INSTAT po zhvillon një vrojtim në terren që do të zgjasë një vit dhe do të masë peshën e shpenzimeve buxhetore të një familje. Kjo pritet të aktualizojë Indeksin e Çmimeve të Konsumit. Drejtori i INSTAT shpjegon për “Monitor” rënien e ritmeve të ekonomisë në tremujorin e tretë, duke qartësuar edhe zhvillimet për turizmin
Intervistë me Gjergj Filipin, drejtor i Institutit Shqiptar të Statistikave
Struktura e konsumit të një familje ka ndryshuar ndër vite. Karburanti duket se zë më shumë peshë, ashtu si dhe shpenzimet për argëtim. A mendoni se ka nevojë të rishikohet pesha e shpenzimeve në buxhetin e një familje për të matur më saktë Indeksin e Çmimeve të Konsumit?
Nuk mund të bie dakord apriori për diferencat e peshave, pasi për të kuptuar këtë, do të duhej të kishim një tregues paralel që të mund ta krahasojmë me treguesin tonë. Mund të kuptoj shqetësimin tuaj që ndër vite peshat duhet të kenë ndryshuar. INSTAT sapo ka filluar këto ditë në terren matjen e një indikatori që quhet anketa e buxhetit të familjes. Përfitoj t’u bëj thirrje konsumatorëve të përzgjedhur si pjesë të këtij kampioni të shënojnë në librin e shpenzimeve me sa më shumë kujdes të dhënat. Anketa do të zgjasë 365 ditë dhe në fund të këtij viti do të kemi mundësi të kuptojmë peshën e vërtetë të konsumit mesatar të familjeve në Shqipëri. Në bazë të kësaj peshe, në vitin në vijim do të bëhet rishpërndarja e peshës së konsumit të produkteve në shportën e konsumit. Kështu do të ndërtojmë Indeksin e ardhshëm të Çmimeve të Konsumit, në bazë të peshës së sotme.
Në periudhën korrik-shtator të këtij viti, ritmet e rritjes ekonomike ranë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bie në sy rënia e turizmit krahasuar edhe me tremujorin e dytë të 2013-s, edhe pse piku i turizmit është në korrik-gusht, si e shpjegoni këtë?
Indikatori i vlerës së shtuar bruto shpreh më së miri trendin e zhvillimit ekonomik.
Për sa i përket sektorit të turizmit, në tabelën e INSTAT-it nuk përbën një grup të vetëm. “Tregti, hotele-restorante nuk është e njëjta gjë. Turizmi gjendet edhe te shërbimet që nuk përfshihen në këtë grup, ndërsa ky grup ka një dominancë të madhe tregtie, e cila nuk është domosdoshmërisht turizëm. Ndaj, shifra nuk i referohet turizmit, por në këtë rast flet për “Tregti, hotele restorant”, ku pesha i takon tregtisë. Ju shpreheni se ju duket e pazakontë kjo rënie në tremujorin e tretë në krahasim me të dytin. Në tabelat me të dhëna, do të shikoni që këta tremujorë, nëse do të konsideroheshin të zhveshur nga efekti i sezonalitetit, në vlerë reale (përfshirë efektin sezonal) grupi “Tregti, hotele-restorante” është rritur. Në tremujorin e tretë vlera është 56 miliardë lekë nga 51 miliardë lekë për tremujorin e dytë 2013. Po ta shohim të zhveshur nga efekti sezonal kemi probleme, pasi shohim rënie. Në këtë kontekst nuk është hera e parë që shihet e njëjta hallkë rënëse. Ashtu si tremujori i tretë ndaj të dytit, për 2013-n janë në rënie, po kështu edhe tremujori i tretë ndaj të dytit 2009. Madje edhe më e madhe është rënia në 2006-n (-3.4%).
Duhet të kemi parasysh se kur flasim për tregti-hotele dhe restorante bëhet fjalë për një grupim, i cili nuk i referohet turizmit, sepse mund të kemi komponentë turistikë edhe në grupet e tjera, ashtu sikurse edhe brenda tregtisë kemi komponentë që kanë të bëjnë me turizmin.
Rënia prej 2.26 në tremujorin e tretë 2013 krahasuar me tremujorin e tretë 2012 do të thotë që ka rënie të ritmit të rritjes së ekonomisë. Ky është një tregues që rishikohet çdo tremujor.
INSTAT aktualisht është duke harmonizuar metodologjitë e tij me metodologjitë e Eurostatit apo instituteve simotra në vendet e rajonit të Ballkanit. Për rrjedhojë, mundet që në vitet në vijim të kemi metodologji të harmonizuara dhe mund të themi se ku mund të bëhet kujdes me krahasimin shifror. Por, kjo nuk ka të bëjë me rastin e treguesit të vlerës së shtuar bruto.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.