Drejt Tajlandës shqiptare…

05/07/2019 10:09 PM 0 komente

“Po nisej për në një trevë të panjohur – Shumkush e mburr, pakkush guxon ta shohë. (Çajd Harold, Bajroni, 1881)”…

 

Nga Deada Hyka

 

Një mikrokozmos në zemër të Alpeve shqiptare – kështu mund ta përshkruajmë atë që para tre vitesh quhej Parajsa e Fshehur Shqiptare, ndërsa sot e kanë pagëzuar me emrin “Tajlanda e Shqipërisë”: Lumi i Shalës. Kishim parë foto dhe shumë na e kishin këshilluar këtë destinacion, derisa vendosëm që ta vizitonim vetë. Agjencitë turistike, sidomos ato të orientuara drejt turizmit të aventurës, prej tre sezonesh ofrojnë paketa udhëtimi për në Shalë, kërkesat për të cilën rriten çdo vit. Pa kosto akomodimi dhe me kthimin në kryeqytet brenda ditës, udhëtimi kushton 2500-3000 lekë.

Për të shkuar në “Tajlandën shqiptare”, duhet të ndjekësh rrugën drejt Vaut të Dejës dhe më pas, të marrësh varkën në Liqenin e Komanit. Shëtitja është e pamjaftueshme për të shuar kureshtjen e syve me atë çfarë ofron natyra. Një mrekulli, pohuam të gjithë. Për ta vizituar këtë mrekulli na duhej të udhëtonim së paku një orë në një segment rruge krejtësisht të amortizuar dhe gjarpërues, në faqe të maleve, të shoqëruar nga lumi Drin. Por, “vuajtja” ia vlejti.

Morëm varkën në Koman. Për ata që nuk e dinë, Liqeni i Komanit u krijua artificialisht në vitet ’70, pas ndërtimit të digës hidroelektrike me të njëjtin emër. Ujërave të lumit Drin iu deshën rreth dy vjet të mbushnin liqenin dhe për të arritur nivelin aktual. Atje ku sot rrjedhin ujërat e liqenit, dikur kanë qenë fshatra të vogla, të banuara nga barinjtë dhe fermerët. Rrugës për në Shalë, dallonim tek-tuk shtëpi të vogla, të cilat kishin bagëti në oborret e tyre, hardhi të një rrushi që do të donim shumë ta provonim (po të riktheheshim në verë) dhe çatitë tipike të ndërtimeve malësore.

Liqeni i formuar nga ndërtimi i digave në lumin Drin, jo vetëm furnizon vendin me energji elektrike, por ka potencial të shndërrohet në gjurmimin më të mirë turistik që mund të ofrojë Shqipëria e Veriut. Malet në të dy anët e rrugës janë nga 1,000 deri në 1,500 metra të larta, peizazhi është i mrekullueshëm, terreni i paprekur për shekuj.

Në fytyrën e një familje çeke që ishin bashkudhëtarët tanë përgjatë Komanit, lexohej shprehia e habisë nga bukuritë e natyrës. Fotografitë ishin të shumta. Augustin udhëtonte për herë të parë në Shqipëri, me të gjithë familjen, gruan dhe dy fëmijët. Shqipërinë e kishte zbuluar rastësisht në disa artikuj në internet, për të cilën ishte interesuar më gjatë dhe kishte koordinuar udhëtimin vetë, pa ndihmën e një agjencie turistike. Fakti i parë që përmendi ishte infrastruktura jo e mirë e rrugëve të Shqipërisë. Augustin tha se kishin marrë me qira, për 7 ditët që do të kalonin këtu, një automjet të tipit Jeep, me të cilin mund të udhëtonin në mënyrë komode.

Në fillim kishin qëndruar në Tiranë, kishin udhëtuar në Shëngjin, do të kalonin tre ditë në Alpe dhe më pas, plani i tyre do të vijonte me vizitën në Berat, Gjirokastër dhe në Dhërmi. Në përshtypjet e vetëm gjysmës së parë të udhëtimit të tyre, familja çeke pohoi se Shqipëria ofron një mori atraksionesh: plazh, mal, kulturë, që mund të vizitohen për një javë. Augustin u shpreh në fund se ndihej i lumtur që e kishte ‘zbuluar’ këtë vend vend, duke qenë se prej vitesh e mbanin mend si vendin ballkanik që ka vuajtur regjimin autoritar. Në fakt, nga viti 1945 deri në 1990, Shqipëria ishte një lloj Koreje e Veriut në Mesdhe – e izoluar, e paralizuar. Por, vendi ynë, ashtu sikurse të huajt, na quajnë “vendi i shqiponjave” ruan thesare që meritojnë të zbulohen të gjithë.

Udhëtimi ynë me varkë vazhdon. Jemi zhytur plotësisht në bukurinë e këtij vendi. Përgjatë rrugës na kalojnë para syve peizazhe që të lënë pa frymë. Shkëmbinj, shpella, plazhe me gurë, ujë i kristaltë me nuanca që shkojnë nga e kaltra tek e gjelbra. Por, fotografia shfaq edhe një të vërtetë tjetër. Pak para se sa varka të ankorohej, një zonë e madhe e Komanit ishte e mbuluar krejtësisht me plehra. Një kontrast aq i fortë me bukurinë e maleve përreth.

Neritan Ibi, guida jonë që nga Tirana, i cili na shoqëroi gjatë udhëtimit me makinë dhe më pas në varkë, na “paralajmëroi” që disa ditë më parë, se shpeshherë, niveli i liqenit mundet të ndryshojë dhe në rast se niveli ulet, do të na duhej të ecnim rreth 30 minuta përgjatë zallit të lumit. Për të marrë përsipër këtë aventurë, na nevojiteshin sandale të përshtatshme për ecje në gurë të mbuluar me ujë, për të shmangur rrëshqitjen dhe sigurisht… zemër të fortë!

Uji i ftohtë do ta bënte një aventurë më vete ecjen deri në breg (në disa raste, grupe turistësh kanë ecur deri në 1 orë). Ne shpëtuam nga kjo aventurë. Por, kjo histori ka ndodhur disa herë.Me të mbërritur në Lumin e Shalës, mbetesh pa fjalë. Një natyrë me nuancat më të ngrohta. Uji i pastër mbart një ngjyrë blu pasqyruese, ku mund të shikosh troftën e egër duke lundruar. Jemi shumë larg zhurmave e qytetit, pas atyre maleve që prekin qiellin.

Sipas gojëdhënës popullore të banorëve të sotëm, flitet se emri “Shalë” ka rrjedhur prej shalës së kalit, që është në fakt një fabul e bukur. Shala, Shoshi dhe Mirëdita janë pasardhësit e tre vëllezërve që jetonin diku në Shirokë të Shkodrës. Në Shirokë ra murtaja, vëllezërit qenë bashkë, por u larguan prej andej. Kur vendosën për t’u ndarë, të vetmen pasuri që kishin, ishte një shalë kali, një shoshë mielli dhe një bukë. Ai që mori shalën e kalit i mbeti emri Shalë, ai që mori shoshën i mbeti Shosh dhe ai që mori bukën, i mbeti emri Mirditë.

Të zotëve të shtëpisë, atyre që kanë ndërtuar një restorant, hotel me kapacitet deri në 30 persona dhe dy shtëpi në pemë, u pëlqente shumë ta tregonin këtë gojëdhënë. Ne e dëgjuam tërë kërshëri, fill pas një dreke të shijshme me prodhime të zonës, për të cilat mburreshin. Bardha punon prej dy vitesh në Restorantin dhe Hotelin Blini Park, që ka marrë emrin e zonës aty. Së bashku me bashkëshortin dhe tre familjarë të tjerë, ishin pjesë e një shoqërie që i kish njohur me banorin që ishte rritur në atë zonë dhe kishte vendosur të kthehej për të ndërtuar një ekosistem për të pritur turistë.

Paulin Qeta rrinte më shumë në lokalin buzë lumit, që ne na pëlqente ta quanim “beach bar”, në shoqërinë e të vëllait dhe mbikëqyrte gatimin, shërbimin dhe në darkë, akomodimin e turistëve. Ishte larguar vite më parë për të jetuar në Shkodër, por më mendjen që një ditë, do t’u “dhuronte” shqiptarëve dhe të huajve, bukurinë e jashtëzakonshme ku ishte rritur. Bashkë me të dhe dy fëmijët, ishin edhe dy qen, Balo racë e zakonshme që jemi mësuar të shohin rrugëve të vendit dhe një tjetër, racë sharri shqiptare.

Silleshin vërdallë, tejet miqësorë, sikur të ishin pjesë e bujtësve dhe që përpiqeshin të ofronin mikpritjen karakteristike shqiptare. Ata që nuk i kishin frikë (nuk kishte arsye për t’i pasur), sidomos të huajt, nuk u kursyen të bënin një foto me ta. Paketë e plotë argëtimi, bashkë me dy qentë! Paketa niste me mundësinë për të bërë plazh (5 euro shelzongu), vijonte me një udhëtim me kanoe për 5 euro, një drekë të mirë, kosto e së cilës ishte 1200 lekë personi, e së fundmi të relaksimi duke kundruar atë natyrë të bekuar, e cila duket sikur ka dalë nga një telajo e pikturuar në detaje.

Cilido që merr energji nga dreka e sapongrënë, mund të niset drejt shtëpisë së vjetër të Paulinit, i cili të ftonte ta vizitoje me shumë dëshirë, rreth 150 metra nga restoranti. Aty mund të shikoje edhe një “fermë të vogël”, me produkte të mbjella që ofrohen në menunë e restorantit. Një shtëpizë në pemë, e ndërtuar e gjitha me dru, e cila funksiononte si një hotel i mirëfilltë për një familje deri në 5 persona, ishte një pamje tipike e shkëputur nga një përrallë. Është pak ta quash e bukur. Një tjetër shtëpizë e tillë, ishte thuajse në përfundim, për të cilin Paulin na tregoi se do t’i shtohej ofertës së akomodimit, që kryesisht e kërkojnë të huajt. Kosto e qëndrimit ishte 40 euro për person, së bashku me tre vaktet e përfshira.

Ngjitur me tavolinën ku po hanim drekën, ishte një grup i madh të rinjsh të cilët flisnin një anglishte të pashoqe, të qeshurat e të cilëve të bënin ta ktheje kokën. Aty dallova një vajzë me flokë të kuqe, që kishte një pamje tipike të një personazhi përrallash, brenda së gjithë natyrës që po shijonim. Jannet ishte kanadeze, e cila kishte udhëtuar me shoqen e saj të ngushtë, Victoria, drejt Athinës me linjë direkte dhe më pas, do të ndiqnin rrugëtimin në turin ballkanik.

“Kam qenë në Shqipëri para dy vitesh, për herë të parë me familjen time dhe kam mbetur e mrekulluar. Por, më kishte mbetur peng të kaloja më tepër ditë dhe të realizoja një tur ballkanik, kështu i mbusha mendjen shoqes sime për ta bërë këtë verë. E nisëm me dy ditë në Dhërmi, një plazh për të rinjtë dhe i bukur, drejt të cilit udhëtuam me autobus nga Athina. Vizituam më tej Gjirokastrën, qëndruam një natë në Tiranë. Më pas morëm një furgon që na solli këtu në Shalë, një vend që po e pëlqejmë shumë. Do të vijojmë rrugëtimin drejt Malit të Zi dhe më pas, Kroacisë”,- thotë Jannet.
Shoqja e saj Victoria, një vajzë me flokë që gjatë dhe sytë si të ujit të lumit të Shalës, pohoi se udhëtimi në liqen është “befasues”.

“Më duket një vend shumë i bukur,ka atmosferë të veçantë. Kudo ku kemi shkuar ushqimi ka qenë i shijshëm. Shqipëria na duket e lirë për çfarë ofron”, – thotë Victoria në fund, e cila bashkë me shoqen e saj, zbritën të notonin në ujërat e akullta, përpara se të kthehej varka për ta rikthyer në Koman.

 

Lumi i Shalës ju bën të ndiheni sikur jeni në Tajlandë

Jo, nuk e keni lexuar gabim, në Shalë ndiheni sikur keni vizituar Tajlandën. Nuk po flasim për kuzhinën aziatike, por për natyrën e saj: vetë lumi ka një ngjashmëri të habitshme me ato ujërat blu të Tajlandës. Kanione të mëdha dhe shkëmbinj në të dy anët, ujërat me një nuancë të gjelbër si ato të Karaibeve, krahasimi nuk është i ekzagjeruar.

Bukuria e lumit Shala lë pas shumë lumenj. Ju filloni udhëtimin në Liqenin e Komanit dhe ngadalë përmes lumit shkoni drejt saj. Unë nuk kam qenë në Tajlandë, por më lejoni t’ju them se një udhëtim me varkë drejt lumit Shala do t’ju bëjë të besoni se jeni atje. Në fakt, një miku im që ka vizituar Tajlandën, më tha se Shala jo vetëm që ngjan për nga bukuria natyrore dhe ujërat e kristaltë, por është shumë më e qetë dhe e paqtë.

 

Legjenda lokale

Kur të lundroni përmes lumit Shala me traget ose me një varkë të vogël, shoqëruesit do t’ju tregojnë historinë e princit Lek Dukagjini. Një figurë e njohur për shqiptarët dhe që zgjon kureshtje tek të huajt, Lek Dukagjini ishte princi i dytë më i fuqishëm pas Skënderbeut (Heroi ynë Kombëtar). Dukagjini është i njohur në të gjithë Shqipërinë si princ që mblodhi dhe shkroi ligjet e lashta të shqiptarëve. Tani njihen si “Kanuni i Lek Dukagjinit”. Dukagjini ishte një luftëtar dhe sundimtar i zjarrtë dhe principata e tij përbëhej nga malësitë e Mirditës. Gjatë udhëtimit, do të shihni gurë dhe shpella me emrin e tij. Besohet se ai e kaloi pjesën e mbetur të jetës duke përshkuar malësitë përmes këtij lumi, për të mbrojtur zonën e tij. Në njëfarë mënyre, lumi Shala është si vena në të cilën rrjedh historia e rezistencës së shqiptarëve.

 

Rritje kapacitetesh

Është një udhëtim fantastik përmes lumit dhe Shala mendohet se ka potencialin më të madh nga të gjithë lumenjtë në Shqipëri. Edhe pse ajo është kaq e bukur, ka ende mungesa në infrastrukturë, të cilat nisin që në rrugën nacionale që do të duhet të përshkosh përpara se të marrësh tragetin apo anijen.

Shoqëruesit në anije dhe guida jonë nga Tirana na tregojnë që në këto tre vite, numri i turistëve është rritur vazhdimisht. Këtë na e pohojnë edhe të zotët e Blini Park, të cilët thonë se para dy vitesh kanë pasur tre dhoma, ndërsa sot, kanë ndërtuar një hotel me kapacitet 30 personash dhe dy shtëpi në pemë, si ato të përrallave, për familje deri në 5 persona. Ata pohojnë se do të shtojnë kapacitetin akomodues, por pa e prekur natyrën.

 

Zhytje me adrenalinë

Lumi Shala ka shumë xhepa të vegjël të brigjeve të gërmuara ku mund të shijoni disa orë në diell. Uji është blu i kaltër dhe shumë i ftohtë (na besoni kur themi shumë i ftohtë). Edhe pse temperaturat mund të arrijnë gati 34 gradë Celsius gjatë verës, uji mbetet i ftohtë. Uji i rrjedhshëm ju jep një ndjesi të këndshme, në qoftë se jeni aq të guximshëm sa të notoni. Para një viti, ka qenë një urë e vjetër prej druri që lidhte dy shkëmbinjtë në Parkun e Blinit.

Tani, ajo nuk është më dhe për të shkuar te një nga shkëmbinjtë aty afër, do të duhet të zhyteni në ujërat e akullta. Ata që janë aq të guximshëm sa të ngjiten në majë të njërit prej tyre dhe të guxojnë të hidhen në ujë pastaj, duhet ta provojnë. Kjo gjë të jep kaq shumë adrenalinë. Ne nuk patëm guximin ta bëjmë këtë gjë, por i dhamë zemër të tjerëve që u hodhën nga shkëmbinjtë në ujë. Një, dy, tre… dhe hidhu! Më pas, duartrokitje për këdo që pati guxim. Sa për drekën, këshillohet të merret me vete ndonjë ushqim, megjithatë gjetja e një vendi për të ngrënë nuk është e vështirë. Restoranti i ndërtuar nga të zotët e Blini Park, në dy kate, i gjithi në dru, ofron ushqimin tradicional të zonës: troftë, patate në furrë, djathë dhe perime të zonës.

 

Ka më shumë për Shalën se sa vetëm një lum

Po, lumi është madhështor dhe kanionet në çdo anë të lënë pa frymë, por ka më shumë për zonën e Shalës se sa vetëm uji i kaltër. Shala ka shumë shpella për t’u eksploruar, si shpella e Kaurit, mbi të cilën gjendet një kryq. Një tjetër pikë interesante në lumin Shala është Ishulli i Gjakut. Guida jonë Neritani na tha se ka shumë legjenda pse ajo quhet ashtu. Njëra prej tyre tregon se një grup shqiptarësh trima ishin të rrethuar nga turqit gjatë pushtimit dhe atje ata bënë një qëndresë të fundit me dinjitet.

Një tjetër ishull i vogël përgjatë lumit quhet Ishulli i Paqes. Historia këtu, sipas guidës, lidhet me periudhën e gjakmarrjeve, të zakonshme për zonën e Veriut, duke marrë në konsideratë edhe Kanunin që ka mbizotëruar prej shekujsh (mendohet edhe tani). Historia thotë se në këtë ishull gjakmarrjet do të zgjidheshin në mënyrë paqësore, ose do të shkonin ta zgjidhnin me forcë në Ishullin e Gjakut. Një tjetër shpellë e zonës, me qetësi dhe bukuri të jashtëzakonshme, është ajo e Pëllumbave, e cila e merr emrin nga pëllumbat e egër të zonës që e kanë përdorur prej shekujsh si habitatin e tyre. Ne e pamë me sytë tanë, pëllumbat ishin aty.

 

Komani artificial, por më i bukur se të ishte natyral

Liqeni i Komanit është ndërtuar artificialisht nga regjimi komunist për të përfituar energji elektrike nëpërmjet përdorimit të hidrocentraleve. Fjala artificiale në fakt e zhbën bukurinë që të jep ky liqen. Madje, ajo duket shumë më natyrale se shumica e liqeneve të tilla. Është kaq e qetë dhe këtë ndjesi mund ta përjetoni në udhëtimin tuaj. Madje, nëse zgjidhni të udhëtoni me varkë dhe jo me traget, keni mundësinë që të zgjasni dorën në ujë dhe ta provoni vetë këtë ndjesi qetësie që të fal. Thjesht një mrekulli.

 

Çfarë të vizitosh tjetër

Ky destinacion është shndërruar në një nga më të vizituarit e kësaj zone, e izoluar midis majave të maleve, me pikat e plazhit pranë lumit dhe e arritshme vetëm nëpërmjet një udhëtime me varkë. Për të gjithë aventurierët është një udhëtim nga ato që na pëlqen ta quajmë “paketë e plotë”: mal, liqen, plazh dhe eksplorim. Nëse doni të kaloni më shumë ditë në zonë, një aktivitet alternativ është një shëtitje në majën e luginës së Shoshit, në mes të një pylli me gështenja.

Të gjithëve u krijohet mundësia që të kalojnë kohë duke u relaksuar dhe duke notuar në lumin Shala, pranë Blini Park, i cili ju ofron edhe disa lehtësi për ta bërë të mundur këtë udhëtim, si strehim, ushqim dhe madje edhe shtrojat e diellit. Duhet ta dini që shezlongët këtë vit kushtojnë 5 euro, ndonëse më parë nuk ishin me pagesë.

 

HEC-et, historia përsëritet

Dy vite më parë, Ministria e Energjisë dhe Industrisë njoftoi se ka shpallur fituesit e koncesionit për hidrocentralin mbi lumin e Shalës. Historia nis më herët. Në tetor 2016, ministria anuloi kontratën e ndërtimit të 6 hidrocentraleve në Lumin Shalë të Thethit, që ishin shpallur se do të nisnin ndërtimin që në 2014. Argumenti ishte se “kompania nuk kishte plotësuar dokumentacionin e kërkuar”. Por një vit më vonë, në 2017, qeveria vendosi të rihapë procedurën e shfrytëzimit të Lumit të Shalës në Theth, duke i dhënë lejen e ndërtimit në të njëjtën zonë të tre hidrocentraleve me fuqi total 83,5 MegaWat.

Referuar vlerës së investimit, prej 100 milionë dollarësh dhe fuqisë së instaluar, duket se kemi të bëjmë me një nga hidrocentralet më të mëdhenj në vend. Kompania fituese ishte një bashkim i përkohshëm i shoqërive “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Insaat Turizm Sanayi Ve Ticaret LTD.STI”, “Shala Energy PLC” dhe “Falak Properties LLC”.

Interesi për shfrytëzimin hidroenergjetik është për ujërat e lumit të Shalës, midis kuotave 486 metra mbi nivelin e detit deri në 176.00 metra mbi nivelin e detit, i cili është edhe kuota maksimale e rezervuarit të Komanit, duke respektuar kushtet teknike të projektimit dhe moscenimit të objekteve që parashikohen të ndërtohen në këtë pellg ujëmbledhës. Situata duket ende e paqartë, me njoftimin po nga MEI në fillim të këtij viti, të nisjes së procesit të skanimit të kontratave koncesionare të dhëna ndër vite, sidomos për ato në zona të mbrojtura.

Turistët e huaj habiten kur dëgjojnë histori të tilla, ndonëse ne vetë nuk na bën shumë përshtypje. Aktualisht në Luginën e Valbonës janë dhënë leje për 5 HEC, 3 prej të cilave janë në ndërtim; në Kanionet e Osumit dhe Nivicës janë dhënë 2 leje për HEC, njëri prej të cilëve u anulua, në Malin e Tomorrit janë dhënë 5 lejë për HEC-e etj. Të gjitha këto zona kanë një të përbashkët: janë zona të shpallura të mbrojtura.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of