Drejtuesit e korporatave, po i keqkuptojnë kërkesat e kthimit në zyrë.
Një kërkesë për të punuar në zyrë tre ditë në javë, është bërë normë në shumë kompani, por është shumë larg nga një “praktikë më e mirë”, thotë Michael Bush, CEO i Great Place to Work, firma globale kërkimore dhe analitike, që vlerëson kulturën e korporatës.
“Pse tre ditë në javë? Pse jo katër? Pse jo dy?” thotë ai. Shumë drejtues flasin për tre ditë në javë sikur të ishte “numri magjik”. Në fakt, nuk është.”
“Çdo lider duhet të dëgjojë më mirë”
Shumë liderë gabimisht supozojnë, se të qenit së bashku personalisht në ambjentet e punës, krijon automatikisht në një bashkëpunim më të mirë, megjithëse nuk ka të dhëna për ta mbështetur atë.
Më pas, ka drejtues me “probleme kontrolli”, thotë Bush: “E vetmja gjë që nuk bëjnë është të thonë ‘I dua të gjithë të kthehen sepse kjo më bën të ndihem më mirë’.”
Ky është një rrezik i madh për punësimin dhe mbajtjen në punë. Njerëzit që punojnë për këto lloj drejteuesish, “po përditësojnë profilet e tyre në LinkedIn”.
Për sa i përket praktikave më të mira, Bush thotë se “çdo lider duhet të dëgjojë më mirë” dhe të kuptojë se si ekipet funksionojnë më mirë, bazuar në bisedat individuale, anketat, grupet e fokusit ose provat 90-ditore.
Sarah Fern, drejtuese e burimeve njerëzore në Velocity Global, thotë se dëgjimi është sfida më e madhe për drejtuesit në distancë – dhe më e rëndësishmja, të kuptuarit e asaj që nuk po dëgjoni.
“Çfarë nuk po ju thonë?” thotë Fern.
“Nuk ka politika të mira të punës në distancë”
Gjendja e rastësishme e mjedisit fleksibël të punës së sotme, është larg asaj se si do të duket e ardhmja e punës në distancë dhe hibride, thotë Jessica Reeder, drejtore e efektivitetit organizativ në distancë në Upwork.
“Nuk ka politika të mira të punës në distancë,” thotë ajo. “Ne po mësojmë. Kjo është diçka, që është shumë e re për shumicën e kompanive.”
Ajo thotë se ideja e punës gjatë pandemisë nuk ishte thjesht të punuarit në distancë, por kryesor ishte fakti se po punohej në distancë në një kohë krize.
“Por puna e vërtetë afatgjatë e ndërtimit të politikave dhe praktikave, që në fakt i mbajnë njerëzit të lumtur, të mos kërkojnë një punë tjetër dhe të vazhdojnë të jenë produktivë, është një proces i gjatë.”
Një rregullim bazë që kompanive ende i mungon, thotë Reeder, është krijimi i takimeve me një qasje të parë në distancë, ku të gjithë telefonojnë në të njëjtën linjë videokonferencash, duke përfshirë njerëzit që janë në zyrë.
Një sfidë më e madhe për CEO-të dhe kompanitë, thotë Reeder, është “të dëgjosh dhe të vëzhgosh, të kuptosh dhe të jesh i vetëdijshëm për atë që nuk funksionon. Kjo është situata e vështirë në të cilën ndodhen shumë kompani tani.” / CNBC