Bizneset e kishin kërkuar 5 vjet më parë, kurse Kryeministria ua premtoi para 6 muajsh dhe e realizoi javën e kaluar. Heqja e TVSH-së, taksës 20 për qind që paguante biznesi për makineritë dhe pajisjet, konsiderohej barrë e rëndë për investitorin. Vendimi është marrë nga qeveria, por nuk është zbardhur ende, ndërsa “Monitor” ka mundur të sigurojë draftin e Ministrisë së Financave, e cila specifikon rastet se kur biznesi është i përjashtuar nga taksa e TVSH-së.
Ndryshe nga sa ishte deklaruar nga kreu i qeverisë, heqja e TVSH për importin e pajisjeve do të jetë e kufizuar. Këtë të drejtë e kanë biznesi vendas dhe i huaj, por me kriterin e investimit të shumave nga 50 milionë lekë e sipër.
Skema aktuale i jepte biznesit vetëm dy vjet kohë, maksimumi, për të shlyer pagesën e TVSH-së dhe me autorizim nga ministri i Financave, pasi të kishte plotësuar një volum të gjerë dokumentacioni.
Në ligjin nr. 7928, datë 27.04.1995, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, i ndryshuar, që pritet të kalojë për diskutim në Parlament, nuk parashikohen diskutime apo kundërshti nga opozita, pasi nisma e re e lehtëson biznesin.
Çfarë ndryshon te ligji
Në nenin 1 të projektligjit, te pjesa “Importimi i mallrave”, në pikën 2.1, fjalia e parë e kësaj pike, zëvendësohet me dy fjali me këtë përmbajtje:
“2.1. Për makineritë dhe pajisjet e importuara nga personat e tatueshëm, në kuptim të këtij ligji, në funksion të veprimtarisë së tyre ekonomike, pavarësisht llojit të saj, me përjashtimin të makinerive dhe pajisjeve të përcaktuara në shkronjën g) të nenit 26/1 të këtij ligji, zbatohet skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së deri në 12 muaj.
Sa i takon nenit 2, ka sërish ndryshime që prekin nenin 26 të ligjit bazë, duke shtuar edhe dy pika të tjera, që janë kushtet se kur përjashtohet pagesa e TVSH-së.
“Importimi i makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë në dhe mbi 50,000,000 lekë është furnizim i përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Procedura e përjashtimeve përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe do t’u akordohet vetëm makinerive dhe pajisjeve që janë direkt të lidhura me investimin”, thuhet në ndryshim.
Po ç farë ndodh me subjektet që janë në proces shtyrje të pagesës së TVSH-së, në një kohë kur qeveria sapo ka miratuar ligjin, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi? Ministria e Financave sqaron se “për makineritë dhe pajisjet, të cilat janë direkt të lidhura me investimet me vlerë mbi 50 milionë lekë, të cilat janë importuar nën skemën e shtyrjes së pagesës së TVSH dhe afati i dhënies së autorizimeve nga administrata doganore ose nga ministri i Financave nuk ka mbaruar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar përjashtohet”.
Financat: Arsyet dhe efektet
Synimi i këtij projektligji është përjashtimi nga pagesa e TVSH-se, në doganë, për importimin e makinerive dhe pajisjeve, në rast të investimeve me vlerë të konsiderueshme, në dhe mbi 50 milionë lekë. Sipas Ministrisë së Financave, propozimi lidhet me uljen e kostove të investimeve të mëdha, të cilat në momentin e parë të punimeve kanë investime të konsiderueshme në makineri dhe pajisje dhe përkatësisht TVSH e paguar për importet e tyre rrit me 20 për qind koston e investimeve të tilla.
Aktualisht, në nenin 26 “Importimi i mallrave” të ligjit nr. 7928, datë 27.04.1995, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” i ndryshuar, pagesa e TVSH në importin e makinerive dhe pajisjeve, pavarësisht nga vlera e investimit, shtyhet deri në një vit nga administrata doganore dhe në rast se cikli i investimit dhe fillimit të prodhimit është më i madh se një vit, subjektit, pas plotësimit të një seti dokumentacionesh, i akordohet një shtyrje e dytë me autorizim nga ministri i Financave, deri në momentin e fillimit të prodhimit. Në momentin e fillimit të prodhimit, e gjithë TVSH e shtyrë në import, është e kreditueshme tek administrata tatimore, duke rritur në këtë mënyrë kërkesat dhe shumat për rimbursim nga kjo administratë. Në bazë të të dhënave të administratës doganore, për vitin 2011, TVSH e shtyrë në import për investime ka qenë 4 miliardë lekë.
“Me qëllim që të shmanget procedura e shtyrjes së pagesës së TVSH në import dhe të ulet kërkesa për rimbursim pranë administratës tatimore, në shuma të konsiderueshme, Ministria e Financave propozon që në rast të investimeve mbi vlerën prej 50 milionë lekësh, makineritë dhe pajisjet të përjashtohen nga pagesa e TVSH në import”, thotë ministria. Procedura e përjashtimeve do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe do t’u akordohet vetëm makinerive dhe pajisjeve që janë direkt të lidhura me investimin.
Afati
Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, por burime të shumta vlerësojnë se zbatimi i tij do të fillojë në janar të 2013-s
OPINIONET E BIZNESIT
Mbështeten investimet e mëdha
Heqja e taksës prej 20% mirëpritet nga biznesi, por “oksigjeni” u jepet vetëm investitorëve të mëdhenj. HEC-et dhe rrugët pritet të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtij vendimi
Vendimi për të hequr Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për makineritë e importit është mirëpritur nga sipërmarrësit. Sipas tyre, heqja e TVSH-së vjen në një periudhë kur ka nevojë për investime, por ka pak likuiditete në dispozicion. Ulja automatikisht me 20% e vlerës së importit të pajisjeve pritet të “shkrijë” planet e pezulluara së fundi të investitorëve dhe këtë e pohojnë vetë ata. Ky duket të ketë qenë edhe synimi i qeverisë. Kërkesat e biznesit në takimet me Kryeministrin Berisha nuk janë vetëm fjalët e përhershme të sipërmarrësve që kërkojnë gjithnjë e më shumë. Shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë këtij viti, importi i makinerive ra me rreth 2%.
Gjatë miratimit të vendimit, Kryeministri Berisha u shpreh se, “e konsideroj këtë një nga vendimet më të rëndësishme që kemi ndërmarrë, në përpjekjet e kësaj qeverie për të nxitur dhe ndihmuar biznesin për të krijuar një mjedis sa më miqësor”.
Por objektivi i kësaj nisme, më shumë se tek lehtësimi, është tek nxitja e investimeve nga bizneset që operojnë aktualisht në vend. Heqja e TVSH-së për makineritë pritet të rrisë edhe investimet e reja të huaja. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, z. Berisha pohoi se, “kam informacione se janë kompani të shumta, të cilat duan të shpërngulen në Shqipëri. Se kjo krizë, në vende të tjera ka vështirësuar performancën ekonomike”.
Në bazë të vendimit, pritet të jenë përfitues sipërmarrësit që investojnë shifra të mëdha në teknologji dhe jo çdo lloj blerje makinerie.
Megjithatë, për biznesin vendas, ky është një hap shpresëdhënës.
Stefan Pinguli, sipërmarrës në industrinë ushqimore, mendon se, “kjo është një shenjë e mirë për industritë, sidomos në këtë periudhë të vështirë për investimet”. Biznesmenë, anëtarë pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, pohojnë se, efektet e krizës, që po zgjasin prej vitesh, janë bërë pengesë për të investuar në teknologji. Ata ankohen për mungesë të likuiditeteve, ndërkohë që janë të ndërgjegjshëm se nuk mund të heqin dorë nga blerjet e pajisjeve dhe makinerive. “Investimi në teknologji është domosdoshmëri për ekzistencën, pavarësisht luhatjeve në periudha të shkurtra kohore”, vlerëson sipërmarrësi i fabrikës së prodhimit të birrës “Stela”.
Edhe përfaqësues të industrisë së prodhimit të veshjeve shikojnë një dritë jeshile përmes këtij vendimi. “Ky vendim do të ulë menjëherë me 20% çmimin e makinerive që do të blihen nga sipërmarrësit. Në një kohë krize si tani, është një nxitës i mirë për investimet”, tha për “Monitor”, kryetari i Dhomës së Fasonistëve, Gjergji Gjika.
Fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve në vendin tonë po përgatiten për të gjetur klientë të rinj (të cilët mund të kërkojnë edhe më shumë procese përpunimi) ose të investojnë për të mbyllur ciklin e prodhimit. Për të dyja këto u duhen më shumë pajisje. Problemi qëndron te fakti se janë të pakët sipërmarrësit e kësaj fushe, ashtu si dhe përpunuesit në industrinë ushqimore dhe atë të minierave, të gatshëm të investojnë mbi 50 milionë lekë.
Drejtues në sektorin e agropërpunimit pohojnë se tashmë kanë bërë një pjesë të mirë të investimeve dhe u duhet të blejnë makineri shtesë për një proces përpunimi më tepër. “Makineri të tilla blihem me më pak se 50 milionë lekë”, pohon një prej përpunuesve të qumështit në vend.
Përfaqësues të Shoqatës së Fasonistëve mendojnë se do të mund të arrijnë të përfitojnë nga kjo skemë vetëm nëse do të bashkohen e të bëjnë investime të përbashkëta.
Berisha: Kam informacione se janë kompani të shumta, të cilat duan të shpërngulen në Shqipëri. Se kjo krizë, në vende të tjera e ka vështirësuar performancën ekonomike.
Përfituesit: HEC-et dhe rrugët
Sipërmarrësit që janë të gatshëm, apo të detyruar nga specifikat e biznesit për të investuar më shumë se 50 milionë lekë në makineri, gjenden kryesisht në sektorin e prodhimit të energjisë (sektori prioritet i qeverisë) por edhe investitorët që fitojnë të drejtën e ndërtimit të rrugëve publike. Ekspertë të ekonomisë mendojnë se nisma e fundit lehtësuese e qeverisë do të japë efekt në zhvillimin e investimeve në këto drejtime. Ata e vlerësojnë këtë nismë, pasi mendojnë se kështu qeveria do të arrijë të përmbushë më lehtësisht planet e saj të zhvillimit në infrastrukturë dhe energji. Deri në fund të vitit, pritet të hyjnë në prodhim edhe tetë hidrocentrale të vegjël, ku aktualisht po investohet.
Por, sipas ekspertëve, përmirësimi i klimës do të ndihet pjesërisht në treg. Të gjitha ndërmarrjet që duan të shtojnë një makineri, apo të plotësojnë linjat e tyre të prodhimit, për të cilat u nevojiten më pak se 50 milionë lekë, duhet të ecin në të njëjtën rrugë të bërë deri më tani. Nga kjo mundësi rrezikojnë të mos fitojnë pikërisht sektorët që aktualisht kanë ndikimin më të gjerë në treg, prodhuesit ushqimorë dhe ata të veshjeve.
Berisha: Nxiten investimet e huaja dhe hapen vende të reja pune
“Një lajm i mirë është se hiqet në mënyrë përfundimtare për biznesin shqiptar dhe të huaj TVSH-ja për makineritë e importuara. Në takimin që bëmë me biznesin, jua premtuam dhe ne e mbajmë fjalën tonë”, ka pohuar Kryeministri javës së kaluar.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, ai theksoi se, “çdo investitor, i cili do të importojë makineri për të prodhuar në vend, do t’i ketë ato pa TVSH. Deri tani ato mund të hynin pa TVSH, por detyrohej kur i fuste në prodhim, të rikthente TVSH-në. Ky kapitull mbyllet njëherë e përgjithmonë. E kemi premtuar 6 muaj më parë dhe ja ku është ligji”. Tani çdo investitor, vuri në dukje Berisha, e di që do të paguajë çmimin e blerjes dhe të transportit të makinerive të tij dhe do t’i çojë në sheshin e ndërtimit, pa pasur asnjë detyrim ndaj administratës shtetërore. “E konsideroj këtë një nga vendimet më të rëndësishme që kemi ndërmarrë në përpjekjet e kësaj qeverie për të nxitur dhe ndihmuar biznesin, për të krijuar një mjedis sa më miqësor. Kam informacione se janë kompani të shumta, të cilat duan të shpërngulen në Shqipëri, se kjo krizë në vende të tjera ka vështirësuar performancën ekonomike”, theksoi Kryeministri duke shtuar se, “jam i informuar nga burime të sigurta se ata po e prisnin këtë masë nga qeveria shqiptare, duke e ditur shpirtin e saj bujar dhe ky është lajmi më i mirë që mund t’i dërgojmë biznesit shqiptar, me mundësinë për të krijuar me dhjetëra mijëra vende pune në kohën më të shkurtër”.
Investime të kufizuara në teknologji
Raporte të ndryshme ndërkombëtare kanë tërhequr vëmendjen se investimet në teknologji në tregun shqiptar janë të kufizuara. “Raporti i Konkurrueshmërisë Globale” vazhdon të na rendisë në vende të ulëta për shpenzimet në këtë drejtim.
Investimet në teknologji janë një nga shtyllat në të cilat bazohet raporti, i cili së fundi vlerësoi përkeqësimin e Shqipërisë krahasuar me vende të tjera. Sipas raportit, vendi ynë ka një shkallë ende të ulët të investimeve në teknologji, ndonëse investitorët e huaj ndikuan pozitivisht në këtë drejtim. Ata kanë bërë investimet më të mëdha në teknologji e pajisje këto vitet e fundit. Për nivelin e përdorimit të pajisjeve dhe teknologjisë së re renditemi në vendin e 77-të (nga 142 vende të përfshira në studim), 8 vende më poshtë se një vit më parë. Për më tepër, raporti vlerëson se shpenzimet për inovacion në ndërmarrje e rendisin Shqipërinë ndër vendet e fundit, me një pozicion më të përkeqësuar krahasuar me një vit më parë. Mungesa e inovacionit, sjell një kosto më të lartë në prodhim, sipas ekspertëve.
Edhe Banka e Shqipërisë thekson në raportet e saj se është e nevojshme të rriten investimet në teknologji. Kjo është drita jeshile për të nxitur eksportet, vlerësojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Në një analizë për profilin e tregtisë së jashtme, Banka vëren se dy grupet kryesore të eksporteve shqiptare janë tekstilet dhe lëndët e para. Avantazhi krahasues në industrinë tekstile qëndron në kostot e ulëta të prodhimit, të cilat i bëjnë eksportet tona më konkurruese në treg. Eksporti i lëndëve të para në formë xeherorësh, bëhet duke iu nënshtruar vetëm një ose dy hallkave të procesit të përpunimit, çka ndikon në mbajtjen të ulët të vlerës së shtuar të këtyre eksporteve.
Rritja e importit, me hapin e breshkës
Për blerjen e makinerive, zgjidhja është tregu i jashtëm. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, importi i makinerive e pajisjeve ndër vite është rritur me ritme më të ulëta se importet në tërësi. Ato shënuan rritje të dukshme vetëm në vitin 2007, kur brenda vendit u futën pajisjet që do të përdoreshin për ndërtimin e autostradës Tiranë-Durrës dhe vitin e kaluar, po për shkak të rrugëve (Tiranë-Elbasan dhe Levan-Fier).
Në 2007-n, importi i makinerive shënoi rritje vjetore prej 31%, duke arritur në 78.77 miliardë lekë. Në këtë periudhë, ato rritën peshën në importe me 10 pikë përqindje, duke zënë rreth 31% të totalit të mallrave të importuara.
Vitin e kaluar, vlera e importit të makinerive u rrit me 24%, duke arritur në gati 110 miliardë lekë. Megjithatë, pesha e këtyre importeve mbetet e ulët ndaj totalit. Nga 20-31% që është luhatur këto vite, në 2011-n makineritë përbënin më pak se 20% të totalit të mallrave të importuara.
Po të shohim në dhjetë vite tregti, mes importit të makinerive dhe importit total të Shqipërisë, hendeku është theksuar. Në dhjetë vite, (2001-2011) importi në tërësi u rrit 2.8 herë, duke arritur në 544 miliardë lekë. Në të njëjtën kohë, importi i makinerive u rrit 2.4 herë.
2012: Importi bie 2%
Ndërsa viti ende nuk është mbyllur, makineritë e importuara deri më tani kanë qenë të kufizuara, duke sinjalizuar dobësimin e sipërmarrësve për investime. Rënia është e lehtë (-2%) dhe ekspertët e tregtisë na kujtojnë të mbajmë parasysh se po t’i referohemi vitit 2011, atë periudhë u futën disa makineri të rënda për ndërtimin e rrugëve. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në periudhën janar-gusht të këtij viti, vlera e importit të makineri-pajisjeve ishte 64.7 miliardë lekë, nga 66 miliardë lekë të importuara në të njëjtën periudhë të 2011-s. Në këtë periudhë, edhe importet në total ranë lehtësisht (-1.8%). Tregues i përkeqësuar është ulja e peshës së importit të makinerive. Ajo zinte më pak se 19% të totalit të importit.
Ekspertët e ekonomisë mendojnë se rënia me vetëm 2% është një tkurrje e vogël, e cila mund të “korrigjohet” deri në fund të vitit. Megjithatë, sipas tyre, është shqetësuese për një treg në zhvillim si Shqipëria fakti që makineritë kanë humbur rritjen edyshifrore të shënuara vitet e kaluara.
Ndryshimi i importeve 8-mujor 2012/8-mujor 2011
-1.8% bien importet në total
-2% bien importet e makineri-pajisjeve
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.