Ashtu si e gjithë bota kemi kaluar shumë muaj të vështirë. Pandemia e Covid-19, që filloi në mars dhe u shpërnda me disa valë, përmbysi të gjitha parashikimet. Shumë plane u ndalën, ekonomia ngeci, bizneset u mbyllën ose po mbijetojnë me fitime minimale, apo thjesht po konsumojnë rezervat e tyre.
Shumë persona mbetën të papunë, të tjerë panë rënie të të ardhurave, duke ndikuar në tkurrjen e konsumit. Më i godituri ishte sidomos punësimi informal, pikërisht i shtresës më të pambrojtur (të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i të punësuarve në skemën e sigurimeve shoqërore është vetëm 5 mijë persona më pak se para krizës, ndërsa ai sipas Anketës së Forcave të Punës është 43 mijë më pak).
Mbi të gjitha, pandemia dha pasoja të rënda në humbjet e jetëve njerëzore. Të dhënat paraprake tregojnë se numri i fataliteteve në muajt pandemikë mars-dhjetor 2020 u rrit me 38% në krahasim me periudhën përkatëse të një viti më parë, që deri tani është më i larti në Europë (e dyta pas nesh, Maqedonia kishte një shtim prej 29%). Vendet me sisteme të dobëta shëndetësore dhe nivel të ulët të personelit mjekësor, në raport me popullsinë, po rezultojnë që kishin më shumë vështirësi në përballimin e pandemisë. Dy valët e pandemisë që zgjatën nga rreth dy muaj secila, nëntor-dhjetori dhe mesi i janarit-mesi i marsit, ishin veçanërisht fatale.
Mungesa e kapaciteteve spitalore vlerësohet që, në anën tjetër, ka rritur ndjeshëm shpenzimet nga xhepi të banorëve për përballimin e problemeve shëndetësore. Të dhënat zyrtare tregojnë se shpenzimet për produkte farmaceutike dhe mjekësore u rritën përkatësisht me 22% dhe 28% në tremujorin e tretë dhe të katërt.
Pas një dimri të ashpër vjen gjithmonë një kohë më e mirë. Me përfundimin e vitit të acartë, më e vështira duket se ka kaluar dhe moti do të përmirësohet. Imuniteti i tufës mund të arrihet për disa muaj, fatkeqësisht në kurriz të jetëve të humbura, por edhe përshpejtimit të pritshëm të ritmeve të vaksinimit.
Në të njëjtën linjë, edhe ekonomia po shfaq shenja gjallërimi. Të dhënat e para sinjalizojnë për një përmirësim të aktivitetit ekonomik në shumë sektorë në tremujorin e katërt, me përjashtim të bizneseve të lidhura me turizmin, udhëtimet (transportin), bar-restorantet, industrisë së këpucëve etj. Edhe konsumi i është rikthyer rritjes, ndonëse është i nxitur kryesisht nga shpenzimet për ushqimet bazë dhe sidomos për kujdesin shëndetësor, të lidhur me pandeminë. Sistemi bankar ka mbetur i qëndrueshëm, kursimet janë shtuar, ndërsa ritmet e kreditimit janë përshpejtuar.
Banka e Shqipërisë sugjeron se aktiviteti ekonomik do të vijë gradualisht drejt normalizimit në dy vitet në vazhdim. Normalizimi do të shoqërohet me rritje të punësimit, të pagave dhe të marzheve të fitimit të biznesit. Rritja ekonomike pritet të mbështetet nga një stimul i konsiderueshëm monetar dhe fiskal, nga reduktimi i pasigurisë, si dhe nga rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik botëror.
Por, rreziqet mbeten të larta. Vendi sapo ka hyrë në një fushatë të ethshme elektorale. Kjo periudhë është shoqëruar gjithnjë me një shthurje të punës së administratës, shtyrje të vendimeve të bizneseve për të bërë investime të mëdha dhe një stepje të investitorëve të huaj në pritje të rezultateve të zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re. Rritja e parasë jashtë banke dhe përdorimi i fondeve informale në ditët e fundit të fushatës mund të shtrembërojnë treguesit ekonomikë. Grumbullimi i njerëzve në pandemi është një tjetër risk i shtuar në këtë periudhë.
Rimëkëmbja ekonomike mbetet subjekt i pasigurive të mëdha. Ekonomia është e varur nga turizmi dhe ai sërish nuk dihet se si do të shkojë këtë verë. Me prenotimet e agjencive të huaja që janë pezull, shpresa mbetet sërish te shtetasit nga Kosova, të cilët shpëtuan industrinë nga falimentimi edhe verën e kaluar. Sjellja konsumatore ka ndryshuar dhe kjo mund të reflektohet në shumë sektorë, duke zgjatur rimëkëmbjen e konsumit.
Pasiguria më e madhe mbetet ecuria e pandemisë. Zgjatja e saj përtej parashikimeve, nëse variantet e reja mund të bëhen rezistente ndaj vaksinave, do të ndikonte tepër negativisht si konsumin, ashtu dhe investimet e bizneseve. Bazuar në përvojën e gripit spanjoll do të duhen të paktën dy vjet që pandemia të përfundojë. Gjithsesi, me kalimin e vitit të parë, më të keqen duket se e kemi lënë pas dhe shpresa mbetet që viti 2020 dhe fillimi i vitit 2021 të mos përsëriten më kurrë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.