Gjetja e vendit të duhur në shtëpinë tuaj për të punuar ka qenë një sfidë e vërtetë gjatë pandemisë. Shumica e zyrave, për një pjesë të mirë të atyre që punojnë nga shtëpia, janë zhvendosur në kuzhinë, në divan dhe për disa të tjerë, edhe në dhomën e gjumit. Pavarësisht sesi vendosni të punoni në shtëpi, ajo çfarë ka më shumë rëndësi është gjetja e vendit të duhur për të punuar, për të qenë të përqendruar dhe produktivë.
Sipas një studimi të ri, për gati gjysmën e amerikanëve, vendi ideal për të punuar në shtëpi është ai në të cilin ata qëndrojnë përpara një muri të bardhë.
Pesëdhjetë për qind e amerikanëve që punojnë në distancë thanë se ata arrijnë të përfundojnë pjesën më të madhe të punëve kur qëndrojnë përballë një muri të bardhë, dhe se elementë të tillë si muzika ndikojnë negativisht pasi i shpërqendrojnë.
Studimi, i kryer nga OnePoll në emër të Aera, shqyrtoi zakonet e profesionistëve që punonin nga shtëpia gjatë pandemisë COVID-19, e cila e zhvendosi këtë kategori të forcës punëtore në vende të largëta.
Ndërsa procesi i vaksinimit po rritet në të gjithë vendin, pjesa më e madhe e punonjësve në qytete si Nju Jork vazhdojnë të punojnë ende nga shtëpia dhe me shumë mundësi, e njëjta situatë do të vijojë të jetë edhe gjatë vitit 2021.
Në këtë sondazh, në të cilin u anketuan rreth 2,000 persona, 39% e pjesëmarrësve thanë se mënyra se si ndihen dhe produktiviteti i tyre varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ambienti ku punojnë, ndërkohë që një e katërta e pjesëmarrësve u shprehën se mjedisi në të cilin punojnë mund të “ndryshojë plotësisht” mënyrën se si ndihen.
Padyshim, gjendja shpirtërore mund të ndikojë në produktivitet. Pjesëmarrësit thanë se ndryshimet e humorit të tyre vinin si pasojë e disa shkaktarëve: se sa i pastër apo i rregullt është vendi i tyre i punës (52%); aromat (52%) dhe cila është temperatura e dhomës në të cilën ata punojnë (49%). Çuditërisht, të gjitha këto janë gjëra që mund të ndodhin edhe në ambinetet e zyrave. (këtu nuk mund të harroni kurrsesi drekën e kolegëve tuaj, era e rëndë e së cilës ndihej kilometra larg).
Në mënyrë që të rrisin përvojën e tyre në shtëpi, 78% e pjesëmarrësve thanë se krijuan një rutinë ose hapësirë specifike në shtëpinë e tyre për t’u ndier më të relaksuar. Boomers ishin gjenerata kryesore kur erdhi puna për krijimin e një rutine (84%) dhe rreth 67% e mijëvjeçarëve bëjnë të njëjtën gjë.
Për të rritur produktivitetin, 41% e punonjësve thanë se e ndryshojnë vazhdimisht vendin e tyre të punës, kur kanë nevojë për motivim. Sipas sondazhit, 31% thanë se do të zhvendoseshin në një ambient tjetër nëse do të ishte e mundur shmangia e një shpërqendrimi të mundshëm në këtë mënyrë.
Të anketuarit thanë se dhoma e gjumit është vendi ku ata ndihen më të relaksuar (45%), ndërsa një e katërta e tyre pohuan se këtu ndiheshin edhe më produktivë.
Nëse ndiheni të bllokuar dhe po vini re se puna nuk po ecën ashtu siç ju do të donit, një mënyrë mjaft e mirë që do të ndikonte pozitivisht tek ju është ajo që të ndërronit qoftë edhe diçka të vogël në arredimin e shtëpisë suaj dhe mbi të gjitha t’i shtoni atij sa më shumë ngjyra.
Qoftë duke pikturuar një mur apo duke shtuar objekte të vogla përreth jush, mund ta shikoni që do t’ju bëjnë të ndiheni më mirë dhe rrjedhimisht më produktivë.
Gjashtëdhjetë e pesë për qind e të anketuarve thanë se ngjyra blu i bën ata të ndihen të relaksuar dhe 39% thanë se po kjo ngjyrë i bën ata të ndihen më energjikë. Sipas studimit, ngjyra e kanellës ishte gjithashtu një zgjedhje shumë e përdorur nga punonjësit që punonin nga shtëpitë e tyre sepse ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit të tyre.
Sipas Sandra Barvaux nga Aera, edhe ndryshime të vogla, të thjeshta në një mjedis mund të ndikojnë fuqishëm në gjendjen shpirtërore dhe produktivitetin. Një prej tyre është sistemi i nuhatjes, veçanërisht, pasi është i lidhur ngushtë me zonën emocionale të trurit. / The Ladders