Tatimet nuk kanë më të drejtë të vjelin taksën e akcizës, pasi i gjithë procesi do të monitorohet nga doganat. Sakaq rriten gjobat në ligj. Biznesi: Ligj ndëshkues.
Ishte paralajmëruar me kohë nga ministri i Financave, kur solli rreth një vit më parë ndryshimin ligjor për pullat e akcizave, të cilat do të prodhoheshin dhe shpërndahen nga një kompani koncesionare, por jo deri në atë pikë sa tashmë konsiderohet revolucion. Tatimet nuk kanë më të drejtë të vjelin taksën e akcizës, si për pullën ashtu edhe për detyrimin sa u takon atyre produkteve që prodhoheshin në vend. Kjo vlen edhe për magazinat tatimore, të cilat do menaxhohen tashmë nga doganat, duke filluar nga 1 korriku i vitit 2012.
“Nga analizimi i kujdesshëm i mënyrës së organizimit dhe kompetencave që mbulojnë administratat doganore të vendeve Europiane si dhe ato të vendeve Ballkanike lehtësisht konstatohet se administrimi i akcizës si në import ashtu edhe në prodhim brenda vendit, është atribut i administratës doganore”, deklaron Alfred Rushaj, zv/ministër i Financave. Prej kohësh doganat janë duke u asistuar nga strukturat e BE-së dhe kanë përfituar mjaft projekte duke bërë të mundur rritjen e profesionalizimit dhe ngritjen e insfrastrukturës teknologjike, pasi në ligjin e ri çdo veprim do të kryhet online. Ministria e Financave rendit disa avantazhe pse menaxhimin e akcizës e ka lënë në duart e doganës.
“Administrata Doganore Shqiptare është një nga administratat më të informatizuara të Shtetit Shqiptar, informatizim që është programuar dhe po punohet për shtrirjen e tij edhe në fushën e administrimit mbikëqyrjes dhe vjeljes së akcizës në prodhimin vendas, si dhe ka një eksperiencë të gjatë në licencimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e Magazinave Doganore ku depozitohen në sistem pezullues edhe mallrat e akcizës para se ato të hidhen për konsum ose të marrin një destinacion tjetër”, thotë ministria. Tjetër faktor që ka ndikuar në transferimin e funksioneve lidhet edhe me strukturën e tregut, pasi rafineritë, distileritë apo fabrikat e birrës punojnë kryesisht me lëndë importi (vajra nafte, alkool, maja, elb, esenca, vajra etj) dhe ku administrata doganore zotëron kontroll të plotë dhe të lehtë. Por ajo që shikohet me shqetësim nga biznesi lidhet me gjobat apo garancitë bankare, për të cilat pritet të diskutohet ashpër në ditët e ardhshme, dhe ku mund të priten ndryshime.
Problemi
Ajo që shikohet me shqetësim nga biznesi lidhet me gjobat apo garancitë bankare, për të cilat pritet të diskutohet ashpër në ditët e ardhshme.
Taksat për alkoolin
Të ndara në kategori, mallrat e akcizës do të paguajnë taksë në varësi të alkoolit dhe sasisë. Kështu, birra do ta paguajë akcizën në lekë për HL si produkt i gatshëm (pra sipas shkalleve, 1000 lekë/HL, 1200 lekë/HL, 1500 lekë/HL dhe 3000 leke/HL), në varësi të sasive, deri në 300 mijë hektolitra (HL).
Produktet e verës, vermut dhe pije të tjera të fermentuara kanë akcize të shprehur në lekë për HL produkt të gatshëm, sipas shkallëve aktuale të sasisë, kurse alkooli etilik (me kod 22071000) paguan akcizë sipas përqindjes së alkoolit të pastër në produktin e gatshëm, pra akciza do jetë e shprehur në Lekë/HL alkool i pastër.
Ajo që propozohet është vendosja e taksës 45000 lekë/HL alkool i pastër dhe ku jepet shembulli: nesë produkti final përmban 80 për qind alkool të pastër (anhider në 20 grade), ai do paguajë për 1 HL produkt të gatshëm 36000 lekë; për 90 grade alkool akciza llogaritet në 40500 lekë për 1 HL, etj, ndërsa norma aktuale është 400 lekë për litër.
Sa i takon pijeve alkoolike, do taksohen me akcizë të shprehur në lekë/HL, duke iu mbajtur diferencimin sipas sasisë së prodhuar/importuar (20,000 HL në vit). Për pijet me force alkoolike mbi 12% (superalkooliket) propozimi i Ministrisë së Financave është 50000 lekë/HL alkool i pastër për sasitë më të vogla se 20000 HL në vit dhe 65000 lekë/HL alkool i pastër për sasite mbi 20000 HL në vit. Ndërsa për rakinë propozohet një nivel akcize prej 20 000 lekë për HL alkool i pastër.
Biznesi:
Ligji duhet rishikuar
Edhe pse Ministria e Financave së bashku me Ministrinë e Ekonomisë kanë deklaruar se hartimi i projektit është bërë në bashkëpunim me grupet e interesit, vetë biznesi është shprehur kundra draftit, duke e konsideruar si tepër agresiv me gjobat dhe me efekte financiare sa i takon garancive bankare. Nikolin Jaka i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, thotë se së shpejti do të bëhen propozime për rishikimin e ligjit, kryesisht për garancitë. Kundër janë shprehur edhe grupimi i “BiznesAlbania”, apo dhe Dhoma Britanike e tregtisë. Kryesisht të cenuar ndjehen industritë e prodhimit të birrës dhe alkoolit në vend, sikurse edhe shoqëritë e karburanteve
Gjoba pesëfish
Kush fsheh mallin dhe s´paguan akcizën
Ligji i ri që pritet të hyjë në fuqi vitin tjetër parashikon masa të forta ndëshkimi për të gjithë ata që tentojnë të fshehin mallin, prodhojnë pa deklaruar apo i shmangen taksave. Pothuajse në të gjitha llojet e shkeljeve, subjektet do të gjobiten me pesëfishin e vlerës së mallit të kapur të padeklaruar, sikurse ndëshkimi nuk do të jetë 1 milion lekë më i vogël.
Ministria e Financave pranon dorën e fortë të penalizimeve, por shton se “janë masa të nevojshme për të shmangur përsëritjen e shkeljeve dhe uljen e evazionit”. Të ndara në disa kategori, karburantet dhe alkooli zënë hapësirën kryesore në kapitullin e sanksioneve dhe mënyrës se si duhet të ruhen subjektet nga gjobat. Ndryshe nga si është vepruar, ndëshkimet nuk do të kursejnë as personat që prodhojnë alkool për qëllime vetjake, madje do të duhen të deklarojnë edhe kazanët ku zihet rakia apo prodhohet vera, pavarësisht se nuk janë subjekt i pagesës së akcizës.
Karburantet dhe energjetiket
Shmangia nga verifikimi ose pagimi i akcizës së produkteve energjetike, ku futet karburanti, vajrat, llambat etj., do t´i shkaktojë subjektit një gjobë sa pesëfishi i detyrimeve fiskale që duheshin paguar për këto produkte të akcizës, por për çdo rast jo me pak se 1 milion lekë. Këto janë ndëshkime administrative, të vendosura nga dogana, përveç sanksioneve që parashikohen në Kodin Penal.
Gjoba disafish vendoset në rast se subjekti fabrikon ose rafinon produkte energjetike në mënyrë klandestine, shmang me çfarëdo lloj mjeti apo mënyre, produktet energjetike, përfshi edhe gazin natyral, nga verifikimi dhe/ose nga pagimi i akcizës, sikurse kryen operacione përzierjeje të paautorizuara, të produkteve të akcizës, prej të cilave përftohet një produkt që i nënshtrohet një akcize më të lartë krahasuar me akcizën e çdo komponent veçmas.
Nuk i përjashton sanksionet edhe rasti kur kapet, duke rigjeneruar produkte të denatyruara, me qëllim përdorimin abuziv të tyre dhe shmangien e pagesës së detyrimit të akcizës, i mban në kushte të ndryshme nga ato të përcaktuara në ligj, apo kur i tregton ose përdor të përzierë me produktet energjetike që i nënshtrohen pagesës së akcizës.
Prodhimi klandestin i alkoolit
Sikurse me produktet energjetike, edhe shkeljet e kryera për kategorinë e pijeve alkoolike do të gjobiten me pesëfishin e vlerës fiskale që duheshin paguar për këto mallra të akcizës, por për çdo rast jo më pak se 1 milion lekë. Gjoba, përveç produkteve tërësisht të përfunduara, aplikohet edhe për produktet që mund të përftoheshin nga lëndët e para, në përpunim ose në pritje për t´u përpunuar ose që gjenden në ambientet, fabrikë ose në lokalet ku është kryer shkelja.
Përveç gjobës, subjektit i sekuestrohet makineria, pajisja apo mjeti ndihmës i prodhimit, si dhe çdo material i nevojshëm për prodhimin e këtyre produkteve. “Me prodhim të paautorizuar kuptohet prodhimi që kryhet në ambiente dhe me pajisje të padeklaruara dhe të pakontrolluara paraprakisht ose të ndërtuar apo të modifikuara, në mënyrë që produkti të shmanget nga verifikimi”, saktëson Ministria e Financave. Duhet kuptuar se si pjesë e provës për fabrikimin e paautorizuar të alkoolit janë kaldaja për distilimin, enët e fermentimit, kazanët e zierjes, pajisjet ftohëse etj.
Në rast se në momentin e konstatimit gjenden vetëm pajisje ose pjesë të tyre të padeklaruara dhe të paverifikuara pa praninë e lëndëve të para, shkelësi sanksionohet me gjobë në shumën 200 000 lekë dhe po aq ndëshkohet kur kapet duke përdorur kazanë për distilim të paautorizuar, qoftë dhe për përdorim vetjak.
Shmangia dhe manipulimi
Natyrisht që pesëfishi i gjobës do të vlejë edhe për rastet kur subjekti ka shmangur pagesën e akcizës për alkoolin dhe pijet alkoolike. Një pikë në nenin 89 në projektligj thotë se, “shkelja e mbetur në tentativë ndëshkohet si shkelje e kryer”, dhe te kjo pjesë zbatohet parimi i ndëshkimit jo më të vogël se 1 milion lekë për çdo rast të konstatuar.
Manipulimi i pajisjeve dhe shenjave futet në kategorinë e sanksioneve të forta. Kush falsifikon, manipulon, heq, prish ose bën të palexueshëm matësit, plumbçat, pullat, vulat, treguesit e verifikimit ose pajisje të tjera të nevojshme të kërkuara apo vendosura nga autoritetet doganore për qëllime verifikimi dhe kontrolli, sipas këtij ligji dhe aktet nënligjore të tij do të gjobitet me pesëfishin e vlerës së akcizës si detyrim për të paguar, dhe kjo vlen edhe për këdo që mban pa autorizim të autoriteteve doganore plumbça, vula, pulla, perçina identike me ato që përdorin autoritetet doganore, edhe sikur të jenë të falsifikuara. Megjithatë, depozituesi i miratuar për të cilin vërtetohet se s´ka qenë i përfshirë në shkeljet e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni, por nuk ka marrë masat e duhura për ruajtjen e matësve dhe pajisjeve të tjera të sipërcituara, dënohet administrativisht me gjobë në masën 500 000 lekë.
Depozituesi i miratuar
Nëse gjenden mallra akcize të padeklaruara dhe jashtë kushteve të autorizimit, gjobitet në masën 5 (pesë) fish të detyrimeve fiskale që duheshin paguar për këto mallra akcize të padeklaruara, por për çdo rast jo më pak se 1 milion lekë. Gjoba, përveç produkteve tërësisht të përfunduara, aplikohet edhe për produktet e akcizës që mund të përftoheshin nga lëndët e para të padeklaruara në përpunim ose në pritje për t´u përpunuar që gjenden në ambientet e magazinës fiskale.
Kontrolli doganor
Pengimi dhe moslejimi i ushtrimit të kompetencave nga autoritetet doganore, pavarësisht nga ndjekja penale, dënohet me gjobë në masën 200 000 lekë
Mbledhja e taksës
Tatimet dhe doganat dështojnë me planin
Nga kriza tek të ardhurat në buxhetin e shtetit është ndikuar edhe taksa e akcizës, e cila edhe pse shënoi rritje të shkallës tatimore nuk solli efektin e pritshëm për qeverinë. Të dhënat deri në fund të muajit tetor 2011 tregojnë se tatimet dhe doganat nuk kanë mundur të realizojnë as planin e rishikuar në korrik, me pasoja negative deri në 1.4 miliardë lekë, ndërsa në raport me vitin 2010 ka një rritje prej 800 milionë lekë.
Ministria e Financave e pranon rënien e të ardhurave me 4.2 për qind vetëm nga akciza, e ndikuar kryesisht nga dogana, duke e lidhur me disa faktorë që lidhen me efektet e ndryshimit ligjor. Edhe në tetor, si muaj, ka rënie të ardhurash me 8.5 për qind. Ministria thotë se para rritjes së shkallës tatimore te karburantet dhe te duhani, kompanitë nxituan të krijonin rezerva të konsiderueshme, dhe kur ligji hyri në fuqi, importi nuk ishte në sasitë normale. P.sh, në gusht u importuan 74 mijë ton karburante, ndërsa në shtator, kur ligji i ri për shitjen e automjeteve të përdoruara hyri në fuqi, u regjistruan rreth 24 mijë tonë.
Të ardhurat nga akciza që mbledhin Doganat kanë një rënie me 6.8 për qind kundrejt një viti më parë dhe 5 për qind më pak se parashikimi për periudhën. Doganat mbledhin akcizën e karburantit të importuar dhe të birrës së importuar, si dhe të mallrave të tjera që nuk taksohen me anë të pullës së akcizës (siç janë mallrat që i janë shtuar listës së mallrave të akcizës).
Akciza pësoi ndryshime të ndjeshme në Qershor të vitit 2010, ku: shënoi ulje akciza mbi kafen e papjekur (nga 70 lekë, në 30 lekë/kg), u hoqën nga lista e mallrave me akcizë lëngjet e frutave dhe pijet freskuese, në grupin e nënprodukteve të naftës shtohet artikulli “naftë virgin” me nivel akcize 50 lekë/litër; u shtuan në listën e mallrave me akcizë: fishekzjarrët, gomat, pilat dhe bateritë primare, ambalazhet; ndryshoi taksimi i llambave inkandeshente nga ad valorem në shumë fikse. Në fillim të vitit 2011 pati rritje të akcizës mbi cigaren, nga 50 lekë, në 70 lekë/paketë. Ndërsa më i fundit lidhet me ndryshimin e akcizës për disa mallra si birra, solar mazut dhe koks nafte.
Sa i takon administratës tatimore, është raportuar për arkëtime në nivel 12.1 miliardë lekë, me rritje vjetore 16.8 për qind dhe realizim të planit të rishikuar në masën 98.2 për qind. Tatimet mbledhin akcizën mbi cigaret dhe pijet alkoolike përveç birrës, përmes pullës së akcizës, si dhe akcizën e karburantit të prodhuar në vend (ARMO). Tani me ligjin e ri, tatimet nuk kanë të drejtë të vjelin taksën e akcizës.
Rënie
Karburantet
Sasia e karburanteve të zhdoganuara për periudhën Janar-Shtator 2011 është 309.3 mijë ton, me rënie vjetore 14.6%
Cigaret
Sasia e cigareve të zhdoganuara për periudhën Janar Shtator 2011 është 2,262 ton, me rënie vjetore prej 26%
Birra
Sasia e birrës së zhdoganuar për periudhën Janar Shtator 2011 është 25.3 milionë litra, me një rënie prej 12.1%
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.