Dogana zbulon prodhim të jashtëligjshëm, sekuestron mallin

30/03/2015 1:11 PM 0 komente

Zbulohet rast prodhimi i paautorizuar dhe i jashtëligjshëm i produkteve të akcizës

Drejtoria e Doganës njofton sot se, të mbështetur nga Sektori i Akcizës së Degës Doganore Durrës dhe Drejtoria e Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ushtruan kontroll në datën 23 mars në ambientet e subjektit F. K., në fshatin Mazhe, të Komunës Bubq, në rrethin e Krujës.

Gjatë kontrollit rezultoi se subjekti F.K. prodhonte produkte alkoolike në mënyrë të paautorizuar dhe të jashtëligjshme në ambientet e një restoranti në ndërtim, duke shmangur detyrimet e akcizës. 9400 litra të dyshuara si bërsi rrushi për prodhimin e rakisë, 4800 litra të dyshuara si verë, 65 litra verë e paetiketuar dhe e ambalazhuar në shishe, si edhe 334,5 litra verë e paetiketuar dhe e ambalazhuar në kuti kartoni, u gjetën gjatë kontrollit dhe u sekuestruan nga strukturat e Doganës.

Njëkohësisht, gjatë kontrollit të ushtruar u sekuestruan edhe 5 depozita me kapacitet 4000 Litra, 3 depozita me kapacitet 3000 Litra, 7 depozita me kapacitet 1600 Litra dhe 5 depozita me kapacitet 2200 Litra.
Subjekti F.K. ishte i regjistruar si subjekt tatimpagues prej vitit 2008 dhe ishte pajisur me leje nga AKU për prodhimin e verës, por asnjëherë nuk ishte regjistruar si subjekt Akcize pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Subjekti kishte gjithashtu mangësi të theksuara në dokumentacion, thuhet në njoftim, ku mungonin librat e blerjes së lëndës së parë dhe ata të shitjes së produktit përfundimtar.

Pas hetimit të kryer nga Drejtoria e Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, rasti i është referuar Prokurorisë së Durrësit për procedim të mëtejshëm për kryerjen e veprës penale “Prodhim i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, e parashikuar në nenin 288/a i Kodit Penal dhe në nenin 88 të Ligjit Nr. 61/2012, “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of