Donald Trump, i vendosur për të ndërtuar murin në kufi me Meksikën

25/01/2017 12:45 PM 0 komente

Donald Trump është i vendosur për të vënë në zbatim një prej premtimeve të tij më të zjarrta gjatë fushatës elektorale, ndërtimin e murit në kufirin midis Amerikës dhe Meksikës.
Pritet që presidenti i ri amerikan të nxjerrë këtë të mërkurë një urdhër ekzekutiv, sipas të cilit qeveria do të japë fondet e duhura për fillimin e ndërtimit. Sipas raportimeve të fundit të mediave amerikane, Trump-i do të nënshkruajë urdhrin gjatë një vizite në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, shkruan Financial Times.

Ndërtimi i murit është një prej masave të ndryshme në lidhje me çështjen e emigrimit dhe masat e sigurisë kombëtare të cilat pritet të merren këtë të mërkurë. Ditën e djeshme, Trump-i bëri edhe një njoftim në rrjetin social, Twitter, ku shkruante “midis shumë gjërave të tjera që kemi për të bërë, ne do të ndërtojmë patjetër murin”.

Edhe gjatë fushatës së tij elektorale, ai shokoi të gjithë politikën amerikane duke bërë thirrjet për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën dhe duke i etiketuar emigrantët meksikanë si vrasës dhe përdhunues. Vetëm pas një jave, do të vijë për vizitë në Uashington, presidenti meksikan, Enrique Peña Nieto, prandaj Trump-i do që ta nxjerrë urdhrin për ndërtimin e murit përpara ardhjes së tij.
Kjo lëvizje të mërkurën shënon të tretën ditë radhazi që z. Trump ka përdorur urdhrat ekzekutivë për të përmbushur premtimet e fushatës, që është nga imigracioni te tregtia e lirë. Të hënën ai u tërhoq nga Marrëveshja tregtare e partneritetit Trans-Paqësor dhe do të informojë formalisht Kanadanë dhe Meksikën se ai do të rinegociojë marrëveshjet e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut të kohës së Clinton. Z. Trump pritet gjithashtu këtë javë që të hedhë dritë mbi masat që do të bllokonin përkohësisht refugjatët nga Siria dhe vendet e tjera në Lindjen e  Mesme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of