Rreth 40 për qind e vendimeve merren falë intuitës së drejtuesve dhe jo duke u mbështetur në analizën e të dhënave
Teknologjitë, robotët dhe informacionet dixhitale do të luajnë një rol themelor në mjedisin e biznesit sot dhe në të ardhmen, duke ndryshuar proceset vendimmarrëse, personalizimin e shërbimeve, shpejtësinë dhe fleksibilitetin në punë.
Marrëdhënia mes menaxherëve dhe Inteligjencës Artificiale është një temë mjaft e diskutuar sot. Jo rastësisht, ajo ishte në fokus të konferencës «Human Intelligence in the era of Artificial Intelligence», e organizuar në Torino nga Business School Escp Europe (lindi në Paris në vitin 1819).
Si do të ndryshojë në të ardhmen ndërveprimi mes njeriut, makinave dhe punës? Si mund ta zgjerojë Inteligjenca Artificiale mendjen njerëzore? Në cilat aktivitete, njeriu nuk do të mund të zëvendësohet kurrë nga një robot? Këto pyetje nuk u interesojnë vetëm kërkuesve shkencorë dhe studiuesve të kësaj fushe, por po dominojnë te të gjithë menaxherët të angazhuar për të drejtuar organizatat e tyre nëpërmjet transformimit të diktuar nga dixhitalizimi.
Vizioni i Terence Tse, profesor i asociuar i Financave në Escp Europe dhe bashkëthemelues i Nexus FrontierTech, nis nga një supozim i saktë:
“Së pari duhet të kundërshtojmë mitin që robotët do t’u vjedhin punën qenieve njerëzore – pasi nuk do të shohim kurrë në të vërtetë eliminimin në masë të vendeve të punës. Por, është e sigurt se do të humbim një pjesë të aktiviteteve tona të punës. Zotësia dhe aftësitë njohëse të personave, nga zgjidhja e problemeve të ndërlikuara te aftësia për të krijuar marrëdhënie, nga mendimi strategjik te kreativiteti e Inteligjenca Emocionale, do të bëhen në të ardhmen gjithnjë e më të rëndësishme”.
Sipas Tse, makineritë nuk mund të punojnë në mënyrë korrekte dhe etike, duke rrezikuar që padrejtësia dhe diskriminimi të automatizohen. Prej këtu është i qartë pohimi se njeriu është në qendër dhe rëndësia që do të luajë procesi i formimit në klasën e ardhshme drejtuese, pasi nuk do të mjaftojnë vetëm aftësitë e reja dhe rikualifikimi për ata që janë tashmë të punësuar, por duhet të përshtaten sa më mirë ndaj sfidave të ardhshme të tregut të punësimit.
Për një tjetër relator, i pranishëm në Torino, Riccardo Viale, profesor i Shkencave të Sjelljes dhe Ekonomisë Njohëse në Universitetin Milano-Bicocca, pika kyçe e çështjes është të kuptojmë se si makinat do të mbushin boshllëqet tona e anasjellas.
“Është një fakt i vërtetuar – shpjegoi për IlSole24ore – se robotët dhe algoritmet mund të zëvendësojnë njeriun në një sërë punësh në prodhim dhe aktivitetesh edhe më të kualifikuara në botën e shërbimeve. Sot, Inteligjenca Artificiale përfundon punën e një njeriu dhe në të ardhmen mund ta zëvendësojë tërësisht në detyra më të avancuara”. Por është gjithashtu e vërtetë – thekson Viale duke iu referuar një studimi të fundit – që rreth 40 për qind e vendimeve merren falë intuitës së drejtuesve dhe jo duke u mbështetur në analizën e të dhënave.
Pse ndodh kjo? Sepse Inteligjenca Artificiale “nuk ka ndjeshmëri për të trajtuar ngjarje dhe kriza të paparashikueshme. Ndaj është e nevojshme ndërgjegjësimi më i madh i kapacitetit njerëzor, për të gjetur rrugë njohëse që të na lejojnë të përdorim përvojën e përditshme që të mbijetojmë dhe të kapërcejmë çdo pengesë”.
Me fjalë të tjera, Inteligjenca Artificiale ka kufizime të dukshme në situata të paqarta, aty ku nuk njihen mundësitë e natyrës shkencore mbi të cilat të përpunohen informacionet e ndjeshme. “Inteligjenca Artificiale – thekson Viale – rrit produktivitetin dhe zvogëlon kostot operative, por nuk shkon drejt intuitës, edhe pse po zhvillohet një robotikë më e avancuar dhe sisteme hibride njeri / makinë. Për këtë, për momentin mund të konsiderohet një mbështetje ndaj proceseve vendimmarrëse të njerëzve, por jo një instrument që i zëvendëson ata plotësisht. Në vendimet strategjike, në situatat ku realiteti është i paqartë dhe mundësitë janë të ndryshueshme, drejtuesi mbetet i pazëvendësueshëm, pasi ekspertiza e tij është unike”.
*Gianni Rusconi
Burimi: Il Sole 24 Ore