Drejt shërbimeve

19/03/2012 10:19 AM 0 komente

Shoqëritë e Teknologjisë së Informacionit po përpiqen të fitojnë më shumë ekspertizë. Ndonëse volumin më të madh të tregut vazhdojnë ta zënë pajisjet, tregu po orientohet më shumë drejt shërbimeve. Xhirot e shoqërive kryesore; Si ndahet ky treg për vitin 2008
Nga Ersuin Shehu

Tregu i Teknologjisë së Informacionit vazhdon të rritet, por mbetet ndër më të vegjlit në rajon. Ajo që është për t’u theksuar është zhvillimi dhe specializimi. Shoqëritë më të rëndësishme të tregut nuk mjaftohen më me vetëm rolin e shpërndarësit apo shitësit të kompjuterave dhe pajisjeve të tjera: tani shoqëritë e IT po shkojnë drejt ofrimit të zgjidhjeve. Shoqëritë po përpiqen t’i japin një vlerë të shtuar produktit të tyre: ekspertizën. Nëse një biznes kërkon të blejë kompjutera, një shoqëri bashkëkohore e IT nuk bën thjesht shitjen, por i këshillon bizneset cila është zgjidhja më e përshtatshme për përmasat dhe profilin e aktivitetit të kompanisë. Nëse një shoqëri merr përsipër të ndërtojë një rrjet komunikimi, zakonisht puna nuk përfundon vetëm me ndërtimin e rrjetit: shoqëria duhet të ofrojë edhe mirëmbajtjen dhe mbi të gjitha sigurinë për ruajtjen e informacionit. Rruga që po merr tregu, dëshmon se konsumatorët shqiptarë po zhvillojnë nivelin e tyre të njohjes dhe përdorimit të shërbimeve të IT. Fakti është që tregu shqiptar ka një potencial rritjeje shumë të madh në këtë drejtim, po të llogarisim se tregu i IT është ndër më të vegjlit në rajon dhe pjesën më të madhe të tij e zënë pajisjet (hardware).
Sipas një kërkimi tregu të kryer nga shoqëria e specializuar në kërkimet e tregut IDC për vitin 2007, pjesën dërrmuese të volumit të tregut të IT e zënë pajisjet (hardware), ndërkohë që shërbimet, përfshi internetin, dhe programet (software) zënë vetëm 20%. Gjithnjë sipas të dhënave të IDC, tregu shqiptar është ndër më të vegjlit në rajon. Vlerësohet se në Shqipëri shiten 9 kompjutera për 100 banorë, norma më e ulët në Ballkan. Shpenzimet për kompjutera për frymë në Shqipëri vlerësohen nga IDC në 7 USD në vit, nga 36 USD që është mesatarja e rajonit dhe 113 USD që shpenzohen në vendin më të përparuar, në Slloveni.

Tregu, rritje 15%

Duke u bazuar në deklarimet tatimore të subjekteve më të mëdha dhe në disa vlerësime tregu të shoqërive të mëdha, vlerësohet se për vitin 2008 tregu i IT ka pasur një vlerë në rreth 6.5 miliard lekë, me një rritje prej 15% në krahasim me vitin 2007.
Infosoft Systems vazhdon të zërë pjesën më të madhe në treg, me një xhiro vjetore prej afro 2.6 miliard lekësh, me një rritje prej 3.3% krahasuar me vitin 2007. Në shtator të vitit të kaluar, Infosoft Systems bëri një ndarje brenda grupit, duke e ndarë më vete kompaninë e shpërndarjes, IT Distribution. Për vitin 2008, Infosoft Systems zotëronte më shumë se 40% të tregut të IT në Shqipëri.
Ajo që bie në sy nga xhirot e viteve të fundit është rritja e xhiros së shoqërive të huaja, si CT Computers, S & T, apo Horizon. Nga ana tjetër, shumica e shoqërive shqiptare kanë një rënie të të ardhurave, me përjashtim të Infosoft apo shoqërisë Sinteza. Veç ekspertizës, shoqëritë e huaja kanë arritur të jenë të suksesshme falë marrëdhënieve me bizneset e huaja që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri, por edhe falë suksesit në disa tendera publikë.

Infosoft, kthesë te shërbimet

Evolucioni i Infosoft Systems përfaqëson më së miri zhvillimin e biznesit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK). Nga një shoqëri që fillimisht shiste kompjuterë dhe pajisje të tjera, sot Infosoft Systems është një shoqëri e mirëfilltë shërbimesh dhe zgjidhjes së TIK. Që nga shtatori i vitit të kaluar, tregtimi dhe shpërndarja e pajisjeve janë transferuar te një shoqëri e krijuar enkas, ITD (IT Distribution). Drejtori i divizionit të shërbimeve për biznesin, z.Armand Sharra, thotë se Infosoft tashmë është një shoqëri e përqendruar te shërbimet e integruara të TIK. Objektivi i Infosoft është ofrimi i shërbimeve për subjektet e përmasave të mëdha, ku përfshihen korporatat e rëndësishme, bizneset e telekomunikacionit, banka dhe institucionet qendrore të administratës shtetërore. Shërbimi i Infosoft përfshin gjithë spektrin e produkteve dhe shërbimeve për realizimin e një sistemi funksional, duke filluar që nga pajisjet, programet, rrjetet dhe deri te mënyrat për ta menaxhuar sa më mirë sistemin dhe për të garantuar sigurinë maksimale të mundshme.
Nëse për vitin 2008 shërbimet zinin rreth 5% të të ardhurave të Infosoft Systems, për vitin 2009 synimi është që ato të zënë të paktën 13% të tyre, objektiv që në fakt është realizuar qysh në tremujorin e parë të vitit 2009. Z.Sharra thotë se Infosoft Systems ka një personel prej 106 punonjësish, nga të cilët mbi 50 janë personel tekniko – inxhinierik i IT, numër që, sipas tij, është disa herë më i madh se stafi total i shumicës së shoqërive të tjera. Duke qenë se në këtë lloj biznesi, “produkti” thelbësor është ekspertiza, një nga elementet thelbësorë të punës së Infosoft Systems në vite ka qenë investimi në burime njerëzore. Specialistët e IT trajnohen dhe çertifikohen gjatë gjithë vitit për të qenë gjithnjë në kontakt me zhvillimet në specialitetin e tyre. Sipas z.Sharra, Infosoft është ndoshta e vetmja shoqëri që ofron shërbim universal në fushën e zgjidhjeve të TIK.
“Në treg ka konkurrencë, po ta shohësh atë të fragmentuar. Ka shoqëri që janë të specializuara në zhvillimin dhe tregtimin e programeve, ka shoqëri që merren me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve, por ne jemi të vetmit që mund të ofrojmë shërbim të plotë, në të gjithë elementet e një sistemi TIK,” thotë z.Sharra.
Një nga arsyet pse tregu i shërbimeve të TIK, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, është i ulët, lidhet me njohjen e paktë dhe moskuptimin e rëndësisë së këtyre shërbimeve nga klasa drejtuese e bizneseve dhe e institucioneve në Shqipëri.
CT Computers, këtë vit me rrjet pakice

CT Computers është distributori i parë në tregun shqiptar, që do të ndërtojë një rrjet të shitjes me pakicë. Sipas drejtorit të përgjithshëm, z.Leon Nimani, dyqanet e pakicës do të kenë logon e CT Compters, por do të jenë në pronësi të rishitësve dhe jo të distributorit.
“Gjatë këtij viti ne po mendojmë për të ngritur një rrjet shitjeje me pakicë. Dyqanet do të jenë të pavarura dhe në pronësi të rishitësve, por do të jenë pjesë e rrjetit CT Computers. Çmimet e shitjes me pakicë do t’i përcaktojmë ne dhe të gjitha produket që do të shiten në rrjetin tonë të pakicës do të mbulohen me garanci nga ne,” thotë z.Nimani.
Sipas tij, një nga problemet e tregut shqiptar është mospërcaktimi i saktë i rolit të distributorit të pajisjeve kompjuterike. Shumë shoqëri importojnë pajisje me cilësi të dobët dhe kur ndodhin probleme, rishitësi nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet e garancisë.
“Ky është ndryshimi mes një distributori serioz dhe një distributori që nuk është i tillë. Shpeshherë rishitësit dalin nga situata duke ia hedhur fajin dëmtimeve nga energjia apo nga përdorimi i gabuar. Çështja shtrohet që në radhë të parë rishitësit të jenë të ndërgjegjësuar që vetëm duke punuar me distributor seriozë mund t’iu përgjigjen detyrimeve që kanë ndaj klientëve dhe mund të ruajnë marrëdhënien me blerësit,” shprehet ai.
Grupi ComTrade gjatë viteve të fundit ka zhvilluar me ritme të shpejta edhe biznesin e programeve kompjuterike. Së fundmi, grupi ka blerë shoqërinë sllovene të programeve dhe zgjidhjeve informatike Hermes Club. Kjo është një shoqëri me rreth 1300 ekspertë të ‘software’ dhe programues.
“Në vitin 2010, do të ndërtojmë edhe këtu në Shqipëri një strukturë që do të merret me zhvillimin dhe tregtimin e ‘software’-ve. Ky treg është në zhvillim të shpejtë dhe ndaj besojmë që prania në të do të jetë e rëndësishme për biznesin tonë. Sot bizneset po zgjerohen dhe ndiejnë gjithnjë e më shumë nevojën për zgjidhjen e problemeve me anë të teknologjive. Ky treg do të ketë një rritje të madhe në të ardhmen, ndonëse sot zë vetëm një pjesë të vogël të tregut të IT-së. Ky zhvillim do të tërheqë edhe rritjen e tregut të pajisjeve, sepse përdorimi i ‘software’-ve është natyrshëm i lidhur me atë të ‘hardware’-ve,” thotë z.Nimani.
Sipas këndvështrimit të CT, në shpërndarjen e ‘hardware’-ve, dy janë distributorët më të mëdhenj, CT dhe ITD (ish-Infosoft).
“Ka rishitës që janë ekskluzivë, ka të tjerë që punojnë edhe me ne, edhe me ata. Tregu është ndarë sipas një profili të caktuar: ne jemi përpjekur të punojmë me produktet e markave të njohura dhe me produkte që kanë çmime pak më të larta. ITD punon me një shumëllojshmëri produktesh, që jo gjithnjë u takojnë markave më të njohura, por që kanë edhe një çmim më të lirë. Gjatë muajve të ardhshëm ne do të punojmë shumë me marketingun mes rishitësve,” thotë z.Nimani.
Ai thotë se gjatë tre viteve ata kanë punuar më shumë për të ndërtuar infrastrukturën dhe për të edukuar rishitësit për të punuar në kanale të besueshme. Z.Nimani beson se viti 2010 do të shënojë një hov të vërtetë të tregut dhe vlerëson si pozitive për zhvillimin e tregut kanë qenë investimet e rëndësishme publike që janë bërë në Teknologjinë e Informacionit.
“Presim një zhvillim shumë të madh të tregut gjatë viteve të ardhshme, por gjithmonë theksoj se ky treg është i varur prej zhvillimit social dhe infrastrukturës në tërësi. Sa më shumë të shkojnë drejt zgjidhjes problemet jetike, si uji dhe dritat, aq më shumë njerëzit do të kenë mundësi të shpenzojnë për teknologjitë e informacionit,” shprehet ai.
CT Computers për vitin 2008 deklaroi një xhiro 316.7 milion lekësh, me një rritje të lehtë prej 0.6% krahasuar me vitin 2007.
CCS: Tregun do ta ngrejnë sistemet kombëtare

Kompania Computer Copy Systems (CCS) është themeluar në vitin 1993, dhe aktiviteti kryesor fillimisht ishte tregtimi i fotokopjeve. Themeluesi i kompanisë është z.Genc Likskëndaj, ish-pedagog informatike në atë kohë.
“Në fund të fundit, në atë periudhë tregu këtë kërkonte. Kontratën e parë me Xerox e kemi firmosur në janar të 1995,” thotë ai.
Në rreth 16 vjet aktivitet, gjërat kanë ndryshuar dhe CCS është rritur ndjeshëm, ashtu si edhe tregu i IT në përgjithësi. Sipas z.Likskëndaj, sot CCS Group është partner me shumë shoqëri të rëndësishme të sektorit të IT, që nga Microsoft, Xerox, APS, IBM etj. CCS Group përbëhet nga disa shoqëri kryesore, ku më të rëndësishmet janë CCS Systems, shoqëri e përqendruar kryesisht tek tregtimi i pajisjeve (hardware) dhe shoqëria CCS Solutions, që është e profilizuar në zgjidhjet e IT për klientët korporativë, zakonisht në sektorin financiar, por edhe në kompani të tjera të mëdha dhe në institucione. Pjesë e aktivitetit të grupit janë edhe bizneset e sigurisë në transmetimin e të dhënave, të kodimit të të dhënave, firmës dixhitale etj.
Sot CCS Group është një ndër kompanitë më me eksperiencë në Shqipëri dhe është partner zyrtar i Cisco, Gold Partner i Microsoft, partneri i parë në Shqipëri i Oracle etj.
“Ne kemi një specifikë në krahasim me kompanitë e tjera: jemi të specializuar. Nuk jemi kompani që realizon volume të mëdha apo kryen importe në vlerë të madhe nga jashtë. Ne punojmë me një grup partnerësh dhe shesim produkte të besueshme dhe të certifikuara të këtyre partnerëve. Për shembull, ne tregtojmë kompjutera të prodhuar enkas për nevojat e bizneseve, sipas kategorive dhe përmasave të ndryshme dhe kryesisht për korporatat. Ne kemi ndjekur rrugën tonë, pa kopjuar konkurrentët. Rruga jonë ka qenë pikërisht profilizimi për të punuar për një kategori të caktuar klientësh. Nuk kemi synuar të kapim tregun masiv, por tregun e biznesit. Ky është një treg më i vogël, kërkon specializim më të madh dhe konkurrenca nuk mungon. Ne besojmë se jemi shumë kompetentë, në mos më të mirët, në produktet e markave si HP, Cisco apo Oracle,” thotë z.Likskëndaj.
Sipas tij, tregu i IT në vitet e fundit ka pësuar një evolucion në konceptin e saj. Deri në fillim të viteve 2000 informacioni ishte në funksion të teknologjisë: sot teknologjia është në funksion të informacionit që duhet të përcillet.
Kjo ka bërë që të ndodhin shumë shkrirje të shoqërive të sektorëve të ndryshëm të IT. Shoqëritë e ‘hardware’ janë zgjeruar edhe në drejtim të ‘software’ dhe zgjidhjeve, ndërkohë që në IT kanë hyrë edhe kompani të sektorëve të tjerë ekonomikë, si ai bankar, financiar apo edhe mediatik. Z.Likskëndaj thotë se një drejtim tjetër i zhvillimit të tregut është se nga informacioni numerik (dixhital) sot tregu po orientohet gjithnjë e më shumë nga videot.
“Ky është një dallim shumë i madh dhe përbën një zhvillim të konsiderueshëm teknologjik. Shpejtësitë e transmetimit të të dhënave sot janë shumë më të larta. Nga momenti që ndryshon shpejtësia, ndryshojnë edhe pajisjet për transmetimin e të dhënave, “ thotë ai.
Ai mendon se sfida më e madhe për Shqipërinë nuk është konsumi, por sistemet kombëtare dhe investimet që qeveria duhet të bëjë për to. Shqipërisë i mungojnë shumë sisteme bashkëkohore, duke filluar nga lidhja mes institucionet e ndryshme, sistemi i gjendjes civile, informacioni për bregdetin etj. Sipas z.Likskëndaj, ndërtimi i të gjithë këtyre sistemeve do të ishte një potencial shumë i madh rritjeje për tregun.
Gjithnjë në raport me rolin e institucioneve, ai mendon se qeveria duhet të ndjekë politika që mbështesin më shumë biznesin vendas.
“Bizneset shqiptare investojnë në Shqipëri, krijojnë punësim dhe ajo që fitojnë ngelet përsëri në Shqipëri. Në vendet e rajonit, produktet e IT-së kanë një trajtim të privilegjuar fiskal për rëndësinë që kanë në zhvillimin e një vendi. Në Maqedoni, shteti u jep studentëve kuponë me vlerë 400 euro për të blerë kompjutera brenda vendit. Sa më shumë kompjutera dhe teknologji të tjera të përdoren, aq më shumë njerëz të arsimuar do të ketë, aq më shumë produktivitet dhe investime do të ketë, aq më pak do të ketë rrjedhje truri jashtë vendit. Vendi ynë ka më shumë rrjedhje truri në krahasim me vendet e rajonit. Sfida në biznesin tonë janë burimet njerëzore. Ne kemi një sistem të dobët arsimor, kemi shkolla që prodhojnë diploma pa asnjë vlerë, sidomos në arsimin privat. Këto shkolla bëjnë konkurrencë të pandershme dhe hedhin të paaftë në tregun e punës,” thotë z.Likskëndaj.
CCS Group për vitin 2008 deklaroi një xhiro prej 284 milion lekësh, me një rënie prej 42% krahasuar me vitin 2007.

Sinteza, biznes në rritje

E themeluar që në vitin 1994, Sinteza është një biznes që ka qenë në rritje gjatë viteve të fundit, rritje që ka vazhduar edhe në tremujorin e parë të vitit 2009. Sipas drejtorit të përgjithshëm, z.Shkëlqim Dino, ky rezultat është arritur duke e studiuar më së miri tregun dhe duke parë kërkesat e tij. Sinteza Co është një shoqëri e përqendruar në shpërndarjen e pajisjeve (hardware), kryesisht në sektorin e kompjuterave, të baterive për kompjutera (UPS), printerave dhe fotokopjeve. Sinteza është distributor i autorizuar i shoqërive të rëndësishme të prodhimit të pajisjeve elektronike, si Dell, Microsoft, Konica Minolta, APC etj.
“Kemi qenë të shpejtë për t’u përshtatur dhe kemi treguar seriozitet sidomos në lidhje me shërbimet për klientët. Në treg nuk është e rëndësishme vetëm të dish të shesësh, por edhe të krijosh një marrëdhënie korrekte me klientët në momentet kur ata kanë nevojë. Ne jemi të organizuar shumë mirë me shërbimin për pajisjet që shesim dhe besojmë që ky ka qenë një faktor kyç që na ka ndihmuar shumë të rritemi në treg. Kompania ofron edhe shërbim mirëmbajtje, që parashikohet që në kontratën e shitjes së nënshkruar mes kompanisë dhe klientit. Rishitësit dhe klientët kanë gjetur te një servis ideal për pajisjet e shpërndara nga ne,” thotë z.Dino.
Sipas tij, tregu i pajisjeve të IT në Shqipëri është një treg në zhvillim të shpejtë dhe kërkesa vazhdon të jetë në rritje, jo vetëm nga këndvështrimi sasior, por edhe nga ai cilësor. Klientët shqiptarë janë gjithnjë në kërkim të risive më të fundit teknologjike dhe të pajisjeve më bashkëkohore.
Fakti që pajisjet e IT kanë një amortizim të shpejtë dhe teknologjia përparon me ritme të shpejta e bën këtë treg, sipas z.Dino, mjaft dinamik dhe gjeneron gjithnjë kërkesë të lartë.
Për vitin 2008, Sinteza Co deklaroi një xhiro vjetore prej 263.5 milion lekësh, me një rritje prej 9.8% krahasuar me vitin 2007.
Teknologjia e informacionit, të dhëna

-Tregu për vitin 2008 ishte 6.5 miliard lekë
-Ritmet e rritjes ranë nga 37% në vitin 2007, në 15% në vitin 2008
-Shoqëritë po përpiqen t’i japin një vlerë të shtuar produktit të tyre: ekspertizën
-Pjesën dërrmuese të volumit të tregut të IT e zënë pajisjet (hardëare), ndërkohë që shërbimet, përfshi internetin, dhe programet (softëare) zënë vetëm 20%, sipas IDC.
-Vlerësohet se në Shqipëri shiten 9 kompjutera për 100 banorë, norma më e ulët në Ballkan, sipas IDC
-Shpenzimet për kompjutera për frymë në Shqipëri vlerësohen nga IDC në 7 USD në vit, nga 36 USD që është mesatarja e rajonit dhe 113 USD që shpenzohen në vendin më të përparuar, në Slloveni, sipas IDC

 

TABELA

Xhiro e kompanive të IT 2006-2008 (000 lek)

2006

2007

2008

Infosoft

1822

2515

2598

Ct Computers

21.4

314.8

316.7

Horizon

134.5

223.7

306.8

Cacttus

4.7

135.3

291.9

CCS

372.9

494.8

284.2

Sinteza

210.3

239.9

263.5

S&T

33.8

160.7

238.3

BNT

345.7

293.6

234.8

SAN

115

102.9

96.9

IBS

85.9

79.8

75.4

FBS

172.2

107.1

69.4

Të tjera

823.9

989.7

1107

Burimi: Deklarimet tatimore të subjekteve

 


 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of