Draft ligji “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” është depozituar në parlament duke hapur kështu rrugën për diskutimet në komisionet parlamentare. Kalimi I tij në qeveri erdhi pas një kohe të gjatë debatesh mes grupeve të interesit që kryesisht u zhvilluan gjatë majit dhe që më pas u la në harresë. Në relacionin që shoqëron draft ligjin janë nënvizuar të paktën nëntë përmirësime dhe ndërhyrje në standarde ku mes të tjerash synohet ulja e informalitetit në sektor. Por cilat janë në fakt këto nëntë pika që ndryshojnë nga ligji aktual.
Së pari bëhet një përafrim me direktivën e Bashkimit Europian sa i përket klasifikimit të njësive ekonomike dhe grupeve ekonomike për qëllime të raportimit financiar. Së dyti bëhet një përcaktim më i saktë i pasqyrave financiare që duhet të përgatisin njësitë apo grupet ekonomike, në varësi të kategorisë së cilës i përkasin.
Lidhur me informalitetin dhe uljen e tij bëhet një rregullimi i përgjegjësisë për hartimin dhe nënshkrimin e pasqyrave Financiare. “Ky rregullim i munguar ka krijuar problematika të ndryshme sidomos në rastet kur përdorues të pasqyrave financiare janë përfaqësuesit tatimorë, duke krijuar kështu premisën për krijimin e një tregu informal brenda profesionit” thuhet në relacion.
Në pikën 4 bëhet rregullimi i raportimit financiar (standardet kontabël të detyrueshme për zbatim) të rregullatorëve në sektorin financiar dhe të sigurimeve.
Po kështu bëhet një lehtësim nga barra e raportimit financiar për personat fizikë, për mikronjësitë, të cilave u kërkohet të paraqesin vetëm pasqyra të thjeshtuara, si dhe njësitë ekonomike të vogla, duke u kërkuar të hartojnë vetëm dy pasqyra Financiare.
I njëjti draft bën edhe lehtësimin e barrierës ekzistuese për njësitë ekonomike që operojnë në monedha të huaja, duke lejuar tashmë kontabilitetin e tyre në monedhën funksionale gjatë ushtrimit kontabël, pa ndryshuar kërkesën që pasqyrat financiare të paraqiten në monedhën vendase.
Së gjashti drafti i propozuar, parashtron çështjen e transparencës duke kërkuar disa shënime shpjeguese shtesë lidhur me numrin e të punësuarve, kategorizimin e të ardhurave dhe pagesat e bëra për auditimin e pasqyrave Financiare.
Relacioni shpjegon se përmes ligjit të ri synohet të bëhet përcaktimi i përmbajtjes dhe detyrimit për hartimin e raportit të ecurisë së veprimtarisë, raportit jofinanciar, raportit të drejtimit të brendshëm, të cilat japin një pamje të plotë të zhvillimit dhe politikave të ndërmarrjes, si dhe raportit të pagesave që u bëhen autoriteteve shtetërore.
Së fundmi drafti i propozuar i jep zgjidhje edhe përmirësimit të kërkesave për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, duke zgjeruar mundësinë e përfaqësimit të më shumë sektorëve në këshill, por edhe duke kufizuar mandatin e anëtarit, me qëllim mundësinë e përfaqësimit dhe kontributit në Këshill të më shumë personaliteteve nga fusha dhe sektorë të ndryshëm
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.