Kosova është në mesin e ekonomive të mbarë botës që ka pasur disa përmirësime në reformat e të bërit biznes, por këtë vit, ajo ka zbritur 13 vende, shkruhet në raportin e “Doing Business 2020”, të publikuar të enjten nga Grupi i Bankës Botërore.
Këtë vit, Kosova renditet në vendin e 57-të nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 44-të, vitin e kaluar.
Kosova radhitet e 12-ta në hapjen e një biznesi, e 15-ta në marrjen e kredisë, e 31-ta në tregtinë ndërkufitare, e 160 në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 128-ta në mbrojtjen e investitorëve nga pakicat, e 90-ta në furnizimin me energji elektrike, e 53-ta në zbatimin e kontratave, e 48-ta në pagesën e tatimeve, e 37-ta në regjistrimin e pronës dhe e 48-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës
Çdo vit, raporti “Doing Business” në 190 ekonomi, mat aspekte të rregulloreve të biznesit që janë me rëndësi për ndërmarrësit, duke u fokusuar në dhjetë fusha: krijimin e një biznesi, trajtimin e lejeve të ndërtimit, furnizimin me energji elektrike, regjistrimin e pronave, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve të pakicave, pagesën e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.
Lista e Bankës Botërore kryesohet nga Zelanda e Re, pas saj vijnë Singapori dhe Hong Kongu, ndërsa në fund të listës janë Somalia, Eritrea dhe Venezuela. Raporti thekson se ekonomitë me përmirësimin më të dukshëm janë Arabia Saudite, Jordania, Togo, Bahrejni, Taxhikistani, Pakistani, Kuvajti, Kina, India dhe Nigeria. Megjithatë, raporti nuk përfshin të gjitha çështjet që janë me rëndësi për vendimet e bizneseve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.