Dollari zhvlerësohet me shpejtësi në tregun vendas; Zbret poshtë nivelit të 107 lekëve

02/02/2018 1:44 PM 0 komente

Dollari amerikan e mbylli javë i nënçmuar përkundjet monedhës vendas, duke shënuar rekord të ri të ulët. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një dollar këmbehet sot në tregun vendas me 106.88 lekë, rreth 0.45 pikë më pak se një ditë më parë. Vetëm gjatë muajit të parë të 2018-s, dollari u zhvlerësua në tregun vendas me gati 5 lekë. Për 100 dollarë, sot duhet rreth 500 lekë më pakë se në fillim të janarit.
Edhe pse në tregjet ndërkombëtare, monedha europiane po këmbehet në nivele të larta përkundrejt dollarit, në vend ajo ka vijuar të mbetet e dobët. Euro është këmbyer sot sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë me 133.41 lekë, me një rënie të papërfillshme krahasuar me një ditë më parë. Euro ka pasur nivele të qëndrueshme të këmbimit gjatë janarit, ndryshe nga periudhat e mëparshme, kur monedha europiane forcohej gjatë muajit të parë të vitit.

Në tregjet ndërkombëtare
Monedha euro ka avancuar kundrejt dollarit amerikan duke vazhduar kështu ruajtjen e niveleve të larta gjatë gjithë kësaj jave. Rritja e letrave me vlerë amerikane dështoi në përpjekjen e saj për të forcuar dollarin, ndërkohë që rigjallërimi ekonomik i euros dhe pritshmëritë për një shtrëngim të mëtejshëm monetare e bënë akoma edhe më tërheqëse monedhën e përbashkët në sytë e investitorëve.
Mëngjesin e kësaj të premteje, monedha euro ishte në nivele të qëndrueshme ndaj dollarit amerikan duke u këmbyer me 1.2505 euro për dollarë amerikanë, gjithsesi jo shumë larg niveli të saj të lartë (më i larti në këto tre vitet e fundit) ku u këmbye me 1.2538 euro për dollarë amerikanë. Gjatë gjithë kësaj jave ajo shënoi një rritje me 0.6 për qind.
Indeksi i dollarit që e krahason atë me gjashtë prej homologëve më të rëndësishëm të grupit ishte në nivel të qëndrueshëm.
Jeni kinez vazhdoi avancimin e tij kundrejt dollarit. Gjatë gjithë kësaj jave ai u rrit me 0.8 për qind, duke u tregtuar ne nivele të cilat nuk i kishte shënuar që prej gushtit të vitit 2015.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of