Qeveria shqiptare miratoi në fund të muajit prill dokumentin politik “për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në shqipëri, 2023–2027”.
Dokumenti parashikon disa objektiva konkretë që përfshijnë institucionet dhe kompanitë publike si nxitëse të zhvillimit të tregut të kapitalit në Shqipëri.
Më konkretisht, ndër objektivat e përmendura janë emetimi i obligacioneve të kompanive me kapital shtetëror, si edhe realizimi i privatizimit të kompanive me kapital shtetëror përmes realizimit të ofertave publike.
Një rekomandim tjetër është edhe përfshirja e Shtetit Shqiptar si aksionar në strukturën e kapitalit të Bursës.
Sipas dokumentit, është shumë e rëndësishme që në kuadër të rritjes së besueshmërisë të tregut, por edhe të kërkesave për anëtarësim në bursë, të cilat deri tani janë tepër të kufizuara, mund të shikohet mundësia për t’u përfshirë edhe shteti si aksionar në Bursë
Dokumenti sugjeron gjithashtu edhe mundësinë e pjesëmarrjes shtetërore në Depozitarin Qendror të Titujve.Aktualisht, si depozitar qendror i titujve të qeverisë funksionon sistemi i operuar dhe menaxhuar nga: BSH-ja, AFISAR. Regjistrimi, klerimi dhe shlyerja e titujve të korporatave dhe kompanive do të realizohen përmes shoqërisë “Regjistri Shqiptar i Titujve” – ALREG.
Dokumenti vë në dukje se, sipas praktikës së vendeve të zhvilluara regjistrimi, klerimi dhe shlyerja e të gjithë titujve realizohen përmes një institucioni të vetëm të njohur si Depozitari Qendror i Titujve. Sipas këtyre praktikave, rezulton se edhe shteti është pjesëmarrës strukturën aksionare të Depozitarit Qendror.
Objektiva të tjera me rëndësi në funksion të zhvillimit të tregut të kapitalit listohen nxitja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për përdorimin e burimeve të financimit në tregun e kapitalit; nxitja e mëtejshme e zhvillimit të fondeve të pensionit dhe fondeve të investimit; forcimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i tregut të parasë, pasi një treg më i zhvilluar i parasë ndihmon në uljen e kostove dhe menaxhim më eficient të likuiditetit të kompanive; nxitja e pjesëmarrjes së investitorit institucional në tregun e kapitaleve. Kjo lidhet me zhvillimin e fondeve të investimit e në veçanti fondeve alternative të investimit, si dhe me zhvillimin e fondeve të pensionit vullnetar.
Ndër objektivat e tjera të përmendura në dokument është edhe krijimi i një Komiteti Kombëtar me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për zhvillimin e tregut financiar, përfshirë edhe zhvillimin e tregut të kapitaleve, i cili do të shërbejë si monitorues i implementimit të politikave dhe njëkohësisht si rekomandues për nevojën e ndryshimeve ligjore, nxitjen e tregut apo zhvillimin e produkteve të reja.
Gjithashtu, dokumenti rekomandon hartimin e një strategjie kombëtare për edukimin financiar të tregjeve financiare me angazhimin e Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Bankës së Shqipërisë, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe Dhomën e Tregtisë. Në këtë dokument politik, si pjesë e zhvillimit të tregut të kapitaleve duhet të marrë rëndësi edukimi financiar i investitorëve për tregjet e kapitalit dhe edukimi financiar i emetuesve të këtij tregu.
Objektiva të tjera janë edhe reduktimi i informalitetit të biznesit, duke pasur parasysh se kompanitë që do të listohen në bursë duhet të jenë plotësisht transparente me investitorët dhe të zbatojnë standardet ndërkombëtare të kontabilitetit, si edhe përmirësimi i qeverisjes koorporative të kompanive shqiptare.
Një nga kushtet kryesore të listimit me ofertë publike është përmirësimi i transparencës dhe mirëqeverisjes së shoqërive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.