Me reformën në drejtësi u miratua edhe Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur që trajton të drejtat e fëmijëve sipas standardeve ndërkombëtare.
Mbështetur në këto zhvillime është miratuar për herë të parë një strategji e mirëfilltë për të miturit, Strategjia e Drejtësisë për të Mitur 2018-2021. Pas zbatueshmerisë së saj, Ministria e Drejtësisë ka përfunduar hartimin e draft-koncept dokumentit 2022-2026.
Mbështetur në raportin e Ministrisë së Drejtësisë mbi realizimin e strategjisë dhe planit të saj të veprimit 2018-2021, si dhe në analizën e nevojave, vlerësohet se buxheti i përgjithshëm për zbatimin e planit të strategjisë së re mbështetur në mundësinë 1 është rreth 2 miliardë lekë. 80% e buxhetit do të mbulojë zbatimin e politikave ekzistuese dhe 20% do të duhen për zbatimin e politikave të reja.
Në draft gjithashtu përcaktohet se për financimin e politikave të reja do të punohet për të ngritur fonde nga donatorët apo organizatat partnere, por do të kërkohen fonde dhe nga buxheti i shtetit sidomos për periudhën 2025-2026. Shpenzimet kapitale parashikohen në masën 6% të shpenzimeve totale. Këto shpenzime janë të përfshira në tavanet buxhetore të institucioneve respektive. Ndikimi i planit në buxhetin e shtetit do të jetë vetëm për politikat e reja dhe vlerësohet afërsisht 403 milionë lekë.
Shpenzimet e vitit 2022 janë llogaritur duke marr në konsideratë shpenzimet e vitit 2021 dhe janë rritur me 20%. Ndërsa shpenzimet e planifikuara për periudhën 2025-2026 janë mbështetur në nivelin e shpenzimeve të vitit 2024, me një rritje vjetore 1% deri në 2%. Kostoja e plotë e zbatimit të planit do të rezultojë pas hartimit të planit të veprimit dhe dakortësimit të masave me ministritë e linjës, njësive vendore, institucioneve të pavarura dhe organizatat partnere.
Në aspektin ekonomik, zbatimi i “SDM 2022–2026” në afatgjatë synon garantimin e respektimit të drejtave të çdo fëmije përmes konsolidimit të një sistemi miqësor drejtësie për ta. Kjo pritet të sjell uljen e numrit të fëmijëve në konflikt me ligjin dhe riintegrimin i tyre në shoqëri. Garantimi i respektimit të gjitha të drejtave synon fuqizimin ekonomik të tyre përmes përfshirjes në tregun e punës, dhe për rrjedhojë rritjen e të ardhurave individuale dhe familjare, dhe largimin nga skemat e mbrojtjes sociale.
Për sa i përket impaktit social zbatimi i strategjisë synon të garantojë të gjitha të drejtat e çdo fëmije dhe më pak kosto sociale për familjet dhe autorët e krimit pasi do të përdoren më shumë dënimet alternative.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.