Shqipëria, së bashku me Bosnjë – Hercegovinën dhe Kosovën kanë pasur rritjen më të madhe të prodhimit të domates midis 2010 dhe 2016, analizoi Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
Për Shqipërinë, pjesa e prodhimit të domateve që shkon për eksport është rritur ndjeshëm, nga 3.3% në 2010 në 22.4% në 2016. Në vitin 2017, vlera e eksporteve të domates shqiptare arriti në 25.3 milionë dollarë, duke u renditur e 24-ta në botë ose 0.3% e eksporteve botërore totale.
Ndërsa eksporti i bostanit ka arritur 5.3 milionë dollarë, gjithashtu, 0,4% prej eksportit botëror, duke lënë pas edhe Maqedoninë, respektivisht me vetëm 17,1 milionë dollarë dhe 2,9 milionë dollarë. Shitjet globale nga eksportet e domateve në vitin 2017 arritën në 8.9 miliardë dollarë.
Në përgjithësi, vlera e eksporteve të domateve është rritur me një mesatare prej 0.8%, për të gjitha vendet eksportuese që nga viti 2013, kur dërgesat e eksportit të domateve u vlerësuan në 8.8 miliardë dollarë.
Në nivel kontinenti, vendet europiane përbënin vlerën më të lartë të domateve të eksportuara gjatë vitit 2017, me vlerë prej 4.4 miliardë dollarësh ose 49.1% të eksporteve botërore. Eksportuesit e Amerikës së Veriut kishin vlerën 30.3%, ndërsa furnizuesit aziatikë arritën në 12.2%.
Kryesues botërorë në eksportin e domateve janë Holanda, Meksika, Spanja, Maroku dhe Kanadaja me 416 milionë deri në 2 miliardë dollarë të realizuara, ndërsa në eksportin e bostanit me 81,6 milionë dollarë deri në 364,6 milionë dollarë janë Spanja, Meksika, SHBA-ja, Holanda dhe Italia.
Nga ana tjetër, importuesit më të mëdhenj të domateve janë SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Rusia me import të realizuar prej 558,7 milionë dollarësh deri në 2,3 miliardë.
Domatet shqiptare janë shumë të kërkuara në eksport, duke u eksportuar edhe në Rusi. Nëse do t’i referohemi sasisë së produkteve të eksportuara, perimet dhe frutat janë mbretëreshat e tokave tona. Shqipëria eksporton në vit 52 mijë tonë perime, nga të cilat 34 mijë tonë domate. Edhe vlera më e madhe i takon eksportit të domateve me rreth 1.49 miliardë lekë krahasuar me 800 milionë lekë gjatë vitit të kaluar.
Për vitin 2017, partnerët kryesorë eksportues të Shqipërisë janë Kosova, e ndjekur nga Serbia, Bullgaria dhe Bosnjë – Hercegovina.
Lidhur me importet, Italia është furnizuesi kryesor i jashtëm, me pak më shumë se gjysmën e importeve totale, ndjekur nga Greqia dhe Turqia, të cilat së bashku përbëjnë rreth 40% të totalit të importeve.
Ndërkohë që Shqipëria ka deficit të konsiderueshëm tregtar për shumicën e produkteve bujqësore, ajo ka një bilanc pozitiv tregtar për domate dhe kastravecë, i cili arrin në më shumë se 25.3 milionë dollarë dhe 6.5 milionë dollarë për domate dhe kastravec. Gjatë 2018-s, u eksportuan jashtë vendit rreth 9.5 miliardë lekë fruta dhe perime, ndërsa në vitin 2017, 9.62 miliardë lekë. Ndërsa importet shënuan 9.4 miliardë lekë nga 8.3 miliardë lekë që ishin më 2017. Kjo ishte rritja më e madhe që nga viti 2015. Zhvillimet në tregtinë e jashtme të frutave dhe perimeve reflektojnë ecurinë e prodhimit vendas. Për shembull, në vitin 2017, kur prodhimet vendase arritën kulmin, tregtia me jashtë për herë të parë që nga viti 1990 shënoi suficit në fruta dhe perime.
Eksportet shënuan rritje 21% në raport me 2016-n. Ndërsa importet u rritën vetëm me 0.2% kundrejt vitit 2016. Si importet, edhe eksportet, janë rritur që nga viti 2012, por shitjet jashtë vendit janë rritur me ritme më të shpejta se importet deri në fund të vitit 2017. Situata ka ndryshuar kryekëput në vitin 2018 në favor të importeve, të cilat ju kthyen rritjes me ritme dyshifrore.
Në pesë vitet e fundit, eksportet e frutave dhe perimeve janë pesëfishuar, nga 1.8 miliardë lekë më 2012 në 9.5 miliardë lekë në 2018. Ndërsa importet janë rritur në pesë vite me 26%. Mungesa e standardit në varietete dhe kultivimi i tyre nga njësitë fermere në sipërfaqe në më pak si një dynym nuk garanton fitime për kultivuesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.