“Dueli” i pakicës

30/12/2011 10:58 AM 0 komente

Fundi i vitit 2009 shënoi hyrjen në treg të tre operatorëve të mëdhenj të tregtisë me pakicë. Si po reagojnë operatorët “e vjetër” ndaj rritjes së konkurrencës dhe a ekziston mundësia e mbingopjes së tregut të retail-it?

Hyrja e aktorëve të rinj nëpërmjet qendrave të organizuara të pakicës ka shtuar ndjeshëm konkurrencën në një treg që, vetëm para pak vitesh, ishte tërësisht i pashfrytëzuar.

E në fakt, me hapjen e qendrës tregtare “City Park” dhe të hipermarketeve “Praktiker” e më pas “Megatek”, vetëm në Tiranë, numri i njësive të mëdha tregtare arrin në 6-7 të tilla.

Ndonëse në një vit të vështirë, 2009 shënoi një shtim të konkurrencës në këtë treg dhe sigurisht operatorët duhet të përgatiteshin dhe “mbroheshin” prej saj. Në një situatë të tillë, palët që hynin rishtas në treg kishin përgatitur tashmë një strategji “fitoreje”, ndërsa më të vjetrit kishin përgatitur “armët” për t´u mbrojtur. Por sa janë “shqetësuar” këta operatorë në një konkurrencë të tillë dhe në një treg kaq të vogël me më pak se 1.5 milionë konsumatorë? A po shkon ky treg drejt ngopjes?

2010-a është shumë i ndryshëm se tetori 2005, kur u hap qendra e parë tregtare e mirëfilltë në vend, QTU. Në aksin Tiranë-Durrës janë përqendruar sot tri qendrat më të mëdha tregtare në vend, “City Park”, QTU dhe “CasaItalia”, të gjitha me një synim: të “rrëmbejnë” klientelë.

“Për QTU-në, hapja e qendrave tregtare në këtë zonë është një lajm i mirë, sepse e gjithë klientela drejtohet për nga kjo zonë. Ne, me hapjen e ‘CityPark´ kemi pasur veçse rritje. Efekti në rënien e vizitorëve, por jo blerësve, është ndjerë vetëm 2-3 ditët e para, sepse kurioziteti për një qendër të re normal që është i madh”, thotë shefja e marketingut të QTU-së, Arjola Mata.

Por nga ana tjetër, drejtorja e marketingut në “City Park”, Reila Bozdo, konfirmon një ecuri pozitive në muajin e parë të punës, volum që pritet të rritet shumë dhe t´ua zërë “frymën” konkurrentëve kur projekti të kompletohet i gjithi.

“Kur ‘City Park´ të kompletohet si projekt në treg nuk do të ketë hapësirë për të tjerë konkurrentë”, thotë Bozdo si për të “paralajmëruar” të gjithë konkurrentët e tjerë në këtë treg.

Sipas saj, në fund të muajit shkurt në “City Park” do të hapen edhe dyqanet e veshjeve me çmime të lira, që do të kenë fokus konsumatorin me të ardhura mesatare e nën mesatare. “Nga këtu presim një rritje shumë të madhe”, shpjegon Bozdo

Nga ana tjetër, drejtuesit e QTU-së është i qetë dhe i bindur se qendra do të vijojë të këtë një rritje të madhe. “Ne kemi marka të mira dhe çmime shumë të prekshme nga konsumatorët. QTU është padyshim një vend ku mund të blihet”, thotë Mata.

Elektro-shtëpiaket, konkurrenca në dëm të “të vegjëlve”

Por konkurrenca e tregtisë me pakicë nuk shtrihet vetëm në qendrat tregtare, por edhe në hipermarkete të tjera që tregtojnë produkte ushqimore, elektro-shtëpiakë apo produkte të tjera shtëpiake apo industriale.

Për operatorin më të madh të tregtimit të elektro-shtëpiakeve në vend “Neptun”, hapja e një hipermarketi të madh të “Euronics” vetëm pak metra larg tij është ndjerë 2-3 ditët e para.

“Në fakt, nuk ka qenë shumë e ndjeshme hapja e ‘Euronics´, por sigurisht që ndikimin e vet e pati. çdo hapje e re, çdo konkurrent i ri që vjen, sidomos kur hapet rishtazi, sepse çdo kompani bën më të mirën e vet në fillim, sigurisht që jep një lloj efekti. Ne operojmë edhe me shumicë dhe sigurisht që kemi edhe dyqanet tona, ku ndikimi i hapjes së konkurrentëve të rinj është 2-3 ditët e para. Në këtë periudhë është normale, sepse numri i vizitorëve është i madh, kurioziteti i madh, kjo është normale. Por më pas shitjet rifilluan me ritme shumë të mira. Ne, përgjithësisht, konkurrenca na ka bërë mirë”, shprehet administratori i “Neptun”, Julian Mane.

Sipas tij, ndikimi afatgjatë i shtimit të konkurrencës profesionale prek më tepër tregtarët e vegjël, d.m.th janë ata që ndjejnë goditjen më të madhe, sepse çmimet në këto lloj “minilufta” ulen dhe zhvillohen bizneset e mëdha në sektor.

Administratori i “Neptun” sqaron se kompania harton strategji afatgjata, që i bën në fillimviti, por edhe adapton në bazë të lëvizjeve të konkurrencës.

“Ajo që ka ndodhur me hapjen e konkurrentëve të rinj është që tregu është hapur, është bërë më i prekshëm edhe nga një shtresë njerëzish, që pak më parë nuk mund të ishin pjesë e tij. Konkurrenca na bën të mendojmë ndryshe, t´i përshtasim dhe t´i ndryshojmë strategjitë tona në bazë të lëvizjeve në treg, kështu që shoh shumë përfitime nga hapja e konkurrentëve të tjerë”, thotë Mane.

Ushqimorët, mekanizmat ndaj konkurrencës

“Euromax” është një rrjet i përbërë nga 16 dyqane të tregtimit kryesisht të produkteve. Këtij subjekti, por edhe të tjerëve në treg, u është shtuar së fundmi konkurrenca edhe nga një tjetër operator ndërkombëtar, “Mercator”.

Sipas drejtuesve të “Euromax”, tregu i shitjeve me pakicë është ende i pamaturuar në Shqipëri, dhe si i tillë sigurisht do të ketë hyrje dhe prurje të markave të reja.

“Për sa i përket konkurrencës, edhe pse të dyja kompanitë operojnë në të njëjtin treg, praktikisht konkurrenca midis të dyja ngushtohet vetëm tek dyqani në format hipermarketi”, thotë Bora Pollozhani, shefe e marketingut në “Euromax”.

Po drejtuesit e “Euromax” janë të vetëdijshëm se duke u përballur me sfidat të reja duhen ndryshuar dhe adaptuar edhe strategjitë, në mënyrë që të marrin një formë “kundërpërgjigjeje” ose ndoshta edhe “parandaluese” ndaj humbjeve të mundshme që mund të sjellë konkurrenca e re në treg. Dhe është pikërisht shpejtësia dhe vizioni i përdorur në këto ndryshime strategjike që adapton një kompani, ajo që dallon liderët nga ndjekësit në çdo fushë të biznesit.

Për t´u bërë sa më konkurrues në treg që nga kjo javë, kompania do të dalë në treg me 300 produkte të shportës bazë (produkte që përmbushin nevoja të përditshme të familjeve shqiptare) me një çmim pothuajse kosto.

“Për herë të parë në Shqipëri, një ‘tregtar´ pothuajse zeron marzhin e tij të fitimit për t´iu sjellë konsumatorëve çmimet më të ulëta që janë parë ndonjëherë. Për këtë arsye motoja jonë e deritanishme ka qenë “çmime të lira çdo ditë”, por duke pasur parasysh zhvillimin e tregut dhe edukimin e vazhdueshëm të konsumatorit, për të qenë konkurrues në treg nuk mjafton vetëm të konkurrosh me çmime. Tashmë duhen ofruar shërbime më të “zgjuara”, të menduara dhe të hartuara enkas për konsumatorin”, thotë Pollozhani.

Nga ana tjetër, drejtuesit e “Mercator”, që ka hyrë në tregun shqiptar në fund të vitit të kaluar me një hipermarket të madh të hapur tek City Park, kanë konfirmuar për revistën se tregu i tregtisë me pakicë në Shqipëri është i pazhvilluar, pasi operatorët e mëdhenj zënë vetëm 5% të tij. “Në një treg të tillë ka hapësirë për t´u zhvilluar dhe ne kemi përllogaritur që në pak vjet të zëmë 5% të tregut”, thonë drejtuesit e kompanisë.

Nga ana tjetër, “Euromax” po vijon me strategjitë për të ruajtur dhe rritur klientelën. Si synim për vitin 2010 për kompaninë, është prezantimi në treg i modelit të kuponëve, nëpërmjet të cilëve përfiton ulje të caktuara, duke i paraqitur në kasë; një element ky i cili nuk është përdorur më parë në tregun tonë.

Dhe kur në treg shtohet konkurrenca, përfituesi direkt më i madh në këtë rast është konsumatori. Duke “luftuar” mes tyre për të sjellë oferta sa më tërheqëse, shërbime sa më të mira, çmime sa më të ulëta, rezultati final sjell më të mirën e mundshme për klientët.

Konkurrenca e “Bëje vetë ti”

Hapja e “Praktiker” në Shqipëri shënoi hapjen e parë të një hipermarketi të tipit “Bëje vetë ti” në Shqipëri, apo siç njihet ndryshe DIY. Por nuk kaluan më shumë se dy muaj, kur në treg hyri “Megatek”, një tjetër hipermarket i tipit DIY. Deri në fund të vitit në treg pritet të hyjë me një hipermarket të madh edhe “Bricolage”, që për momentin ka një njësi të vogël tregtimi tek “Casa Italia”.

Të konkurrosh në një situatë të tillë, kur në treg nuk ke krijuar një marrëdhënie afatgjatë me klientët, sigurisht që është e vështirë, por drejtuesit e “Praktiker” thonë se ecuria gjatë kohëve të fundit ka qenë e kënaqshme dhe në nivele të pranueshme.

“Duhet të kemi parasysh që bëhet fjalë për një koncept të ri sjelljeje konsumatore ku natyrisht ‘Praktiker´ është pionieri i DIY në tregun shqiptar. Që kjo sjellje të formëzohet, duhet kohë dhe investime në marketing. Ashtu sikundër zakonet që ne krijojmë, duan vite të formohen dhe të bëhen pjesë e jetës sonë, ashtu dhe të fillosh t´i bësh gjërat vetë (DIY) si p.sh. të rregullosh kornizën apo vendosësh perden, të zëvendësosh një lavaman apo një rubinet të prishur do kohën e vet te konsumatori shqiptar”,- thotë Julian Brati, drejtor i shitjeve për “Praktiker”-in në Shqipëri.

Por megjithëse në treg kanë hyrë tashmë dy operatorë të mëdhenj, drejtuesit e “Praktiker” pranojnë se konsumatori shqiptar ka pak kulturë në shfrytëzimin e këtyre hapësirave dhe artikujve të tyre.

Nuk duhet të harrojmë dhe një fakt tjetër, që shërbimet e këtyre natyrave në treg janë ende të lira dhe njerëzit nuk shtyhen shumë drejt bërjes vetë, por paguajnë”, shprehet Brati.
Për sa i përket konkurrencës të rritur nga “Megatek”, drejtuesit e “Praktiker” e shohin si aspekt pozitiv ose si “një pasqyrë ku shihesh dhe rregullohesh, përmirësohesh çdo ditë. Mendoj se ka më shumë pluse sesa minuse”.
Nga ana tjetër, Brati thotë se “Praktiker” është një kompani me emër në tregun evropian, me një “know how” të konsoliduar në biznesin e DIY.

Shërbimi ndaj klientit mendojmë se është një pikë e fortë ku nga dita-ditës mundohemi ta përmirësojmë. Ne po përpiqemi të ofrojmë zgjidhje ekonomike dhe një shpenzim efektiv të kohës nga ana e konsumatorit. Mendojmë se mënyra si është konceptuar marketi ynë në të gjitha termat e tij krijon një ngrohtësi dhe një incentivë për të blerë dhe për t´u ndjerë mirë”, thotë drejtori i shitjeve.

Hapja e këtyre hipermarkteve përkon edhe me një periudhë të vështirë për sektorin e ndërtimit, por sipas “Praktiker” është në fillimet e ndërtimit të saj dhe efektet janë të përkohshme .

“Duhet të kemi parasysh që ne nuk jemi vetëm shitës me pakicë, por ndërtues të një koncepti të ri në jetën shqiptare, atë të bërit vetë të gjërave në shtëpi. Nëse ke ide dhe ofron zgjidhje për konsumatorin, atëherë kohët e krizave kthehen në përfitime dhe avantazhe tregu. Është një kohë kur ne do t´i tregojmë konsumatorit që ne ofrojmë jo vetëm çmime, por dhe zgjidhje me leverdi për të në këto kohëra të vështira”, thotë Brati.

EFEKTI/ Drejtuesit e tregtisë me pakicë në vend konfirmojnë pasojat e krizës që nga muaji nëntor

Festat, jo ajo që pritej

Ajo që ka qenë ndryshe gjatë vitit 2009 ishte ecuria e festave të fundvitit. Sipas drejtuesve të QTU-së dhe të “Neptun”, festat e fundvitit ishin të mira në shitje, por jo aq të mira sa të 2008-s. “Së paku ruajtëm të njëjtat nivele, ndonëse prisnim një rritje. Rënia filloi që nga muaji nëntor”, thotë Julian Mane i “Neptun”.

Sipas të dhënave nga kompania, janë pikërisht emigrantët të cilët kanë një efekt të madh të ekonomi, sepse në periudhat kur ata vijnë në Shqipëri, në gusht dhe dhjetor, janë edhe shitjet më të mëdha.

“Ka një efekt të të ardhurit me vonesë të krizës në Shqipëri. Dërgesat e emigrantëve kanë pësuar një lloj rënieje dhe kjo reflektohet direkt tek ekonomia jonë. Vera ishte një periudhë shumë e mirë, ndryshe nga ç´pritej efektet negative po ndihen që nga nëntori edhe tani në janar”, shton Mane.

Edhe administratori i QTU-së, Samir Mane, pret që 6 muajt e parë të vitit të jenë të vështirë, vetëm si rrjedhojë e reduktimit të parave të emigrantëve në vend. “Përmirësimin e presim pas muajit qershor”, thotë Mane.

Edhe për “Euromax” zinxhirin ushqimor të tregtisë me pakicë, viti 2009 nuk ka qenë fort i mirë. “Gjatë vitit 2009 e gjithë bota financiare përjetoi një krizë të thellë, e cila u pasqyrua edhe në xhepat e njerëzve të thjeshtë, shumë prej të cilëve humbën vendet e punës apo thjesht u detyruan ‘të shtrëngojnë rripin´ me shpenzimet e tyre. Edhe Shqipëria nuk përbën një përjashtim nga ky trend negativ. Mund të themi se shporta mesatare ka pësuar një rënie gjatë vitit 2009”, thotë shefja e marketingut në “Euromax”, Bora Pollozhani. Megjithatë, parashikimet e kompanisë për vitin 2010 nuk janë aspak të zymta, përkundrazi parashikohet një rritje.

375 m2/1000 banorë qendra tregtare

Sipas të dhënave nga Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit të pasurive të paluajtshme, “Colliers International” dhe nga operatorët vendas në Shqipëri, aktualisht rezultojnë 125 m2 sipërfaqe qendër tregtare për çdo 1,000 banorë, me një total prej 430,000 m2 sipërfaqe. Por duke pasur parasysh se këto qendra janë në masën 95% veçse në Tiranë dhe në Durrës rezulton se për këta banorë raporti është në 375 m2/1000 banorë. Edhe kjo shifër përsëri është mjaft më e ulët në krahasim me vendet e zhvilluara të Europës Lindore dhe atyre të Europës Perëndimore.

Në katër vitet e fundit, tregu i pakicës në Shqipëri ka pësuar një rritje domethënëse. Tregtarët në Tiranë janë kryesisht të vegjël, biznese familjare që sheshin veshje, këpucë dhe aksesorë, por shumë prej tyre kanë hapur njësitë e tyre të tregtimit në qendra tregtare.

Qendra e parë tregtare në Tiranë dhe Shqipëri ishte Qendra Tregtare Univers (QTU), e cila dy vjet pas nisjes së aktivitetit e dyfishoi sipërfaqen e saj dhe që atëherë sektori është në rritje të pandalshme.

Gjatë vitit 2007, e gjithë sipërfaqja e tregtisë me pakicë në Tiranë u rrit me 44%.

Afër fundit të vitit 2007, rreth 31,000 metra katrorë sipërfaqe tregtare u shtua në Tiranë, sipas “Colliers”.

Aktualisht ka 9-10 hapësira tregtare në Tiranë. Katër prej tyre ofrojnë një kompleks shërbimesh, jo vetëm “shopping” dhe janë të lokalizuara në qendër të Tiranës: “European Trade Center”, “Galeria”, “Twin Towers”, “Torre Drini” “Shopping Center”, “Sheraton Shopping Plaza”, “Kristal” dhe dy të tjera janë në pjesën perëndimore të qytetit, Qendra Tregtare Univers (QTU) “Casa Italia” dhe “City Park”.

Tri qendra të tjera tregtare, “Blue Star”, “Galaktik” dhe “Flagship Center” ndodhen në qytetin e Durrësit, vetëm 38 kilometra larg kryeqytetit. Ndërkohë një tjetër qendër është në Vlorë dhe një Fier.

Sipas “Colliers”, oferta e kufizuar e tokave të lira pranë qendrës nxiti zhvillimin e qendrave të mëdha të tipit të QTU-së, që ofron një hapësirë të madhe tregtare, më shumë se 50,000 m2, dhe “Casa Italia” me 20,000 m2.

“Cilësia e ofertave të qendrave tregtare mbetet e kufizuar dhe shumë prej atyre aktuale kanë hapësira të vogla tregtimi dhe parkim të papërshtatshëm”, thotë “Colliers”.

Qiratë për ambientet tregtuese në rrugët kryesore të kryeqytetit variojnë nga 15-67 euro/m2, ku çmimet në qendrat më të frekuentuara kapin maksimumin.

Ndërsa çmimet e shitjes së njësive të tregtimit në Tiranë janë të ngjashme me ato në vendeve të tjera të Europës Lindore. çmimet më të larta të shitjes së ambienteve tregtare të regjistruara janë në bulevardin kryesor dhe në zonën e “Bllokut” dhe variojnë nga 1500-4000 euro/m.

Nga Laura çela

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of