Shqipëria, Bosnja dhe Malta u renditën të fundit në Europë për klimën e të bërit biznes nga raporti i Bankës Botërore “Doing Business 2020”.
Shqipëria u rendit në vendin e 82 në rang global, me një rënie 19 vende krahasuar me vitin 2019.
Përveçse Shqipëria është e fundit në Europë, renditet edhe ndër vendet me përkeqësimin më të lartë të klimës së biznesit brenda një viti.
Nga 10 indikatorët e marrë në studim shihet se përkeqësimin më të madh e shënoi në mbrojtjen e investimeve. Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit në vendin e 26 për mbrojtjen e investimeve, ndërsa këtë vit u rendit në vendin e 111. Ky është indikatori më i rëndësishëm për investitorët e huaj. Për një vit, shihet se vendi ka rënë në renditje me 85 vende në raport me një vit më parë.
Përkeqësim shënoi edhe indikatori tjetër që ka të bëjë me investimet, “mbrojtja e kontratave”. Vendi ynë humbi këtë vit 22 vende në renditje në raport me vitin e kaluar. Indikatori prej të cilit jemi penalizuar prej vitesh, lejet e ndërtimit, ka pësuar përkeqësim të mëtejshëm. Këtë vit, Shqipëria renditet në vendin e 166 nga vendi i 151 që ishte një vit më parë.
Siç shihet nga grafiket e mëposhtëm, vendi ka shënuar përkeqësim në të 9 indikatorët nga 10 gjithsej. Banka raportoi se Shqipëria pati përmirësim në besueshmërinë e furnizimit me energji duke përdorur një sistem automatik të kontrollit mbikëqyrës dhe përvetësimit të të dhënave (SCADA) për monitorimin e ndërprerjeve dhe restaurimin e shërbimit.
Banka raporton se, reformat në pagimin e taksave të përfshira në Doing Business 2020 janë ato të zbatuara në vitin kalendarik 2018 (1 janar 2018 deri më 31 dhjetor 2018).
Denaj: Ka ndryshuar metodologjia
Ministraje Financave Anilja Denaj ka shpjeguar ndryshimin në renditje. “Raporti i Bankës Botërore për “Doing Business” publikuar ditën e sotme vlerëson Shqipërinë në disa aspekte. Së pari, në lehtësinë e të bërit biznes duke rritur në terma absolut pikësimin nga 67 në 67,7 që tregon ngushtim të hendekut me praktikat më të mira globale. Kjo do të thotë se, vitin e fundit, Shqipëria ka përmirësuar rregullat mbi biznesin në terma absolute dhe po ngushton distancën kundrejt praktikave rregullatore globale.
Studimi “Të Bërit Biznes 2020” konstaton se Shqipëria ka bërë një reformë në përmirësimin e treguesit të furnizimit me energji elektrike. Më konkretisht, Shqipëria ka rritur qëndrueshmërinë e furnizimit të energjisë përmes zbatimit të sistemit automatik.
Përtej përmirësimeve në dy komponentët më sipër dhe në bazë të ndryshimeve në metodologjinë e raportit të “Doing Business”, efekti në renditjen e përgjithshme për ekonomi të vogla si Shqipëria ka qenë më i madh.
Ndryshimet e metodologjisë të lehta që kanë ndikuar veçanërisht në renditjen e indikatorit Mbrojtja e Aksionerëve Minoritare e kanë pozicionuar Shqipërinë në vendin e 111 në renditje, pavarësisht mungesës së ndonjë regresi. Konkretisht, ky indikator ndikohet nga fakti që Shqipëria nuk ka mbi 10 kompani të listuara në tregun e letrave me vlerë dhe merr 0 pikë, pavarësisht se ka një bursë operacionale në treg.
Indikator në rënie me impakt negativ është marrja e lejes së ndërtimit, ku metodologjia e ndryshuar nuk konsideron si prioritare faktin që Shqipëria zbaton një proces online të marrjes së lejes së ndërtimit dhe shkurtim efektiv të kohës në marrjen e lejes.
Por pesha më e madhe në këtë indikator i është dhënë rritjes së kostos si pasojë e rritjes së taksës në infrastrukturë për pushtetin vendor. Ky ndryshim ndikon.
Ky raport merr në analizë indikatorët gjatë vitit të kaluar dhe më lejoni të them që rezultati nuk ka qënë i papritur për ne. Ne jemi të angazhuar në një sërë reformash që janë aktualisht në proces dhe të cilat synojnë efektivitet të shërbimeve publike, rritje të transparencës dhe ulje të kostos.
Objektivi ynë është përmbyllja e të gjitha këtyre reformave dhe fokusi ynë është adresimi në kohë i të gjithë komponentëve dhe indikatorëve për vitin korrent dhe kemi bindjen që raporti i ardhshëm do të reflektojë ndryshimet e qënësishme që po bëhen”, tha Denaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.