615 shtetas janë ndëshkuar nga Policia e Shtetit, me masën administrative 10 mijë lekë, pasi janë konstatuar se konform masave të marra kanë qenë duke lëvizur në këmbë apo me biçikletë, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Po ashtu, 75 drejtues mjetesh kanë shkelur urdhrin e ndalim-qarkullimit.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 75 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim-qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.
Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 615 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur me këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë”.
Në Kukës një qytetar ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit, dhe për këtë veprim është ndëshkuar me 700 mijë lekë.
“Në Kukës është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, shtetasi F. H., banues në Kukës, pasi ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit të detyrueshëm, duke dalë jashtë ambienteve të banesës. Në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi E. S., banues në Tiranë, pasi është konstatuar duke lëvizur jashtë fashës orare dhe ka kundërshtuar dhe goditur me grusht punonjësit e Policisë në detyrë.
Në Korçë janë proceduar penalisht J. K. dhe A. K., pasi nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për shkak të detyrës, si edhe kanë prishur qetësinë publike.
Në Durrës është proceduar penalisht shtetasi A. M., banues në Durrës, pasi u kap nga shërbimet e Policisë me një dokument të Ujësjellës Kanalizime Durrës me qëllim lëvizjen e lirë, por nga verifikimet e bëra nuk rezulton të jetë punonjës i kësaj ndërmarrjeje.
Janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 2 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura”.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 8 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020. Në Kukës është proceduar penalisht për fshehje të ardhurash shtetasi N. C., banues në Kukës, pasi ushtronte aktivitetin në bar-restorantin e tij, pa u regjistruar në organin përkatës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.