Drama e pensioneve: Shteti nuk paguan sigurimet e punonjësve

28/10/2017 10:07 PM 0 komente

Tatimet kanë publikuar së fundmi një listë me 63 institucione dhe ente publike, më së shumti bashki dhe 20 ndërmarrje ujësjellësi, të cilat nuk kanë paguar detyrimet e sigurimeve shoqërore. Deri në fund të vitit 2016 janë akumuluar 14 miliardë lekë borxhe ndaj arkës së sigurimeve, teksa mbi 200 mijë punonjës do të vuajnë pasojat.
Ekspertët e ISSH-së u bëjnë apel punonjësve që të kryejnë verifikime, teksa mijëra dosje pensioni po shqyrtohen në Gjykatën Administrative

 

Blerina Hoxha

 

Zh. Preçi, një ish-arsimtare 63 vjeçe, prej dy vitesh rropatet nëpër procese gjyqësore për të fituar të drejtat e plota të pensionit. Për 40 vite rresht, që kur ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike, ajo ka punuar mësuese në një fshat të Tropojës. Gjithmonë e ka dashur punën e saj, edhe për faktin se të ardhurat në pleqëri do të ishin të sigurta, për shkak të garancisë që jep shteti në pagesën e sigurimeve.

Por drama ndodhi kur vitet e punës u plotësuan dhe mosha për daljen në pension erdhi. Libreza e mbushur me firma dhe vula nuk pati kurrfarë vlere, pasi në të vërtetë zonjës Preçi i mungonin 7 vite kontribute. Kjo përgjigje nga sigurimet rajonale ka qenë më shumë se një surprizë për të. Nuk pati asnjë mundësi të sqarohej se reforma territoriale ka ridimensionuar institucionet vendore dhe as personat dhe as dokumentet nuk gjenden më. Tani ka vetëm dy rrugë. Ose të përfitojë pensionin gjysmak ose të presë sagën e gjyqeve.

“E kam dashur punën në shtet dhe profesionin e mësueses, edhe për faktin se shteti është korrekt me detyrimet dhe se në pleqëri do të kisha pension të sigurt, ndryshe nga moshataret e mia, të cilat kanë punuar në privat. Por bomba më ka rënë kur mora vesh se paratë më janë mbajtur nga rroga, por sigurimet nuk janë paguar. Bëhet fjalë për mospagesa ndërmjet viteve 2000-2010”, thotë më tej ajo.

Si zonja Preçi, ka mijëra persona që janë në procese gjyqësore me Drejtoritë Rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërorë për vitet e munguara të punës. 40-vjeçarët e viteve 1990 po hasin në vështirësi serioze për të fituar të drejtat e punës dhe në dijeninë e tyre kanë qenë korrekt me zbatimin e ligjit dhe pagesën e kuotave të sigurimeve. Fenomeni i mospagesave të sigurimeve, që më parë ka qenë një tipar i kompanive private të biznesit deri sa pagesat bëheshin cash jo nga banka, vitet e fundit ka përfshirë institucionet shtetërore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar në listën e borxhlinjve së paku 63 ente, kompani dhe institucione shtetërore që nuk i kanë paguar sigurimet shoqërore për punonjësit.
Deri në fund të vitit 2016, DPT ka gjetur detyrime të papaguara të bizneseve dhe enteve shtetërore në masën e 14,1 miliardë lekë ose 103 milionë euro, vetëm në fushën e sigurimeve. Kjo shumë ishte sa 10% e borxhit tatimor të njohur gjatë vitit të kaluar. Megjithëse tatimet kanë marrë masa për arkëtimin me forcë të detyrimeve tatimore të prapambetura, mbledhja e tyre nuk e zgjidh problematikën personale që kanë punonjësit me vitet e “vjedhura” të punës.

Ekspertët në Institutin e Sigurimeve Shoqërore pohojnë se mospagesa e sigurimeve ka qenë një fenomen i përhapur edhe për entet shtetërore, por ISSH vetëm sa administron fondin e pensioneve dhe nuk ka tagër ligjor për t’i dhënë fund kësaj situate dhe as ta riparojë atë. Thjesht Instituti i Sigurimeve nuk mund të azhurnojë pension të plotë nëse sigurimet nuk janë paguar.

Për të qenë pjesë e lehtësimit të procesit, ISSH-ja ka ndikuar në miratimin e një VKM-je që autorizonte entet shtetërore të paguajnë sigurimet e plota për punonjësit më të vjetër që më parë nuk i kishin paguar kuotat. Mirëpo edhe kjo masë nuk ka funksionuar. Ndërmarrjet e ujësjellësit, njësitë e pushtetit vendor, ndërmarrje komunale në varësi të pushtetit vendor, drejtoritë rajonale arsimore dhe ato të Shëndetit Publik nuk janë korrekte në pagesën e sigurimeve. Sipas të dhënave nga tatimet janë rreth 200 mijë persona në të gjithë vendin, një pjesë e të cilëve edhe në sektorin publik me sigurime të papaguara.

 

Të pasiguruar

Sipas të dhënave nga tatimet janë rreth 200 mijë persona në të gjithë vendin, një pjesë e të cilëve edhe në sektorin publik me sigurime të papaguara.

Detyrimi

Deri në fund të vitit 2016, DPT ka gjetur detyrime të papaguara të bizneseve dhe enteve shtetërore në masën e 14,1 miliardë lekë ose 103 milionë euro, vetëm në fushën e sigurimeve. Kjo shumë ishte sa 10% e borxhit tatimor të njohur gjatë vitit të kaluar.

 

Rikthehet borxhi ndaj sigurimeve

Ende pa u pastruar borxhet 9 miliardë lekë (66 milionë euro) që qeveria “Rama 1” gjeti si akumulime nga qeveria Berisha në vitin 2014, një mal i ri borxhi ndaj arkës së pensioneve është krijuar në katër vitet e fundit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zbardhur në fund të vitit të kaluar një shumë detyrimesh 14.1 miliardë lekësh.

Sipas të dhënave zyrtare tashmë të publikuara nga Tatimet, 10.8 miliardë lekë nga totali i detyrimeve ose 77% totalit është krijuar nga viti 2014-2016, teksa shihet se 3.2 miliardë lekë janë të mbaruara para vitit 2013. Siç shihet nga të dhënat, borxhi ndaj arkës së sigurimeve është rritur me ritme më të shpejta vitin e fundit. Vetëm më 2016 u akumuluan 4.6 miliardë lekë detyrime ose 32$ e krejt totalit.

Burimet nga tatimet pohuan se një pjesë e madhe e këtyre detyrimeve u përkasin enteve publike dhe pushtetit lokal, pasi për bizneset private janë marrë masa shtrënguese. Nëse bizneset nuk paguajnë në kohë detyrimet për punonjësit, llogaritë bankare të tyre paguhen. Për institucionet shtetërore, puna ndryshon.

Llogaritë bankare të ndërmarrjeve të ujësjellësit është vështirë të bllokohen për shkak të funksionit strategjik që kanë në shërbimet ndaj publikut.
Toleranca ndaj enteve të shtetit është “zyrtarizuar” pasi shteti presupozohet që të shlyejë detyrimet në një moment të dytë, pasi ka krijuar borxhin.

Ekspertët të ISSH pohojnë se ndryshe nga detyrimet e tjera që shtetit mund t’i krijohen nga mospagesa e taksave të tjera, efektet negative që ka borxhi i sigurimeve shoqërore janë të shumëfishta. Dëmi në përfitime në vlerë monetare është shumë më i madh se pagesa e kryer tani dhe, nga ana tjetër, pasojat sociale që u krijohen personave janë të pamatshme.

Ndryshimet që janë bërë në ligjin e proceduarve tatimore lejojnë pagesën me këste të detyrimeve të prapambetura të bizneseve. Por kjo praktikë nuk vlen për pagesën e borxheve të sigurimeve shoqërore.

“Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore për një vlerësim tatimor të kryer, sipas nenit 68, si dhe për detyrime tatimore të vetëdeklaruara nga tatimpaguesi. Përjashtimisht, administrata tatimore nuk hyn në një marrëveshje të pagesës me këste për detyrim tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” thuhet në ligjin e procedurave tatimore.

 

Rrezikohet pensioni për 200 mijë persona

Tatimet numërojnë rreth 206 mijë e 104 raste borxhi të krijuara nga mospagesa e sigurimeve deri në fund të vitit 2016, pasi të dhënat e reja nuk janë azhurnuar. Burimet zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve sqaruan se numri i rasteve nuk e përfaqëson numrin e personave që e kanë krijuar borxhin. Çdo biznes, që i është dërguar një njoftim se ka detyrime në formë sigurimesh, numërohet si një rast, po ky njoftim mund të ketë më shumë se një punonjës që nuk i janë paguar sigurimet, sqarojnë Tatimet.

Burimet nga ISSH pohojnë se janë rreth 200 mijë persona të prekur nga këto detyrime. Sipas të dhënave të fondit të pensioneve, një shifër e ngjashme të prekurish u zbulua edhe në vitin 2014, ku rreth 250 mijë persona ishin përfshirë nga mospagesa e sigurimeve, kryesisht nga institucionet publike. Ministri i Punës në atë kohë, Erion Veliaj, ndërmori një audit për të zbuluar borxhet e prapambetura ndaj arkës së sigurimeve, ku gjeti 9 miliardë lekë detyrime të papaguara.

Që nga viti 2014 kur u ndërmor edhe një amnisti ndaj kamatave dhe gjobave, kundrejt pagesës së principalit, duket se situata nuk ka ndryshuar, madje është përkeqësuar. Vetëm në tre muajt e fundit të vitit 2016 janë shënuar 34 mijë raste të reja që kanë krijuar borxhe.
Ligji për Procedurat Tatimore thotë se punëdhënësi ka detyrim ligjor përllogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve, sipas afateve të përcaktuara në ligj.

Listëpagesa është një deklaratë e subjektit, në të cilën evidentohen kontributet individuale, dhe si e tillë, në mbështetje të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, tatimpaguesi që nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10,000 lekë, për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar.

Kështu, nëse bizneset vihen në vështirësi për një periudhë të caktuar, duke mos paguar qoftë edhe për një muaj detyrimin për sigurimin e punonjësve, gjoba është e lartë. Kur bizneset dhe entet e tjera bëhen likuide dhe nisin të paguajnë, tatimet i arkëtojnë këto detyrime si gjoba dhe kamata, teksa principali mbetet shpesh i akumuluar, duke i dëmtuar në këtë mënyrë direkt punëmarrësit dhe pensionin e tyre.

 

Sa pensionistë rrezikohen?!

Tatimet numërojnë rreth 206 mijë e 104 raste borxhi të krijuara nga mospagesa e sigurimeve deri në fund të vitit 2016, pasi të dhënat e reja nuk janë azhurnuar. Burimet zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve sqaruan se numri i rasteve nuk e përfaqëson numrin e personave që e kanë krijuar borxhin. Çdo biznes, që i është dërguar një njoftim se ka detyrime në formë sigurimesh, numërohet si një rast, po ky njoftim mund të ketë më shumë se një punonjës që nuk i janë paguar sigurimet, sqarojnë Tatimet.

 

Shteti, borxhliu i madh

Në pranverë të vitit të kaluar, ish-kryebashkiaku i Kukësit, Hasan Halli, u shpall në kërkim nga organet e drejtësisë pasi u zbulua se fondet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të bashkisë i kishte përdorur për financimin e klubit të futbollit të Kukësit.

Abuzimi me fondet e sigurimeve që u zbulua rastësisht nga një pastruese, zbuloi një masakër që kryebashkiaku kishte bërë edhe me ish-punonjësit e tjerë. Por rasti i zotit Halili nuk është i vetmi. Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve klasifikoi së fundmi 13 bashki të vendit, si borxhlinj të këqij ndaj të cilave do të nisë arkëtimi i detyrimeve me forcë.

Sipas të dhënave të tatimeve, 9 nga bashkitë janë kualifikuar si borxhlinj të këqij pas hyrjes në fuqi të reformës territoriale dhe 4 janë qysh para reformës.
Detyrimet e bashkive ndaj Tatimeve lidhen kryesisht me mospagesat e sigurimeve shoqërore të stafit e punonjësve. Sjellja në këtë mënyrë e bashkive mund të krijojë probleme të rënda sociale në periudhat e mëvonshme duke rrezikuar pagesat e pensioneve për qindra punonjësit e sotshëm.
Mirëpo lista e tatimeve përfshin aktualisht 63 ente dhe institucione shtetërore që nuk i kanë paguar detyrimet për punonjësit.

Gjithashtu në listën e institucioneve debitorë janë 20 ndërmarrje shtetërore të ujësjellësit që nuk i kanë bërë pagesat e sigurimeve. Burimet në ISSH pohojnë se ky sektor mbart një problematikë të madhe me detyrimet dhe pagesat e tyre. Drejtoritë rajonale tashmë janë në gjyqe me shumë nga këta punonjës që me të drejtë kërkojnë pensione të plota, por kontributet e tyre nuk janë paguar.

Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të ujësjellësit në vend janë me humbje. Mungesa e aftësive për të ulur informalitetin në arkëtimin e faturave i ka bërë ato jo rentabël. Ndaj të gjendura shpesh në vështirësi financiare ato nuk shlyejnë në kohë detyrimet për sigurimet.
Debitorë të mëdhenj janë edhe drejtoritë e ALUIZNI-t, drejtoritë rajonale të rrugëve, qendrat shëndetësore, drejtoritë ekonomike të arsimit, agjencitë rajonale të mjedisit, madje edhe universitetet shtetërore.

 

Kontributet, të parat në radhë për pagesë

Nëse një biznes është në vështirësi për pagesat e detyrimeve tatimore, të parat në radhë që duhet të paguhen janë sigurimet.

Sipas ligjit për procedurat tatimore, pagesat e kontributeve të sigurimeve dhe të detyrimeve tatimore bëhen sipas kësaj radhe: a) kontributet e detyrueshme të sigurimeve shëndetësore;
b) kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëmarrësit; c) kontributet e detyrueshme suplementare të sigurimeve shoqërore; ç) kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit; d) tatimet; dh) kamatëvonesat, e) gjobat dhe në fund kostot administrative.

Edhe kur detyrimet arkëtohen me forcë pasi të kenë përfunduar seancat gjyqësore, të parat që shlyhen janë detyrimet e sigurimeve. Por në rastin e shtetit, kjo radhë nuk funksionon, pasi ndaj ndërmarrjeve të ujësjellësit, bashkive dhe agjencive rajonale nuk është marrë asnjë masë paralizuese apo bllokuese, edhe pse nuk i kanë paguar sigurimet.

Ekspertët e ISSH këshillojnë se të gjithë punonjësit e shtetit duhet të verifikojnë në mënyrë rutinë nëse institucioni i tyre është duke i derdhur në të vërtetë sigurimet që po i ndalon nga paga. Për pesë vitet e fundit, këto verifikime mund të bëhen online në portalin e e-Albania. Ata këshillojnë që, këto verifikime duhet të bëhen me patjetër nga punonjësit në prag pensioni, në mënyrë që të zgjidhin problemin e krijuar duke qenë ende në punë.

 

Pensionet, dyndje në gjykata

Pretendimet për vitet e pensionit dhe dosjet e pronave janë çështjet që kryesojnë listën për gjykim në gjykata.

Nga viti 2015 e deri më tani, janë regjistruar 1448 kërkesa në Gjykatën Administrative të Apelit nëpërmjet të cilave janë paditur Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për vitet e munguara të pensionit kryesisht. Nga këto, mbi 500 kërkesa janë dorëzuar vetëm këtë vit.

Gjykata Administrative e Apelit, në më pak se një javë ka marrë të paktën 45 dosje që mbajnë brenda tyre problematika nga më të ndryshmet të lidhura me çështjen e pensioneve. Shumica e individëve që kanë çuar dosjen në derën e gjykatës kërkojnë njohje të viteve të punës. Mes të tjerave pensionistët kërkojnë edhe shlyerjen e diferencës që u është mbajtur në mënyrë të padrejtë gjatë periudhës që kanë marrë pensionin në masën e reduktuar, si dhe aplikimin mbi këtë vlerë të interesave.

Në shumë raste, edhe pse pretendohet se pagesat janë bërë nga personat pretendues nuk janë gjetur të dhëna nga ana e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve, duke sjellë kështu një ulje të dukshme të masës së pensionit dhe seanca gjyqësore pa fund.

Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve e përllogarisin masën e pensioneve në bazë të pagesave të arkëtuara dhe jo mbi pretendimet e punonjësve nga librezat e punës. Ekspertët e ISSH-së, pohuan se personat të cilëve drejtuesit e tyre u kanë vjedhur pagesat e sigurimeve duhet t’i padisin ata penalisht.

Por kjo nuk ndodh, pasi punonjësit në entet publike ende nuk janë mësuar me faktin se sigurimet e tyre mund të mos paguhen. Përgjithësisht kjo kategori njihet me fenomenin pasi ka dalë në pension dhe nis me plotësimin e dokumenteve. Personat përgjegjës, në të shumtën e rasteve nuk punojnë më në institucione dhe drejtuesit e rinj, edhe pse janë vijimësia e shtetit, nuk i marrin përgjegjësitë.

 

Pensionet, një mal me probleme

Përveç pagesës së ulët, pensionistët shqiptarë në tre dekadat e fundit janë ndeshur shpesh me problematika që kanë të bëjnë me dokumentacionin për pagesat dhe vitet e fundit. Në fillim të viteve 1990, për ish-ndërmarrjet bujqësore ka munguar dokumentacioni dhe më pas gjatë tranzicionit dhe ngjarjeve të vitit 1997, shumë arkiva janë dëmtuar.

Për të vërtetuar vitet e tyre të punës, shumë pensionistë tani duhet të hapin procese gjyqësore që me anë të dëshmitarëve të vërtetojnë vitet dhe pozicionin e punës. Mirëpo duke qenë se pensionet false kanë qenë një fenomen i përhapur pas viteve 1990, nevoja për konsolidim në buxhetin e sigurimeve ka sjellë vështirësi të reja. Ka plot raste që një pozicion pune i caktuar është dubluar me të tjerë që kanë përfituar pensione false.

Kur vjen mosha e pensionit, personi që ka kryer punën me të vërtetë, has në vështirësi për të fituar të drejtën e pensionit. Gjykatat dhe Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve kanë forcuar kriteret për vlerësimet, kështu që shumë persona në moshë pensioni janë duke hasur vështirësi për të vërtetuar vitet e punës me dëshmitarë.

N.Sylaj, e cila ka punuar në një pozicion specifik në HEC-in e Fierzës, prej katër vitesh është në proces gjyqësor me Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve. Deri më tani me pozicionin e punës së saj kanë përfituar pension tetë veta, kur në të vërtetë kanë punuar vetëm dy persona. Raste të tilla janë më mijëra.

Por ekspertët e ISSH-së thonë se këto problematika do të zgjidhen njëherë e mirë me informatizimin e sistemit të pensioneve. Krijimi i një regjistri dixhital për dosjet e pensioneve do të zhveshë skemën nga abuzimet dhe spekulimet dhe gjithashtu do të sigurojë një transparencë më të madhe për të interesuarit. Tashmë regjistri online është plotësuar nga viti 2011 e deri më aktualisht, ndërkohë është duke u punuar për hedhjen e të dhënave edhe për vitet e mëparshme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of