Prof. Dr. Fatmir Memaj
Koncepti i ekonomisë qarkulluese ka bërë një kalim gradual nga kornizat teorike në botën e biznesit. Ky model ekonomik alternativ po shikohet si një zgjidhje e shumë sfidave, duke nisur që nga kushtëzimi i burimeve, rritja e konkurrencës apo paqëndrueshmërisë së tregjeve.
Me gjithë “nxitimin” për të kaluar në një model të tillë, përsëri kuptimi i konceptit mbetet i vakët. Në 35 intervista të realizuara me përfaqësues të shoqatave të biznesit / Dhomave të Tregtisë në Shqipëri, 80% e tyre nuk kishin një njohje të saktë të konceptit. Pjesa tjetër, e përkëmbenin termin e ekonomisë qarkulluese me riciklimin, një tjetër orientim i gabuar.
Modeli i ekonomisë qarkulluese
Ekonomia qarkulluese i ka fillesat e saj shkencore në vitin 1990 ku Pearce dhe Turner kanë dhënë përkufizimin e parë. Ky model mori një vëmendje graduale në rritje dhe kjo u reflektua në tërësinë e studimeve të realizuara. Sauvé et al. (2016) sugjerojnë që “ekonomia qarkulluese i referohet prodhimit dhe konsumit të mallrave përmes mbylljes së ciklit të flukseve të materialeve, duke minimizuar kështu ndikimet negative në mjedisin e jashtëm”.
Fondacioni “Ellen MacArthur” e ka përkufizuar ekonominë qarkulluese si “një sistem industrial i cili është rigjenerues” dhe ky rezulton të jetë një nga përkufizimet më të cituara në fushën akademike. Ai zëvendëson konceptin “fundi i jetës” me restaurimin, zhvendosjet drejt përdorimit të energjisë së rinovueshme, eliminimin e përdorimit të kimikateve toksike, të cilat dëmtojnë ripërdorimin, dhe synon eliminimin e mbeturinave përmes projektimit të materialeve, produkteve, sistemeve dhe modeleve të biznesit”.
Komisioni Europian (2015) e përcakton ekonominë qarkulluese si një ekonomi “ku vlera e produkteve, materialeve dhe burimeve mbahet në ekonomi për sa më shumë kohë të jetë e mundur dhe gjenerimi i humbjeve minimizohet”. Ekonomia qarkulluese funksionon mbi bazën e tri parimeve kryesore: Ruajtja dhe forcimi i kapitalit natyror; Optimizimi i produktivitetit të burimeve; Rritja e efektivitetit të sistemit. Këto tre parime mund të përkthehen në gjashtë aksione që ndërmerren nga bizneset: Rigjenero, Ndaj, Optimizo, Riciklo, Virtualizo dhe Shkëmbe. Këto përbëjnë, së bashku, atë që quhet korniza ReSOLVE.
Parimet
Ekonomia qarkulluese funksionon mbi bazën e tri parimeve kryesore: Ruajtja dhe forcimi i kapitalit natyror; Optimizimi i produktivitetit të burimeve; Rritja e efektivitetit të sistemit. Këto tre parime mund të përkthehen në gjashtë aksione që ndërmerren nga bizneset: Rigjenero, Ndaj, Optimizo, Riciklo, Virtualizo dhe Shkëmbe.
Transformimi
Ekonomia qarkulluese, si një model i ri ekonomik, konsiderohet tashmë një nevojë për shumë arsye. Në terma globalë, shifrat sinjalizojnë një situatë tejet shqetësuese. Sipas fondacionit Ellen MacArthur, vetëm në sektorin e mallrave të konsumit, rreth 80% e vlerës humbet në terma vjetorë. Për këtë arsye, modeli linear i të bërit biznes (mer-prodho-hidh) nuk është më i përshtatshëm. Megjithatë, zbatimi i ekonomisë qarkulluese kërkon ndryshime rrënjësore teknologjike, ose një model totalisht të ri biznesi. Transformime të tilla kërkojnë një njohje të thellë të modeleve qarkulluese të biznesit. Kjo, në të njëjtën kohë, kërkon që kompanitë, të cilat janë në përpjekje për të kaluar nga ekonomia lineare në atë qarkulluese, të përfshihen më tepër në procesin e ndërtimit të modeleve të biznesit.
Përpjekjet sporadike në Shqipëri
Ekonomia qarkulluese, tashmë një trend i kohëve moderne, ka faza të ndryshme zhvillimi në vende të ndryshme. Në Shqipëri, përpjekje sporadike teorike duket se kanë nisur. Megjithatë, zbatimi i tyre mbetet për t’u parë. Lëvizjet pozitive dukshëm kanë ardhur si pasojë e presionit të jashtëm, duke konsideruar aspiratën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE.
Çështja e administrimit të mbetjeve teorikisht ka qenë një pikë e rëndësishme e axhendës së qeverisë, por rrallë janë ndërmarrë hapa konkretë. Qeveria shqiptare, për herë të parë, hartoi një “Strategji Kombëtare të Menaxhimit të Mbetjeve” në vitin 2010. Së fundmi, qeveria ka draftuar “Strategjinë kombëtare për menaxhimin e integruar të mbetjeve 2018-2033”, por ende i pamiratuar. Dokumenti është hartuar duke marrë parasysh zhvillimet infrastrukturore që kanë ndodhur në këtë sektor gjatë viteve të fundit. Përveç kontekstit lokal, draft-strategjia u është referuar vendeve të tjera që kanë kaluar të njëjtën rrugë për t’u bërë anëtare të BE-së. Si përfundim, vlen të theksohet se strategjia nënvizon rëndësinë e administrimit të mbetjeve sipas parimit të ekonomisë qarkulluese, në mënyrë që të ketë një mbrojtje të plotë të burimeve natyrore dhe të përmirësojë efikasitetin e përdorimit të produkteve.
Strategjia paraqet objektiva ambiciozë që Shqipëria është zotuar të arrijë brenda afatit të saj. Në terma specifikë, “Shqipëria premton që në 15 vitet e ardhshme të arrijë 60% rikuperim dhe 50% riciklim të mbeturinave të paketimit, të zvogëlojë mbetjet bio me 70%, rikuperimin dhe riciklimin jo më pak se 70% të të gjitha llojeve të tjera të mbeturinave komunale që çojnë drejt mbrojtjes më të mirë të tokës, ujit dhe ajrit”.
Shqipëria ka hartuar një kornizë të mirë ligjore në përputhje me standardet e BE-së. Me gjithë zhvillimet e bëra, përsëri mbeten në kuadër të premtimeve teorike.
Histori suksesi nga bizneset
Pavarësisht përpjekjeve teorike të qeverisë, komuniteti i biznesit, tashmë ka bërë përpjekje të konkretizuara suksesi. Intensiteti i konkurrencës lokale dhe rajonale dhe përpjekjet për t’u ndërkombëtarizuar, kanë “detyruar” biznesin të orientohet drejt ekonomisë qarkulluese. Si më poshtë, jepet një përshkrim i shkurtër i tre rasteve të suksesit në Shqipëri.
Rasti 1: I.N.C.A. Nordfish u themelua në vitin 2004 në qytetin e Lezhës. Nordfish është e vetmja kompani në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit që prodhon dhe shet zorrë të përpunuara dhe produkte me origjinë shtazore nën markën tregtare “INCA: Natural Casings”. Kjo kompani furnizon kompanitë më të mëdha shqiptare të mishit. Për më tepër, eksporton në vendet e Ballkanit dhe më gjerë. Një sasi e konsiderueshme e fitimit të kompanisë riinvestohet rregullisht në blerjen e pajisjeve moderne. Si pasojë, nga viti në vit, vëllimi i produkteve të saj po rritet. Kompania operon me kapacitet të plotë me numrin e të punësuarve 110, me planin e zgjerimit për të dyfishuar kapacitetin aktual.
Për shkak të natyrës shumë delikate të zorrëve të kafshëve (p.sh. nganjëherë atyre u mungon madhësia e duhur sipas standardeve të klientëve të huaj, nganjëherë ato kanë vrima që i bën ato të mos jenë të dobishme për procesin e prodhimit), kompania ishte e detyruar t’i “hidhte”. Kjo shkaktonte dëm ekonomik. Në këto rrethana, pronari vendosi të udhëtojnë në Europë dhe të shohë se si menaxhohen këto shqetësime nga bizneset e tjera që operojnë në të njëjtën industri. Ata u njohën me praktikat më të mira në Europë, por duheshin investime të reja teknologjike për të sjellë këtë ide biznesi në Shqipëri. Kompania nisi transformimin dhe krijimin e një modeli të ri biznesi. Me ndryshimet e bëra në biznes, tashmë kompania përdorte 80% të humbjeve për të prodhuar një tjetër produkt final: Ushqim për kafshët. Këto produkte finale, kompania i eksporton në Belgjikë.
Rasti 2: Albkalusyan është themeluar në vitin 1991 dhe është kompani lider në sektorin e bimëve mjekësore. Në vitin 2014, kompania u bashkua me kompaninë lider amerikane, Kalustyan, dhe ndryshoi emrin nga Xherdo në Albkalusyan. Kompania grumbullon dhe eksporton më shumë se 26 lloje bimësh mjekësore dhe esenca vajore. Aktiviteti themelor i biznesit të saj është grumbullimi dhe eksporti i bimëve mjekësore, me rreth 2.500 tonë/vit.
Gjatë procesit të prodhimit, kompania u përball me një sasi të madhe humbje në formën e kërcejve, etj.
Më konkretisht, të gjitha bimët mjekësore dhe aromatike të mbledhura kalojnë nëpër një proces pastrimi dhe pas disa hapash, vetëm 1,500 tonë/vit i plotësojnë standardet e cilësisë për eksport. Pjesa e mbetur, përdoret për të prodhuar esenca. Nga përdorimi i këtyre mbetjeve prej 1,000 tonë/vit nga bimët mjekësore, kompania është në gjendje të prodhojë 30 tonë esenca. Ndërsa bëhet procesi i pastrimit të bimëve, kompania përballet me mbeturina (bimë dhe kërcell). Përveç kësaj, gjatë prodhimit të 30 tonë esenca, firma ka rreth 6-7 tonë mbeturina. Për të shmangur këtë sasi të madhe humbje, kompania vendosi që të investonte në teknologji. Ajo projektoi dhe ndërtoi një kaldajë, e cila i shndërron këto mbetje në avull që plotëson nevojat e fabrikës. Në këtë proces përdoren rreth 50% e humbjeve.
Rasti 3: Projekti i titulluar “Sapun Organik i Roskovecit”, filloi në vitin 2018 dhe vazhdon të zbatohet. Ky projekt përdor mbetjet e vajit të ullirit nga fabrikat lokale të prodhimit ose nga ai vaj ulliri që nuk është për konsum, por mund të ripërdoret për të prodhuar sapun. Kjo punishte ka punësuar tashmë 25 gra që jetojnë në Roskovec. Këto punonjëse, përveç përdorimit të mbetjeve të vajit të ullirit, paketojnë të gjithë sapunët organikë, në një mënyrë shumë efektive. Ato përdorin një përzierje letre të ricikluar duke i dhënë kështu sapunit një pamje artizanale. Aktualisht, qendra është në gjendje të prodhojë një ton në muaj. Sidoqoftë, aftësia e prodhimit varet nga kërkesa e tregut. Ky është vetëm fillimi i projektit dhe duhet të sigurohet qëndrueshmëria e këtij modeli biznesi.
Pavarësisht rasteve të thjeshtuara të prezantuara më lart, përsëri vlen të përmenden këto raste pozitive. Megjithatë, kjo zhvendosje graduale nga ekonomia lineare në atë qarkulluese përballet me sfida të shumta. Së pari, rastet e përshkruara janë kryesisht si rezultat i mbështetjes nga aktorë të jashtëm (partnerë biznesi në Europë ose Amerikë). Pavarësisht theksimit të rasteve të tilla sporadike, përsëri mungesa e organizimit të kompanive të ndryshme në sektorë të ndryshëm, e bën të vështirë garantimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë qarkulluese në vend. Së dyti, orientimi drejt një ekonomie qarkulluese kërkon ndërhyrje në teknologji, ose një model biznesi totalisht të ri.
Kjo do të duhet të paraprihet me investime të mëdha teknologjike, e cila sjell implikime të tjera financiare për kompanitë. Mungesa e kapaciteteve financiare pengon kompanitë që të kenë një orientim drejt ekonomisë qarkulluese. Për të tejkaluar një pengesë të tillë, qeveria mund të krijojë instrumente financiare për të mbështetur bizneset në sektorë të caktuar.
Ky artikull është punuar në kuadër të projektit “Challenges and Promotion of circular economy as a modern and future economy” me asistencë financiare të EU. Përmbajtja dhe mendimet e dhëna në këtë artikull janë përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë rast nuk reflektojnë pozicionin e BE-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.