Por euro vijon të jetë e fortë në tregun vendas, duke i rezistuar nënçmimit të saj në bursat ndërkombëtare. ..
Monedha amerikane është këmbyer sot në tregun e brendshëm valutor në nivelin më të lartë që nga 13 nëntori i vitit 2012.
Sipas kursit zyrtar të bankës së Shqipërisë, një dollar këmbehej sot me 110.01 lekë, duke kërcyer me 0.94 lekë.
Euro shënoi një rënie të lehtë, duke u kuotuar me 140.05 lekë, 0.06 lekë më pak se një ditë më parë.
Zhvillimet e sotme lidhen me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare, ku monedha e gjelbër arriti nivelin më të lartë që nga nëntori 2012 kundrejt euros, përpara se të dhënat që pritet të publikohen nesër të tregojnë sipas analistëve se rritja ekonomia u shpejtua dhe besimi i konsumatorëve u përmirësua. Dollari fitoi 0.4% në $1.2731 për euro, pasi ishte vlerësuar në $1.2697, niveli më i lartë që nga nëntori 2012.
Megjithatë, euro mbetet e fortë në tregun vendas, duke u këmbyer mbi 140 lekë, duke u reflektuar kjo në rritjen e shpejtë të dollarit (me qëllim ruajtjen e kursit të këmbimit të kryqëzuar). Aktorët e tregut pohojnë se kërkesa për euro në tregun e brendshëm vijon të mbetet e lartë.