Dollari po i afrohet 100 lekëve, euro zbret në nivelin më të ulët që para pandemisë; Shumë ofertë, pak kërkesë

18/12/2020 1:45 PM 0 komente

Monedha vendase ka shënuar një tjetër rritje ndaj të gjitha valutave kryesore gjatë ditës së sotme, duke vijuar me tendencën e saj mbiçmuese që ka qenë e qëndrueshme gjatë gjithë dhjetorit.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.5 lekë, duke u nënçmuar me 0.05 lekë. Ky është niveli më i ulët i monedhës së përbashkët që nga marsi, përpara fillimit të pandemisë, kur monedha e përbashkët këmbehej me më pak se 123 lekë. Në javët e para të karantinës, euro u rrit me shpejtësi për disa ditë, duke i kaluar 130 lekë në fund të marsit, si rrjedhojë e bllokimit të rrugëve të hyrjes së valutës. Por më pas, kursi u stabilizua në 124-125 lekë, me një tendencë të lehtë nënçmuese në gusht, si rrjedhojë e efekteve sezonale.

Rënia e euros në tregun e brendshëm po vijon edhe pse në bursat ndërkombëtare monedha e përbashkët ka arritur në 1.22 dollarë, niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2018.

Ditën e sotme, rënien e fortë e ka vijuar dhe dollari, që ka zbritur në 100.85 lekë, duke iu afruar nivelit të 100 lekëve për herë të parë në më shumë se gjashtë vjet. Që nga janari, monedha e gjelbër është nënçmuar me më shumë se 9 lekë, ose rreth 8.3%. rënia e fortë e dollarit është përforcuar dhe nga dobësia e tij në tregjet ndërkombëtare, ku ai po luhatet afër niveleve me të ulëta të dy viteve e gjysmë ndaj euros.

Aktorët e tregut  e shpjegojnë dobësinë e valutës me faktorët e brendshëm, që lidhen me kërkesën e dobët për to, sidomos për euro, që është dhe monedha më e përdorur. Në kahun tjetër, oferta mbetet e lartë, ndonëse të dhënat e Bankës së Shqipërisë për 9 mujorin treguan se deficiti i llogarisë korente (që mat flukset e hyrjes dhe daljes së valutave) u përkeqësua me 8.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë (dhe 9% për tremujorin e tretë, me bazë vjetore), duke treguar se zyrtarisht nuk ka hyrë më shumë valutë në vend.

Burime nga banka e Shqipërisë pohojnë se këto kohë nuk ka pasur as veprime nga Ministria e Financave për shitjen e eurove dhe faktorët që kanë ndikuar lidhen me kërkesë ofertën në tregun e brendshëm.

Për shkak të krizës ekonomike të krijuar nga pandemia kërkesa për valutë mbetet e ulët. Në kahun tjetër, këtë vit nuk ka as prenotime për pushime jashtë vendit, duke qenë një tjetër faktor që ka ndryshuar kërkesën.

Sezonalisht fundi i vitit shoqërohej me një rënie të valutave, për shkak të rritjes së prurjeve të emigrantëve, por këtë vit ky faktor është i dobët, teksa Italia dhe Greqia ardhjet e emigrantëve janë të kufizuara për shkak të kufizimeve nga pandemia.

Burimi: BSH

Burimi: BSH

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of