Muharrem Çobo, sipërmarrës i verës “Çobo”, bën të ditur se plani i qeverisë vjen ndërsa prodhuesit vendas kishin kërkuar që diferenca të rritej më tej. Ai tregon se në prodhimin e verës konkurrenca nuk është e ndershme. “Në prodhimin vendas nuk po konkurrojmë me të njëjtën filozofi prodhimi, ndërsa disa çmime verërash kryesisht importi, edhe matematikisht janë të pamundura të jenë të tilla në kushtet normale të prodhimit”….
Nuk ka paqe për prodhuesit e verës dhe të birrës në vend. Ndërsa edhe tregtarët e cigareve, të cilët ishin paralajmëruar gati dy vite më parë se akciza do të rritej për tre vite rresht (pra edhe në 2016-n), morën lajmin e mirë se këtë vit qeveria është tërhequr nga rritja e akcizës së cigares, një barrë më e rëndë pritet të bjerë te prodhuesit vendas të birrës e verës, të cilët ndërkohë po kërkonin politika mbështetëse nga Ministria e Bujqësisë.
Në paketën fiskale që shoqëron buxhetin 2016, është parashikuar përafrimi i nivelit të akcizës, për të shkuar te një e mesme e përafërt e akcizës së verës apo birrës vendase dhe asaj të importuar nga jashtë. Duhet të saktësojmë se në draft nuk përmendet prodhim vendi apo importi, siç nuk përmendet as në ligjin e akcizës. Por, ashtu si edhe shumë vende të tjera në botë (në kushtet e tregjeve të integruara), mekanizmi që përdoret për mbrojtjen e prodhimit vendas, është akciza më e ulët deri në një kufi prodhimi dhe dukshëm më e lartë mbi këtë kufi, që u përshtatet më shumë tregtarëve importues se sa prodhuesve të vegjël. Konkretisht akciza për verën sot është 40 lekë për litër deri në 100 mijë litra, dhe 120 lekë për litër mbi 100 mijë litra të tregtuara. Në këtë mënyrë, prodhuesit e vegjël vendas janë ndier disi të mbrojtur, por nuk kanë arritur të fuqizohen deri në atë pikë sa të mund të konkurrojnë hapur me prodhues të mëdhenj europianë, kryesisht spanjollë apo italianë.
Muharrem Çobo, sipërmarrës i verës “Çobo”, bën të ditur se plani i qeverisë vjen ndërsa prodhuesit vendas kishin kërkuar që diferenca të rritej më tej. Ai tregon se në prodhimin e verës konkurrenca nuk është e ndershme. “Në prodhimin vendas nuk po konkurrojmë me të njëjtën filozofi prodhimi, ndërsa disa çmime verërash kryesisht importi, edhe matematikisht janë të pamundura të jenë të tilla në kushtet normale të prodhimit”.
Ai vëren se me këtë hap do të krijohet një hendek i madh mes të ardhurave që siguron buxheti dhe të ardhurave të munguara në fshatrat me vreshta e kantina vere. Për shkak të prodhimit të ulët, të ardhurat në buxhet janë tërësisht të parëndësishme, ndërsa z. Çobo vëren se vetëm për rrushin e vjelë nga vreshtat në Berat, ka paguar të paktën 15 familje. Vendi për të cilin po flitet se është parajsa e fundit në Europë, duhet t’i presë turistët me një verë të mirë të zonës. Dhe z. Çobo thotë se turizmi dhe vizitat në kantinë kanë qenë zhvillimi më i mirë këtyre kohëve. E kundërta ndodh me konsumin nëpër restorante. Disa prodhues vere në fakt konfirmojnë se, restorantet janë në një krizë totale konsumi, ku shërbehet më pak verë, ose nga një verë më e mirë më parë është kaluar te vera e hapur.
Zyrtarë të financave vlerësohet t’i kenë qetësuar prodhuesit e interesuar se nuk do të ketë rritje të akcizës, por dyshimet e prodhuesve vijojnë të mbeten të forta, pasi tremben se objektivi i këtyre ndryshimeve është favorizimi i importuesve specifikë.
Sipas vlerësimeve paraprake, nga ky hap buxheti nuk do të përfitojë, madje parashikon të ketë rreth 55 milionë lekë më pak të ardhura nga akciza e verës dhe birrës. Kjo vlerë pritet të shoqërohet në rastin më të mirë me ulje të çmimeve të prodhimeve të importit, por nuk përjashtohet rreziku që fitimi të kanalizohet tek importuesit.
Aktualisht në tregun tonë, rreth 70% e verës vjen nga importi. Rritja e akcizës për kantinat vendase mund të shndërrohet në një dhuratë të hidhur për konsumatorët vendas, të cilët rrezikojnë të përballen me çmime më të larta të verës “made in Albania”. Kjo është një pengesë që vjen në vend të lehtësive të kërkuara. Sipërmarrësit e kantinave theksojnë se në paketën për bujqësinë u bënë disa rekomandime që do ta mbështetin prodhimin vendas të verës (si p.sh. servirja e verës shqiptare në pritjet shtetërore, apo rritja e marzhit të inventarit, humbjeve nga 2 në 5% të prodhimit). Por, asnjë nga kërkesat nuk është marrë parasysh sipas tyre.
Parashikimi paraprak në paketën fiskale 2016, akciza e verës
Rritet 73% për prodhimin vendas
Ulet 47% për importin
Njehsimi në 5200 lekë/hektolitër
Kundër edhe prodhuesit e birrës
Ndonëse me sasi më të mëdha prodhimi krahasuar me verën, prodhuesit e birrës sërish ndihen të dobët përballë birrave gjithnjë e më “agresive” nga importi. Sipas prodhuesve, rritja e parashikuar me 11% e akcizës për birrën do t’i penalizonte rëndë ata. Luan Bregasi, Presidenti i BiznesAlbania-s, njëkohësisht një prej aksionerëve kryesorë të Birra Tirana, vëren se “qeveria po bën përpjekje për të afruar akcizën mes produkteve të importit dhe prodhimit vendas, por mendojmë se është ende herët pasi biznesi vendas është ende në fillimet e veta, pavarësisht stadeve që ka arritur”. Sipas tij, sipërmarrja vendase ka nevojë të investojë më shumë në përmirësimin e cilësisë së produkteve në fushën e marketingut dhe tendenca për t’i përafruar do t’i penalizonte ato. Bregasi bëri të ditur javës së kaluar se shoqatat e biznesit janë ende në negociata me qeverinë, ndërsa nga ana e kësaj të fundit, propozimi është që të rritet akciza e prodhimit vendas 11% dhe të ulet ajo e prodhimit të importit 14%,
Diferenca aktuale prej gati dy herësh e taksave për birrën e importit dhe atë të vendit ishte vendosur për të mbrojtur prodhimin vendas ndaj emrave ndërkombëtarë të pijeve alkoolike. Por, një ngushtim i theksuar i kësaj diference e ekspozon më tej prodhimin vendas përballë konkurrencës së ashpër që vjen nga jashtë.
Propozimi i akcizës për birrën vendase
Ishte 360 lekë/hektolitër
Bëhet 400 lekë/hektolitër
Propozimi i akcizës për birrën e importit
Ishte 710 lekë/hektolitër
Bëhet 600 lekë/hektolitër
Të pafuqishëm për të eksportuar
Mjafton të shikoni grafikët e mëposhtëm të tregtisë së jashtme të verës dhe birrës, për të kuptuar dobësinë e fortë të prodhimit vendas. Pavarësisht përpjekjeve, prodhuesit nuk kanë arritur të çajnë tregun e huaj, as atë fqinj, ndërsa importet e birrës dhe verës janë disa herë më të larta se eksportet. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në nëntëmujorin e këtij viti, eksporti i birrës ishte 4.45 mijë hektolitra nga 4.2 mijë hektolitra të eksportuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, importi i birrës edhe pse ka shënuar një ulje të lehtë këtë vit, është disa dhjetëra herë më i lartë se birra e eksportuar.
Deficiti tregtar është edhe më i theksuar tek vera, ku për periudhën janar-shtator të këtij viti u eksportuan vetëm 73 hektolitra verë. E ndërsa eksportet kanë prirje të theksuar në rënie, importi i verës, shumë herë më i lartë, rezulton në rritje. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë këtë nëntëmujor u importuan 24 mijë hektolitra verë nga 17 mijë të importuara në nëntëmujorin e 2014-s.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.