Intervistë me Dr. Constantin von Alvensleben, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Tirana International Airport
Rreth 3.3 milionë pasagjerë fluturuan nga dhe drejt Aeroportit të Rinasit në vitin 2019, duke shënuar një nivel rekord. Kthimi i vendit në një destinacion turistik dhe hyrja e kompanive me kosto të ulët nxitën fluturimet. Por, situata u kthye përmbys, duke filluar nga muaji mars, pas pezullimit të të gjithë fluturimeve tregtare.
Dr. Constantin von Alvensleben, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Tirana International Airport, thotë në një intervistë për “Monitor” se, nëse fluturimet rifillojnë nga mesi i qershorit, atëherë e kemi një mundësi për të arritur shifrën 1,5 deri në 2 milionë udhëtarë këtë vit, në varësi edhe se si do të shkojnë gjërat. Ai pohon se fluturimet charter do të rikthehen në qershor, “Austrian Airlines” dhe “Aegean” rifilluan më 15 qershor dhe me hapjen e BE-së pas pak, do të mirëpresim përsëri fluturimet e të gjitha shoqërive ajrore shqiptare dhe europiane të cilat i kemi pasur në këtë aeroport përpara pandemisë, ndonëse duhet parë si do të jetë frekuenca e tyre.
Dhe, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se duke filluar nga data 22 qershor 2020, do të fillojnë veprimet për operimin e fluturimeve të rregullta ndërkombëtare, në destinacionet, sipas skedulave që do të miratohen dhe komunikohen nga Autoriteti i Aviacionit Civil në vijim.
Çfarë humbjesh ka pësuar Aeroporti i Rinasit nga situata e COVID-19?
Humbjet janë drastike. Aeroporti i Tiranës përpunonte deri në 64 fluturime në ditë, por duke filluar nga data 12 mars kemi rënë në 1 ose 2. Kur ke rreth 2 për qind të trafikut të mëparshëm, besoj se mund ta quash humbje. Thuajse nuk ka të ardhura nga aktiviteti, siç mund ta merrni me mend, ndërsa kostot janë kryesisht të pandryshueshme. Mund të zvogëlojmë ato që mund të zvogëlojmë, por ka një kufi deri ku mund t’i ulësh kostot. Aeroporti duhet të qëndrojë i hapur për fluturimet që bëhen për arsye humanitare, për riatdhesim dhe për transport mallrash. Është i vetmi aeroport ndërkombëtar në Shqipëri, prandaj kjo është përgjegjësi për ne, të cilën pa dyshim që po e përmbushim.
Aeroporti ka nevojë për shërbime sigurimi e mirëmbajtjeje, plus duhet mbajtur personeli i kualifikuar në punë, e kështu me radhë. Dhe ka shumë punë. Shumë njerëz mendojnë: meqë nuk ka fluturime, punonjësit e aeroportit mund të bëjnë pushim. Por është e kundërta. Kur je në periudhë krize, të duhet të punosh më fort për të dalë prej saj. Me krenari mund të them se administrata e aeroportit nuk ka qëndruar asnjë ditë pushim dhe se kemi shmangur madje, kur ka qenë e mundur, edhe të punuarit nga shtëpia.
Shpirti i skuadrës dhe motivimi janë në nivel shumë më të lartë nëse të gjithë punojnë në zyrë, duke respektuar, sigurisht, me korrektësi protokollet shëndetësore, duke mbajtur distancën fizike, duke zbatuar rregullat e higjienës e kështu me radhë. Deri tani ka funksionuar mirë dhe besoj se, nëse gjërat shkojnë mirë, shpejt do të shohim rifillimin e trafikut të udhëtarëve sipas programit të rregullt të fluturimeve. Ky do të jetë shpërblimi i madh për rezistencën e fortë që kemi bërë duke mos u dorëzuar.
Kur pritet të rifillojë lëvizja dhe si pritet të vijojë gjatë këtij viti? Cilat janë shoqëritë që parashikojnë rifillim të fluturimeve dhe me çfarë shpeshtësie?
Shoqëritë “Aegean Airlines” dhe “Austrian Airlines”, filluan më 15 qershor. Madje, edhe përpara kësaj date, të premten më 12 qershor, mirëpritëm fluturimin charter të shoqërisë bjelloruse “Belavia Airlines”, me 192 turistë. Këto janë çaste gëzimi për të gjithë.
Por jam i sigurt se me hapjen e BE-së pas pak, do të mirëpresim përsëri fluturimet e të gjitha shoqërive ajrore shqiptare dhe europiane, të cilat i kemi pasur në këtë aeroport përpara pandemisë. A do të kemi të njëjtën shpeshtësi fluturimesh? Do ta shohim më pas. Varet nga kërkesa, por kjo mund të bjerë paksa. Tekefundit, si shoqëritë ajrore, ashtu edhe udhëtarët, janë ende disi të tronditur nga COVID-19 dhe mund të tregojnë rezerva në fillim.
Plus, jemi të detyruar të ndjekim rregullat shëndetësore të Shqipërisë, por edhe të AESA-së, Agjencisë Europiane të Sigurisë Ajrore, prandaj rregullat e mbajtjes së distancës fizike do të sjellin radhë më të gjata dhe disa procese si pranimi i biletës, kontrolli fizik i udhëtarëve dhe kontrolli i pasaportave mund të kërkojnë më shumë kohë dhe hapësirë brenda terminalit.
Si do të jetë deri në fund viti 2020? Nëse trafiku fillon të rritet gjatë qershorit, dhe unë këtë do ta konsideroja një sukses shumë të madh për të gjithë ne në Aeroportin e Tiranës, atëherë e kemi një mundësi për të arritur shifrën 1,5 deri në 2 milionë udhëtarë këtë vit, në varësi edhe se si do të shkojnë gjërat. Në krahasim me shifrën prej 3,3 milionë udhëtarë që kishim në vitin 2019, mund të duket si rezultat jo i mirë. Por unë mendoj se nuk do të ishte aspak një rezultat i keq. Ky rezultat do të tregonte se Aeroporti i Tiranës ka forcën e nevojshme për t’u bërë ballë problemeve në sektorin e vështirë të aviacionit.
Foto: Tirana International Airport / Instagram
Krahas shtimit të numrit të destinacioneve nga shoqëria “Wizz Air”, a ka pasur interes nga shoqëri të tjera me kosto të ulët?
Në fakt, ka shumë interes dhe jam thuajse i sigurt, dhe shpresoj sinqerisht, se do të shohim edhe rikthimin e shoqërisë “EasyJet”.
A keni planifikuar investime në zgjerimin e pistës? Sa do të ndikojë kjo situatë në zbatimin e këtyre planeve?
Kur je në një periudhë të zgjatur bllokimi, e cila me gjasë është më e gjatë dhe më e rëndë se pandemia e SARS-it e vitit 2003, atëherë duhet t’i shohësh edhe një herë planet e investimeve, për të ruajtur likuiditetin. Është luftë për ekzistencë. Megjithatë, TIA ka një program investimi në zbatim për anën e aerodromit. Tani për tani, kemi në vëmendje sistemin e rrugëve lidhëse të pistës. Ia kemi dalë mbanë të përfundojmë rindërtimin e një rruge të rëndësishme lidhëse të pistës dhe të vijojmë me dy elemente të tjera të sistemit të rrugëve lidhëse dhe po i afrohemi përfundimit edhe për to.
Nuk nevojitet një zgjatje e pistës, e cila është 2.700 metra, por ajo ka nevojë për rinovim. Jemi në fazën e projektimit. Nëse trafiku ajror do të rifillojë në qershor a në korrik, atëherë besoj do të kemi likuiditet të mjaftueshëm për ta vënë në zbatim këtë projekt madhor në fund të vitit 2020 dhe ta përfundojmë sa më herët në vitin 2021. Ndërkohë, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2020 do të kryhet procesi i tenderimit për këtë projekt.
Qeveria ende planifikon ta hapë garën për aeroportin e Vlorës. Si e vlerësoni konkurrencën nga ky aeroport dhe faktin se koncesionarit të ri do t’i garantohet grafiku? Sa interes ka në këtë kohë për të investuar në ndërtimin e një aeroporti të ri?
Aeroporti mirëpret çdo zhvillim i cili do ta çonte përpara infrastrukturën shqiptare të aviacionit. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është aeroport kryeqyteti. Sa i takon perspektivës së projektit të aeroportit të Vlorës, ma merr mendja se do të duhen disa vjet për ta zhvilluar dhe trafiku ajror, me gjasë do të jetë sezonal. Nëse qeveria bën garantim të trafikut, atëherë kjo do të çonte në probleme të konkurrencës, gjë të cilën do ta shihnim me kujdes. Por përveç këtij aspekti, qeveria e ka rrugën e hapur për të vënë në zbatim idenë e aeroportit të ri dhe unë i uroj suksese në këtë projekt qeverisë shqiptare.
Aeroporti i Rinasit konsiderohet si më i shtrenjti sa u takon tarifave, ndërsa çmimet e biletave janë ndër më të lartat në rajon. Çfarë komenti keni për këtë?
Do t’ju lutesha të më tregonit se nga e keni marrë këtë informacion se aeroporti ynë është një prej më të shtrenjtëve. Mund t’ju konfirmoj se jemi në një linjë me aq sa kërkojnë edhe aeroportet e tjera rajonale. Çka është më e rëndësishmja, tarifat aeroportuale përbëjnë një pjesë shumë të vogël të kostove të shoqërive ajrore. Kostot e avionit, të karburantit dhe të personelit ajror përbëjnë pjesën dërrmuese të kësaj kostoje. Ndikimi që kanë tarifat e aeroportit në çmimin e biletave është shumë i vogël.
Jo. E vërteta është se çmimet e biletave vendosen nga shoqëritë ajrore sipas kushteve të konkurrencës. Nëse ka konkurrencë për një rrugë ajrore, atëherë çmimet bien menjëherë, por nëse ka vetëm një kompani ajrore që i shërben një destinacioni, atëherë çmimet rriten. Faktori i vërtetë i cili ndikon në çmimet e biletave është konkurrenca dhe për këtë arsye, TIA punon shumë për të siguruar konkurrencë në sa më shumë rrugë nëpërmjet politikave të nxitjes dhe mbështetjes për shoqëritë ajrore.
Foto: Tirana. International Airport / Instagram
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, së bashku me operatorët turistikë, kanë thënë para jo shumë kohësh se do të negocionin për t’i ulur tarifat në nxitje të fluturimeve charter në aeroport. Keni zhvilluar negociata të tilla dhe çfarë mundësish po shqyrtohen?
Kemi në zbatim politikat e nxitjes së rrugëve të reja ajrore me fluturime charter, pra jemi të përgatitur. Fluturimet charter janë shumë të mirëpritura në TIA dhe kemi pasur një trafik intensiv të këtij lloji fluturimesh gjatë viteve të fundit. Me kënaqësi informojmë se fluturimet charter do të rikthehen këtë qershor.
Gara për zonën “Duty Free” është shoqëruar me disa probleme midis aeroportit, shoqërive dhe Ministrisë së Financave. Në ç’fazë ndodheni tani?
Për fat të keq, sa u takon dyqaneve në zonën “Duty Free” të aeroportit kemi parë se shoqëria “ADFD”, kontrata e së cilës ka mbaruar që vjet në gusht, ka vazhduar të qëndrojë me ndihmën e një urdhri për sigurim padie të marrë në rrethana të diskutueshme në një seancë gjyqësore, ku nuk është ftuar TIA për të dhënë shpjegime. Krahas kësaj, Ministria e Financave i ka dhënë licencë e operimit për dyqanin “Duty Free” shoqërisë “ADFD” kur kjo shoqëri nuk ka nënshkruar kontratë me TIA-n. Tani që flasim, jemi në proces arbitrazhi në Vjenë me shoqërinë “ADFD”, prandaj do të doja të mos komentoja më shumë për këtë çështje.
Kohët e fundit, aeroporti ka shprehur fuqimisht mendimin e tij lidhur me vendimin e Gjykatës së Krujës për 5 masa sigurimi padie në favor të grupit “A&A”. Përse ky reagim?
Është situatë e ngjashme. Kontratat për qiramarrësin “A&A Airport” kanë përfunduar në fund të muajit prill, por në vend që t’i lirojë mjediset, kjo shoqëri ka parapëlqyer të bëjë kërkesa për sigurim padie, në rrethana jo transparente dhe në seanca gjyqësore ku sërish, nuk është ftuar për shpjegime TIA. Disa urdhra për sigurim padie e kanë bllokuar tani dorëzimin e mjediseve fituesve të rinj të tenderit që kemi zhvilluar.
Në kushtet e pandemisë COVID-19, të gjithë qiramarrësve të aeroportit u është falur qiraja e një muaji e gjysmë nga ana e TIA-s, një masë lehtësimi kjo për të gjitha bizneset e aeroportit. Vetëm grupi “A&A” ka vendosur të qëndrojë edhe pas përfundimit të periudhës së kontratës. Këtë e shoh si uzurpim të hapësirave, por edhe si mosrespektim të klientëve, të udhëtarëve, të cilët dëshirojnë të marrin shërbime të mira dhe risi në emra.
Ky qiramarrës ka më shumë se 10 vjet në aeroport. Me sa duket, aeroportin e sheh si pronë të vetën. Shpresoj se asnjë sistem gjyqësor nuk do ta mbështeste dhe nuk do ta mbështesë një sjellje të tillë. Aeroportet veprojnë në emër të interesit publik dhe nuk duhet të bllokohen nga privatët që nuk respektojnë rregullat e një procesi të drejtë e të barabartë.
Si e vlerësoni mjedisin e të bërit biznes në Shqipëri?
Për arsyet të cilat i përmenda, ky mjedis nuk është i lehtë për këto çështje, sidomos nëse tenderon nga e para koncesione dhe duhen ndryshuar qiramarrësit për t’ia dorëzuar hapësirën fituesit të drejtë. Mendoj se duhen respektuar dhe përmirësuar në maksimum rregullat procedurale të proceseve gjyqësore në Shqipëri, si një premisë e cila çon në përmbushjen e standardeve europiane për realizimin e një gjykimi të drejtë e të paanshëm. Mendoj se ka nevojë për përmirësim të rregullave procedurale në lidhje me masat e sigurimit të padisë. Mendoj se nuk duhet miratuar asnjë masë për sigurim padie pa një seancë të rregullt gjyqësore, ku të dëgjohen të dyja palët e të zbatohet një proces i drejtë e i barabartë.
Bëhet fjalë për një aeroport ndërkombëtar, për imazhin e vendit. Jo vetëm që veprime të tilla dëmtojnë palën koncesionare dhe investimet e huaja, por mbi të gjitha, aeroporti është një infrastrukturë e rëndësishme për Shqipërinë. Ai duhet mbrojtur, e jo të sulmohet apo të shpërfillet.
Por ky shqetësim nuk do ta zbehë vëmendjen tonë ndaj fluturimeve. Objektivi unë kryesor është si të reagojmë sa më mirë në këtë periudhë: duke u ofruar shoqërive ajrore standarde të mira shërbimi, duke ofruar në të njëjtën kohë mbrojtjen e duhur për udhëtarët në përputhje me të gjitha rregullat e higjienës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Përveç rënies së nivelit mësimor në shkollat shqiptare, anketa globale e 15-vjeçarëve (PISA) gjeti se, ndër nxënësit shqiptarë, pakënaqësia ndaj jetës është rritur. Në vitin 2022 gati 12% e nxënësve në Shqipëri raportuan se nuk ishin të kënaqur me jetën e tyre. Ata e vlerësuan…
Nga 2024 pritet të rriten tarifat e ushqimit për fëmijët që frekuentojnë institucionet publike parashkollore në Tiranë. Në relacionin e projektbuxhetit të vitit 2024, Bashkia e Tiranës ka kërkuar rritjen e tarifës ditore të ushqimit për fëmijët e kopshteve dhe çerdheve nga 6 deri në…
Normat e interesit të Euros në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar një rënie të ndjeshme në fillimin e muajit dhjetor. Treguesi kryesor benchmark i përdorur për kuotimin e huave në monedhën europiane, Euribori 12-mujor, këtë javë ka rënë në nivelin më të ulët të shtatë muajve…
Kombëtarja shqiptare shënoi një tjetër arritje historike, duke u kualifikuar për herë të dytë në Kampionatin Europian, i cili do të zhvillohet në Gjermani nga data 14 qershor deri më 14 korrik. Interesi për të ndjekur Kombëtaren por dhe ndeshjet e tjera të Europianit natyrshëm…
Qeveria parashikon që në dy vitet e ardhshme në kuadrin fiskal të eliminohen disa tarifa të reduktuara, përjashtime nga taksat direkte si dhe ato përjashtime që nuk kanë dhënë efektin e pritshëm . Në një dokument zyrtar mbi përputhshmërinë e legjislacionit shqiptar me direktavat e…
Të paktën 14 projekte strategjike parashikohen të mbështeten financiarisht nga buxheti 320 milionë euro i Bashkisë së kryeqytetit për vitin 2024. Në listën e hartuar në relacionin e projektbuxhetit bien në sy disa nga projektet që kanë vite që lakohen ku një pjesë janë në…
Yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare e kanë nisur me një tjetër rritje të lehtë muajin dhjetor. Në ankandin e rihapjes së obligacioneve dyvjeçare, që u zhvillua ditën e martë, yield-i uniform i pranuar arriti në 4.23%, me një rritje të lehtë nga…
Më herët, kryefjalë e delokalizimit të prodhimit në sektorin e industrisë ishte "offshoring" (delegimi i prodhimit në tregje të largëta) dhe Kina sfidonte gjithkënd me kostot e veta…
Kredia për ekonominë po rritet me ritme relativisht të larta edhe këtë vit. Brunilda Isaj, eksperte e sektorit financiar, shprehet se kjo rritje është nxitur nga kërkesa ende e lartë e sektorit privat, por edhe nga normat ende të ulëta të interesit në monedhën vendase.
Qeveria e Kosovës ka prezantuar masën 1.2 për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike përmes mbështetjes shtesë të njëhershme për blerjen e lëndës…
Tarifat për automjetet elektrike që tregtohen mes Britanisë së Madhe dhe BE-së do të shtyhen edhe për tre vjet, ka propozuar Komisioni Europian. Kjo vjen pasi…
Mikel Temo është një artist, i cili gjatë katër dekadave ka lëvruar gjinitë e arteve vizuale në pikturë, skulpturë dhe grafikë. Aktualisht, ai jep ndihmesën si…
Miliona njerëz në të gjithë botën i drejtohen Wikipedia për të kuptuar më mirë botën që i rrethon dhe çdo vit, enciklopedia e internetit falas publikon…
Çdo vit, revista e specializuar Forbes përpilon klasifikimin e 100 grave më të fuqishme në botë. Një listë që përfshin natyrisht figura politike, të pranishme në…
Sagrada Familia në Barcelonë është e famshme për strukturën e saj idiosinkratike, fasadën e lindjes së Krishtit të gdhendur dhe natyrisht për kohën e gjatë të…