Donald Trump bëri thirrje për të ndaluar numërimin e votave në disa shtete me diferenca të ngushta, ndërsa SHBA presin rezultatet nga një pjesë e fushave të betejës që do të vendosnin fituesin në zgjedhjet presidenciale, shkruan Financial Times.
Që nga mëngjesi i së enjtes, sfiduesi demokrat, Joe Biden, donte edhe gjashtë vota elektorale për të kaluar kufirin minimal të fituesit ndërsa epërsia e dobët e z. Trump në dy shtete me diferencë të ngushtë, Georgia dhe Pennsylvania, dukej se po ngushtohej.
Fitorja në Michigan dhe Wisconsin të mërkurën e çoi z. Biden në numrin 264 në garën për 270 votat e Kolegjit Elektoral, që janë të nevojshme për të fituar presidencën. Z. Trump udhëheq ndaj rivalit të tij në Georgia, por demokratët ishin gjithnjë e më optimistë për shtetin jugor, sepse votat e mbetura për t’u numëruar ishin kryesisht nga qarqe shumë demokratike.
NDALONI NUMËRIMIN!”, shkroi z. Trump në Twitter të enjten, ndërsa ka hapur procese gjyqësore në disa shtete në një përpjekje për të ndaluar përpunimin e fletëve të votimit postare, të cilat duket se kanë një përqindje shumë më të lartë të Demokratëve.
Trump po udhëheq në Pensilvani, por avantazhi i tij po zbehej me shpejtësi ndërsa votat u numëruan në Filadelfia, një qytet i madh, shumë demokratik.
Stafi i Trump po ndërmerr veprime ligjore për të ndaluar numërimin e fletëve të votimit në Pensilvani, e cila pranon votat postare, që mbërrijnë deri në fund të ditës së premte. Me 20 vota të Kolegjit Elektoral, Pensilvania është shteti më i madh i diskutueshëm mes dy kandidatëve. Stafi i Trump gjithashtu ka hapur procese gjyqësore në Michigan dhe Georgia.
Biden bëri thirrje që mbështetësit e tij të jenë të qetë. “Bëni durim, njerëz,” shkroi ai në Twitter. “Votat janë duke u numëruar, dhe ne ndihemi mirë për vendin ku jemi”.
Vëmendja është drejtuar në Arizona pasi dhjetëra mbështetës të Trump, përfshirë disa që mbanin armë, demonstruan të mërkurën në mbrëmje jashtë një qendre numërimi.
Associated Press, tek i cili mbështetet Financial Times për të dhënat e zgjedhjeve dhe Fox News kanë bërë të ditur se ka fituar z. Biden në Arizona. Por rrjetet e tjera televizive amerikane kanë përcaktuar se është shumë shpejt për të folur, pasi votat vazhdojnë të numërohen në shtetin jugperëndimor.
Jennifer O’Malley Dillon, menaxher e fushatës së z. Biden, shprehu besimin se ish-nënkryetari do të fitonte Arizonën, por paralajmëroi që mund të mos ketë rezultate përfundimtare deri të premten. Ajo ishte gjithashtu optimiste për Pensilvaninë dhe tha se z. Biden kishte përparësi në Georgia.
SHBA po shënojnë një pjesëmarrje rekord në zgjedhje, duke përfshirë 100 milionë njerëz që votuan herët për shkak të frikës se mund të infektoheshin me Covid-19 në qendrat e votimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.