Agron Hetoja, Administrator i KESH, në një prononcim për “Monitor” ka pohuar se do të rishikohen politikat e mbështetjes së investimeve me gjeneruesit e vegjël të energjisë elektrike, si vendas apo të huaj, pasi me shtimin e energjisë së prodhuar nga HEC-et e vogla dhe prodhuesit e pavarur, pritet të rritet edhe presioni financiar i tyre ndaj KESH, i cili e blen energjinë nga këto subjekte me çmime më të larta se tregu.
Aktualisht, modeli i tregut, i miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2008 detyron KESH (furnizuesin publik me shumicë) që të blejë energjinë elektrike të prodhuar nga prodhuesit e vegjël të energjisë elektrike dhe prodhues të pavarur të energjisë elektrike, bazuar në marrëveshjen standard për shitjen e energjisë të miratuara nga ERE (në cilësinë e tij si rregullator i tregut).
Sipas kuadrit rregullator në fuqi për këtë treg të rregulluar, KESH sh.a. e blen këtë energji me çmim preferencial (feed–in tariff) të miratuar prej ERE-s (që arrin deri në 9.37 lekë/kWh) dhe e shet këtë energji së bashku me energjinë e prodhuar nga kaskada e Drinit për CEZ Shpërndarje, me çmim të rregulluar prej 2.2 lekë/kWh.
Skema e mbështetjes për prodhuesit e vegjël dhe të pavarur të energjisë garanton për ta: (i) një çmim gjithnjë më të lartë se çmimi i vendosur nga mekanizimi kërkesë-ofertë në tregje; (ii) treg të garantuar pasi KESH ka detyrimin për të blerë këtë energji; (iii) prodhim më të drejtë përparësie në tregtim dhe konsum.
“Në gjykimin tim, modeli i tregut dhe kuadri përkatës rregullator ka zgjidhur aspektet formale dhe tregtare të marrëdhënieve mes operatorëve, por nuk ka trajtuar siç duhet aspektet funksionale të këtij tregu dhe, për këtë arsye, ky treg është më shumë disfunksional sesa i rregulluar. Problematikat sociale në konsumin e energjisë nuk mund të zgjidhen duke “shtrydhur së tepërmi” kapacitetet publike të gjenerimit të energjisë elektrike,” pohon drejtori i KESH .
Ai shton se pavarësisht rezervave që KESH ka për modelin e tregut dhe anën funksionale të tij, “marrëdhënien tregtare me prodhuesit e vegjël dhe të pavarur të energjisë e kemi trajtuar me kujdes dhe në përputhje të plotë me parashikimet e kuadrit rregullator.”
Gjatë dy muajve të fundit janë përmirësuar shlyerjet e detyrimeve ndaj prodhuesve të vegjël dhe të pavarur të energjisë. Nëse në tetor 2013, totali i detyrimeve të KESH ndaj prodhuesve të vegjël dhe të pavarur të energjisë ishte afro 1,72 miliardë lekë dhe i përkiste një periudhe 6-mujore, në mesin e dhjetorit 2013, totali i detyrimit për t’u paguar për këta prodhues është 1,57 miliardë lekë dhe i përket një periudhe 4-mujore, pra kemi ulur vlerën dhe vjetërsinë e detyrimeve të prapambetura.
Aktualisht KESH ka kontrata shitblerjeje me 49 prodhues të vegjël e të pavarur të energjisë, të cilat operojnë 88 hidrocentrale me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 223 MW. Vetëm gjatë vitit 2013, janë vënë në punë 19 hidrocentrale të reja, me fuqi të instaluar prej 81 MW dhe tendenca për periudhën në vijim është për t’u lidhur edhe rreth 50 MW të tjerë.
“Duket qartë se me këto ritme të rritjes së energjisë së prodhuar nga HEC-et e vogla dhe prodhuesit e pavarur, rritet edhe presioni financiar i tyre ndaj KESH. Me gjithë respektin që kemi për investimet private në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike, mendoj se ka ardhur koha që të rishikohen politikat e mbështetjes së këtyre investimeve. Natyrisht kjo kërkon që të gjithë aktorët e sistemit të përfshihen në një proces të gjerë konsultimi dhe arsyetimi logjik, të drejtë dhe transparent mbi sistemin e tarifimit dhe lidhjen e tij me koston dhe efektivitetin e prodhimit. Jemi të mendimit që politikat zhvillimore dhe mbështetëse për promovimin e investimeve jopublike në energji të rinovueshme duhet të përqendrohet në ato burimeve energji të rinovueshme që janë komplementare me aktivitetin e korporatës publike (KESH) dhe që divesifikojnë burimet dhe rrisin sigurinë e sistemit energjetik. Jemi duke punuar për t’ia bërë të ditur Ministrisë së linjës propozimet tona konkrete lidhur me këto ndryshime të domosdoshme,” përfundon z.Hetoja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.