Dorëheqja e Ardian Civicit, rrezikohet kuorumi i këshillit Mbikëqyrës së BSH-së

09/09/2014 11:25 AM 0 komente
Adrian Civici ka njoftuar se ka dhënë dorëheqjen nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, duke u bërë anëtari i parë, që largohet pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve, që ka regjistruar deri tani në 19 persona të arrestuar, përfshirë dhe ish – guvernatorin Ardian Fullani dhe kryeinspektoren Elivar Golemi.
Në letrën e tij drejtuar Kuvendit, Civici ka shpjeguar se dorëhiqet për t’i hapur rrugë ristrukturimit të Bankës së Shqipërisë. Tashmë mbetet në dorë të Kuvendit përshpejtimi i procedurës së pranimit të dorëheqjes së Civicit dhe zëvendësimi i tij dhe 2 vakancave të tjera që ka këshilli Mbikëqyrës për shkak se Këshilli Mbikëqyrës ka në detyrë 5 nga 9 antarë që parashikon ligji.
Sipas nenit 48/2 të ligjit ‘Për Bankën e Shqipërisë”, çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës mund të japë dorëheqjen duke njoftuar me shkrim përpara jo më pak se një muaj Kuvendin Popullor të Republikës së Shqipërisë” dhe presupozohet se Cividi do të rrijë në detyrë deri në votimin e dorëheqjes së tij nga Kuvendi. Ndërkohë Komisioni kuvebdor për Ekonomi dhe Financë ka filluar procedurat e shkarkimit të Guvernatorit sipas propozimit të Këshillit Mbikëqyrës dhe inspektores së përgjithshme me nismën e vetë këtij Komisioni.
Formalisht sipas nenit 49/5 duket se Këshilli ka ende numrin minimal të antarëve për të zhvilluar mbledhjet e zakonshme por dinamika e ngjarjeve në Bankën e Shqipërisë e bën të domosdoshëm një proces të shpejtë të plotësimit të vakancave dhe zëvendësimit të antarëve të shkarkuar ose të dorëhequr. Në një dalje publike të hënën kryeministri Rama pasi kishte vizituar Bankën e Shqipërisë dhe kishte dhënë mbështetjen për ekipi drejtues të bankës siç e quajti ai deklaroi se “nuk janë hapur vende pune në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe që nuk është hapur një vend i ri pune për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Ne do t’i trajtojmë pozicionet në fjalë, me të gjithë respektin dhe dinjitetin e një shumice qeverisëse, që do t’i provojë shqiptarëve se është në gjendje të modernizojë Shqipërinë dhe të rrisë cilësinë e performancës së institucioneve”.
Kryeministri këmbënguli se “duhet të ruajmë qetësinë, të veprojmë me shpejtësi, por pa u ngutur” por dorëheqja e Civicit, shkarkimi i Fullanit dhe vakanca e dy antarëve e bën imediate fillimin e procedurave nga Kuvendi për zgjedhjen e antarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të bankës, shumë më shpejt sesa ndryshimi i ligjit dhe pritja e përfundimeve të procesit penal për shpërdorim detyre në ngarkim të Guvernatorit dhe Inspektores së Përgjithshme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of