Shtohet ndjeshëm barra e bizneseve për të bërë deklarimet
Të gjithë financierët, të cilët duhet të dorëzojnë online bilancet e kompanive të tyre deri më 31 korrik, duhet që këtë vit të planifikojnë orë të tëra për të përfunduar këtë proces. Krahas dorëzimit online të pasqyrave financiare, një proces që zgjaste mesatarisht disa minuta, tashmë është shtuar dhe plotësimi i një sërë dokumenteve të tjera, si raporti i ecurisë së aktivitetit të ekonomisë, informacion për aktivet, të ardhurat, numri mesatar i punonjësve, kodin e biznesit etj.
Ndryshimet në raportim erdhën pas ligjit të ri “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, i cili ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti. Ky ligj ka përcaktuar parimet dhe rregullat e përgjithshme për hartimin dhe përbërësit e pasqyrave financiare, përcaktimin e standardeve kontabël të zbatueshme, si dhe mbajtjen e kontabilitetit. Ligji ka bërë një kategorizim të ri të bizneseve në mikronjësi (deri në 30 milionë lekë të ardhura), biznese të vogla (deri në 300 milionë lekë të ardhura), të mesme (deri në 1.5 miliardë lekë të ardhura) e të mëdha (mbi 1.5 miliardë lekë të ardhura), si dhe biznese me interes publik, ndërsa parashikon raporte të ecurisë së veprimtarisë në varësi të llojit të biznesit. http://www.kkk.gov.al/foto/uploads/File/ligj-nr.-25-dt.-10.5.2018.pdf
Por, kjo mënyrë e re raportimi ka rritur ndjeshëm burokracitë dhe kohën që u duhet për të raportuar përfaqësuesve të bizneseve, në linjë krejt të kundërt nga filozofia e deritanishme e qeverisë për të lehtësuar procedurat dhe kohën që u duhet bizneseve për t’u marrë me dokumentet rutinë (p.sh., tatimet raportojnë shpesh që përmes e-albania, bizneset kursejnë kohë dhe burime njerëzore).
Deri në vitin e kaluar, bizneset ishin të detyruara që të dorëzonin maksimumi tre dokumente: Pasqyrat financiare vjetore të skanuara në format PDF; Raportin e auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë (kur mbajtja e tyre është e detyrueshme); Vendimin për miratimin e pasqyrave financiare (sipas kërkesave ligjore).
Tashmë, bazuar në standardet e reja të raportimit, ata duhet të plotësojnë një sërë tabelash dhe bizneset e mesme duhet të dorëzojnë edhe raportin e ecurisë së veprimtarisë, kurse ato të mëdha, edhe raportin financiar dhe atë të drejtimit të brendshëm. Manjola, ekonomiste në një zyrë kontabiliteti, e cila mban financat e disa shoqërive, thotë se më parë, dorëzimi online i pasqyrave financiare zgjaste maksimumi 10 minuta për një subjekt, duke llogaritur dhe skanimin dhe konvertimin e dokumenteve në Excel.
Ndërsa me standardet e reja, koha minimale është të paktën gjysmë ore dhe mund të kalojë edhe një orë, në varësi të numrit të punonjësve të subjektit. Ekonomistët janë të detyruar që, krahas plotësimit në një tabelë të veçantë të të dhënave për aktivet, të ardhurave për periudhën 2016-2018 (për të cilat duhet hapur bilanci i çdo viti), duhet të llogarisin dhe ditët e punës së punonjësve. Sipas manualit të përdorimit për bilancin, “Numri mesatar i punonjësve llogaritet me ditët e punës gjithsej të punuara gjatë vitit nga të gjithë punonjësit, pjesëtuar me ditët e punës (248 ditë pune) për 1 vit kalendarik për 1 punonjës”.
Financierët ankohen se kjo është një procedurë që kërkon shumë kohë, pasi duhen hapur dokumentet nga e para, teksa nuk është detyra e tyre që të mbledhin statistika, por kjo u takon institucioneve shtetërore të ngarkuara me këtë funksion. Një tjetër problematikë me të cilën bizneset janë ndeshur këto ditë është edhe pamundësia për të çuar procedurën deri në fund, pasi dokumentet nuk arrijnë të ngarkohen të gjitha. Në manualin e përdorimit thuhet se dokumentet do të verifikohen dhe Administratori do të njoftohet me email nëse aplikimi është pranuar me sukses ose ka gabime, duke specifikuar elementet ku janë shfaqur këto gabime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.