Flet Eugen Skermo, administrator i Kompanisë “Mjaltë Morava”
Si ka qenë ecuria e biznesit tuaj ndër vite?
Ky është një biznes familjar. Duke filluar nga gjyshi, pastaj babai imka nisur që në vitet e komunizmit, në 1971, si përgjegjës i rajonit të Korçës, për parqet e bletëve. Me kalimin e viteve u rrit profesionalisht dhe me ardhjen e demokracisë pas 1990 dhe me privatizimin e pronave, babai privatizoi një park të vogël, të cilin e projektoi si biznes. Në fillim, e kemi nisur me pak koshere, deri më sot, me stabilimentin që kemi investuar me kalimin e viteve.
Tregtinë e nisëm në Korçë, duke shitur me njerëzit e njohur. Më vonë, synuam panairet. Kemi qenë pjesëmarrës në panairet e para të zhvilluara në Shqipëri, në vitet 1992, 1993, në Korçë dhe më pas në Tiranë. Më pas, gjithnjë i kemi ndjekur panairet, duke qenë se është një formë promovimi dhe përballje direkt me klientin.
Synuam me kalimin e viteve edhe panairet jashtë, gjë që na bëri që të lindin edhe kërkesat për eksporte. Ne jemi biznes me cikël të mbyllur: prodhues, grumbullues, tregtues, si dhe eksportues. Duke pasur probleme me Europën për eksportet, kemi synuar tregjet alternative: SHBA, Kinë, Singapor, Japoni, Vendet Arabe.
A janë këto tregje potenciale për eksport?
Janë shumë potenciale, por ne nuk kemi kapacitete. Ne mund të kemi 365 mijë koshere në Shqipëri, por kemi rendimentin më të ulët në rajon të prodhimit të mjaltit. N.q.s. Greqia e ka mesatarisht 30 kg/koshere, ne e kemi përafërsisht 10kg/koshere. Pra, tregjet aziatike janë me potenciale të larta, por ne nuk arrijmë që t’i furnizojmë sipas kërkesës së tyre.
Çfarë problematike qëndron me eksportin e mjaltit në Europë?
Bashkimi Europian i ka ndaluar eksportet e të gjitha prodhimeve me origjinë shtazore, në të cilat bën pjesë edhe mjalti. Ku qëndron problemi? Mendohet se trupat certifikuese kanë ardhur nga BE për inspektim dhe nuk kanë gjetur standardet e duhura. Unë nuk e di se ku kanë shkuar për inspektim, në ndonjë fshat ose në fermerë të vegjël me 10 koshere. Nuk kanë marrë informacionin e mirëfilltë, e para nga Ministria, më pas që të shkojnë te prodhuesit potencialë.
Mendoj se më tepër është një çështje që nuk kanë marrë masat për të vijuar ose për të lobuar në këtë drejtim që të certifikohemi. Pra, duhet marrë seriozisht edhe nga instancat shtetërore që të kryhet një studim tregu i mirëfilltë në këtë sektor dhe më pas, të nisin negociatat për tregtimin e këtyre produkteve me origjinë shtazore, si mjalti.
Çfarë vështirësish ka sektori i bletarisë në vend?
Rikthehemi te çështja e rendimentit të ulët të prodhimit të mjaltit. Kjo ndodh sepse nuk punohet siç duhet me bletët. Fermeri punon në shumë: punon me tokën, me bagëti, me mjaltin. Nuk është i fokusuar dhe i drejtuar në një sektor specifik prodhimi ose produkti, që ta bëjë atë shumë mirë. Shumica e fermerëve që merren edhe me bletarinë, janë me më pak se 50 koshere të regjistruara sipas Censusit. Ekziston një përqindje e vogël që kanë më shumë se 50. Nuk ka ferma të mëdha Shqipëria.
Maksimalja është me 400-500 koshere. Mendoj se duhet të fokusohen më shumë te prodhimi i mjaltit, pasi ka kërkesa dhe nuk ka prodhim. Ne si grumbullues, ndiejmë vështirësi në grumbullimin e mjaltit. Pavarësisht se thuhet se ka prodhim, në të vërtetë, nuk ka. Supozohet që ne bëjmë një konsum të lartë të mjaltit, gjë që dyshoj se ekziston në shifra të tilla.
Sa shqetësuese janë spërkatjet me pesticide për prodhuesit e mjaltit?
Po ka pasur probleme. Vjet në Korçë, në një park me rreth 200 bletë, vdiqën për shkak të disa spërkatjeve me pesticide të forta. Problemi qëndron se fermerët duhet të lajmërojnë, dhe jo në orët që bletët janë në kulmin e kullotës. Nga ana tjetër, problem është lloji i pesticideve që përdorin, që në shumë raste është i pakontrolluar.
Fakt shqetësues janë dhe sëmundjet e bletës. Varroatoza dhe Nosematoza. Të shihet mundësia e subvencionimit nga shteti për luftimin e këtyre së mundjeve. Shërbimi veterinar duhet të organizojë,drejtojë dhe koordinojë në të njëjtën kohë në të gjithë zonat, sepse ka bletarë që nuk i kurojnë si duhet dhe bëhet rrezik që të infektohen parqe të shëndoshë.
Çfarë mendoni se duhet bërë në drejtimin e fuqizimit të bletarisë në vend?
E para, shteti jep subvencione për fermerët që kanë më shumë se 50 koshere, 1000 lekë/koshere. Mendoj se, në drejtim që të rritet prodhimi i mjaltit dhe të shmanget çdo manipulim i mundshëm, duhet që subvencioni të jepet për njësi prodhimi, përveç numrit të koshereve. Subvencioni nuk shkon asnjëherë te fermeri i vogël, që të nxitet që të merret më tepër me bletarinë, të rrisë numrin e koshereve, kapacitetin etj.
Kemi marrë informacione që do të jepen subvencione për grumbullimin, por në gjykimin tonë, ndihma duhet të jepet direkt për prodhim. N.q.s. nuk punojmë për shtimin e koshereve dhe për rendiment më të lartë prodhimi, nuk kemi se çfarë të grumbullojmë.
Duhet të ketë ndihmë direkt te bletërritësit me pajisje bletarie si centrifuga dhe materiale ndihmëse. Një shembull: Komuna e Pejës, në Kosovë, ka shpërndarë vjet 51 centrifuga mjalti për bletarët e rinj.
E dyta, ndihma që duhet të ofrojë shteti për kapacitetet ekzistuese që kemi. Kapaciteti që kemi si kompani është i madh, ne mund të paketojmë deri në 1 ton mjaltë në ditë, por nuk i përgjigjet tregut dhe prodhimit. Ne punojmë me 10% të kapacitetit. Kemi 10 vjet që eksportojmë, tregjet i kemi gjetur në mënyrë individuale,me ndihma minimale dhe nuk kemi marrëveshje të mirëfillta nga shteti, që të na orientojë dhe ndihmojë. Nuk i bëjmë dot vetë të gjitha, edhe të ndjekim tregun.
Duhet që shteti, ambasadat të ndërhyjnë që të bëhet diçka në këtë drejtim. P.sh.,në Kinë, kërkesa për mjaltin shqiptar është shumë e lartë, por nuk ka një marrëveshje me shtetin kinez. Prej 4 vitesh që shkoj nëpër panaire, gjithnjë ka kërkesa për cilësinë e mjaltit tonë, por mungon marrëveshja që do të na lejonte që të nënshkruhet një kontratë për tregtimin atje.
Kjo çalon nga pala jonë, pasi duhet që të nënshkruhet një marrëveshje nga një grup-pune me Ministrinë tonë të Bujqësisë, Ekonomisë dhe atë të Jashtme, që përcakton detaje si taksimi etj. Më pas, pala kineze dërgon trupa certifikuese, që të mund të bësh kontratat me tregtarët direkt. Në tregtinë individuale gjatë panaireve që kemi bërë në Kinë, taksohemi shumë shtrenjtë, rreth 50%, duke qenë se mungon marrëveshja, ata e kanë të hapur kuotën që duan të na taksojnë. Me shtetet e tjera e kanë 8%. Pra, shteti duhet të bëjë diçka edhe në këtë drejtim.
E treta, ne nuk jemi konkurrues në rajon. Duke parë Maqedoninë, Serbinë, Greqinë etj., duke qenë se prodhojnë më shumë, janë më konkurrues në çmim. Subvencionet nga shteti janë të larta, në të gjitha hallkat: prodhim, grumbullim, si dhe eksport.
E katërta, një problematikë ekzistuese është pragu i vendosur për blerjet e mjaltit. Minimumi i blerjeve me para cash është 15 mijë lekë në ditë. Duhet të ketë marrëveshje me kontratë, fermeri të jetë i pajisur me NIPT, llogari në bankë etj. Me NIPT janë të pajisur të gjithë ata, por si mund të bindësh një fermer nga një zonë e thellë që të hapë llogari bankare? Ata duan t’i shohin paratë me sy. Me koston që ka mjalti, i bie që të blejmë shumë pak sasi në ditë, as 20 kg. Ka fermerë që më kontaktojnë që t’i ble 50-100 kg, i bie që ne të shkojmë disa ditë me radhë që ta blejmë sipas rregullave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.