DPSHTRR kontroll autoshkollave, masa për subjektet jo të pajisura me shenjat dalluese të aktivitetit

24/06/2019 1:00 PM 0 komente

Në vijim të konstatimeve ku rezulton se shumë mjete autoshkollë nuk janë të pajisura me shenjat dalluese, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka bërë me dije se ka nisur një kontroll të të gjithë tregut të autoshkollave që ushtrojnë aktivitetin e tyre. Kjo nisme vjen me qëllim rritjen e sigurisë rrugore, uljen e abuzivitetit, si dhe rritjen e kërkesës nga DPSHTRR, mbi mbikëqyrjen administrative dhe teknike.

Njoftimi i cili i drejtohet subjekteve autoshkollë në zbatim të ligjit 8378, datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, neni 121,  pika 2, të merren masa nga të gjithë subjektet që ushtrojnë veprimtarinë autoshkollë, për  përmbushjen e kritereve të shenjave dalluese të mjeteve autoshkollë, si më poshtë:

 

  1. Mjetet autoshkollë duhet të jenë të pajisura me shenjat dalluese siç parashikohet në nenin 120, pika 4, të Kodit Rrugor, në nenin 312 të VKM 153, datë 07.04.2000 “Rregullorja për zbatim e Kodit Rrugor”, si dhe në nenin 6, pika 6 e Udhëzimit Nr. 682/4, datë 01.04.2016 “Për aktivitetin e autoshkollave, pajisjen e kandidatëve me lejedrejtimi,  kualifikimin e instruktorëve të autoshkollave dhe specialistëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR)”.

 

  1. Subjektet që ushtrojnë veprimtarinë autoshkollë kanë afat deri më 28.06.2019 për pajisjen e “mjeteve për ushtrimin e guidës” me shenja dalluese konform akteve ligjore e nënligjore të. sipërcituara.

 

  1. Mjetet autoshkollë që do të konstatohen të pajisura pjesërisht (vetëm me tabelën lart dhe jo  shenjatanësore apo e kundërta), do të konsiderohen pa shenja dalluese.

 

Në rastet kur konstatohen shkelje pas marrjes së njoftimit, DPSHTRR njofton se do të marrë masa për pezullim aktiviteti të veprimtarisë autoshkollë nga 1 deri në 3 muaj bazuar në nenin 121, pika 3 e Ligjit 8378, datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar.

Sipas të dhënave të tregut, numri i autoshkollave të licensuara në treg ka qenë në rritje. Kërkesa e madhe e qytetarëve për pajisjen me leje-drejtimi ka rritur konkurrencën midis autoshkollave që veprojnë në Qarkun e Tiranës. Vetëm në Tiranë vlerësohet të jenë mbi 60 autoshkolla, ndërsa në Durrës më shumë se 20 të tilla. Në qytetet e vogla, numri i tyre varion nga 2 deri në 5.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of