisht online”.
Dogana e Kosovës e ka rritur performancën e të të ardhurave në fillim të këtij muaji, duke i tejkaluar ato të vitit 2020 për mbi 9%.
Në Doganë kanë treguar se janari i 2020-së, ishte muaji i vetëm i vitit i pa prekur nga pandemia.
“Kjo rritje është domethënëse pasi janari i vitit të kaluar (2020) ishte muaji i vetëm i vitit i cili ishte pa ndikimin ekonomik të shkaktuar nga pandemia COVID 19, prandaj edhe kjo arritje tregon përkushtimin e doganës për të realizuar planifikimet financiare”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.