Monedha e gjelbër ka shënuar një tjetër rënie në tregun e brendshëm edhe gjatë ditës së sotme, ndryshe nga euro që ka ndalur nënçmimin.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar u këmbye sot me 104.75 lekë, duke rënë me 0.26 lekë në krahasim me një ditë më parë. Ky është niveli më i ulët që nga prilli i vitit 2018, kur monedha e gjelbër qëndroi disa ditët nën 105 lekë. Në tre javët e fundit, dollari është nënçmuar me 5 lekë.
Ekspertët e tregut pohojnë se kjo rënie është e lidhur me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, ku dollari ka humbur pikë ndjeshëm në raport me euron.
Një euro u këmbye sot me 1.18 dollarë, nga nga rreth 1.12 dollarë që ishte në fillim të korrikut. Monedha e gjelbër ka rënë në nivelet më të ulëta në dy vjet, teksa investitorët u shqetësuan rreth dëmeve që po shkakton koronavirusi në ekonominë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe po presin qëndrimin më të fundit nga Rezervat Federale lidhur me politikën monetare si dhe kalimin e një pakete fiskale shpëtuese.
Në të kundërt, euro ka njohur rritje të pandalshme që kur liderët europianë arritën një marrëveshje për një borxh të përbashkët me qëllimin financimin e rimëkëmbjes në vendet e goditura më keq nga pandemia.
Në Shqipëri, rënia e dollarit është përforcuar më shumë edhe nga fakti se euro në tregun vendas nuk ka reflektuar rritjen në bursa. Kjo për shkak të efekteve sezonale nga ardhja e emigrantëve, që kanë rritur ofertën për valutë në treg. Ditën e djeshme euro zbriti në nivelin më të ulët që nga fillimi i pandemisë në mars, ndërsa sot është rritur lehtë në 123.44 lekë, por gjithsesi mbetet afër nivelit më të ulët që nga marsi.
Lexo edhe këtë: Efektet sezonale, euro zbret në nivelin më të ulët që para fillimit të pandemisë, nënçmim i fortë i dollarit
Teksa euro nuk është rritur, në mënyrë që të reflektohet kursi ndërkombëtar, dollari ka shënuar rënie më të fortë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.