Durrësi rikthehet në modë

08/05/2018 9:53 AM 0 komente

Tregu i pasurive të paluajtshme në bregdetin e Durrësit ka filluar të gjallërohet këtë pranverë. Ndryshe nga vitet e kaluara, ku segmenti i tregut të pasurive të paluajtshme në tregun e Durrësit ishte në stanjacion të plotë dhe askush nuk ia hidhte sytë, këtë fillim sezoni ka nisur të gjallërohet. Agjencitë e pasurive të paluajtshme tregojnë se krahas ofertës, është rritur kërkesa dhe interesimi për bregdetin, të cilat po finalizohen

 

Nga Ledina Loga

 

Prej vitesh, pasuritë e paluajtshme në bregdetin e Durrësit konsideroheshin të mbetura stok dhe asnjë i interesuar për të blerë shtëpi pushimi nuk i hidhte sytë drejt tij. Mirëpo, së fundmi, agjencitë e pasurive të paluajtshme pohojnë se është rritur interesi për bregdetin e Durrësit.
Për 45-50 mijë euro mund të blesh një shtëpi në bregdetin e Durrësit, me një sipërfaqe mesatare. Sipas inxhiniere Xheni Jahja nga Tirana Real Estate, çmimet mesatare për apartamentet e pushimit në bregdetin e Durrësit variojnë nga 400-500 euro për metër katror.
Pas një periudhe thuajse të vdekur për tregun imobiliar në Durrës, është shtuar kërkesa për këtë zonë, veçanërisht nga shqiptarët e diasporës, shtoi Jahja për “Monitor”.

Kriza në tregun imobiliar në Durrës uli ndjeshëm çmimet e apartamenteve në atë zonë, madje në disa raste edhe nën kostot e ndërtimit. Duke përfituar edhe nga kjo ulje e madhe në çmim, për të gjithë zonën e plazhit të Durrësit, ka nisur të gjallërohet kërkesa për pasuritë e paluajtshme në bregdetin e Durrësit. Blerja e një apartamenti në bregdetin e Durrësit, sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, është një zgjedhje kryesisht ekonomike për ata që nuk kërkojnë të shpenzojnë shumë për shtëpinë e plazhit.
Tendenca e gjallërimit e bregdetit të Durrësit nisi që vitin e shkuar, ku kërkesat për të pushuar në këtë zonë rezultoi më e lartë se Saranda apo Vlora.

Përmirësimi i infrastrukturës, rregullimi i plazheve dhe mbajtja pastër e rërës, janë ndër faktorët kryesorë që po tërheqin sërish turistët nga plazhi i Durrësit. Faktorët që ndikuan në zhvlerësimin e banesave në zonën e Durrësit, sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, ishin ndërtimi pa kriter, pa ndonjë cilësi, u prenë pemët dhe infrastruktura e dobët.

 

Çmimet e lira tërheqin blerësit

Pasi çmimet prekën dyshemenë, në zonën e Shkëmbit të Kavajës mund të gjeje edhe apartamente me çmim 290 euro për metër katror. Ulja e çmimeve në minimum ka bërë që zona të tërheqë blerës me mundësi të kufizuara ekonomike.
Arsyeja kryesore përse po tërhiqen individët drejt bregdetit të Durrësit janë pikërisht çmimet e ulëta. Sipas të dhënave nga agjencitë kryesore të pasurive të paluajtshme në vend, çmimet variojnë nga 400 euro për metër katror në 850-900 euro, në varësi të vendndodhjes. Zonat me çmime më të lira janë pranë kompleksit Dolce Vita, në zonën e Hekurudhës, pranë hotel Adriatikut, dhe zona e Plazhit.

Zonat me çmime më të shtrenjta, që janë edhe më elitare për sa u përket ndërtimeve, sipas ofertave të publikuara nga agjencitë e pasurive të paluajtshme janë Golemi dhe Qerreti. Në të dyja këto zona nuk është abuzuar me ndërtimin, janë ruajtur pishat dhe infrastruktura është përmirësuar.
Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, përveç zonës së vendndodhjes së apartamentit është edhe cilësia e ndërtimit, apo fakti nëse është në një kompleks banimi apo në një pallat të veçuar pa lehtësi në infrastrukturë. Në çmim ndikon edhe fakti nëse apartamenti ndodhet në vijën e parë apo pas rrugës.

 

Mundësi e mirë investimi

Klajdi Memajdini, nga DevInf, tha për “Monitor” se blerja e apartamenteve si shtëpi pushimi, po shikohet edhe si një mundësi e mirë investimi. Vetëm gjatë pikut të sezonit të verës, ku agjentët e pasurive të paluajtshme parashikojnë ditë të zëna gjatë gjithë muajit, një shtëpi e mirë në kompleks banimi, mund të nxjerrë deri në 1000 euro të ardhura në muaj. Megjithatë, ata shtojnë se sezoni turistik në vitet e fundit është shtrirë në kohë, nga mesi i prillit deri në mesin e tetorit.

Për Klajdi Memajdinin, blerja një apartamenti në bregdet është një mundësi e mirë investimi, pasi në verë ka gjithmonë kërkesë për qira. Të ardhurat që nxirren nga sezoni veror janë thuajse të barabarta me të ardhurat që merren nga dhënia me qira e një apartamenti në Tiranë gjatë gjithë vitit.

Kthimi për një apartament në bregdet, duke marrë në konsideratë rritjen e sektorit të turizmit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të zonës, është më i shpejtë se në kryeqytet. Ndërkohë që amortizimi i apartamentit është më i ulët, duke qenë se nuk përdoret gjatë gjithë vitit, por vetëm në sezonin turistik.

 

Në Vlorë kërkojnë më shumë të huajt

Për Ilir Konomin nga agjencia e pasurive të paluajtshme Albania Property Group, ajo çka vihet re këtë pranverë ka qenë rritja e kërkesës nga të huajt për apartamente në bregdetin e Vlorës. Në ndryshim nga Durrësi, kur kërkesa vinte kryesisht nga shqiptarë që jetonin dhe punonin jashtë, në Vlorë, kërkesa po vjen prej të huajve.
Sipas zotit Konomi, sipërfaqet e shtëpive që kërkojnë të huajt në Shqipëri janë modeste. Në vijën e parë të pallateve në Vlorë, çmimi mesatar luhatet 800-900 euro për metër në katror. Kërkesa më e madhe për shtëpi pushimi në Shqipëri po vjen nga polakët. Duke qenë se ka pasur bashkëpunim me agjenci dhe individë në Poloni, për të sjellë polakë jo vetëm si turistë, por edhe si blerës potencialë në bregdetin Vlorës.

Kohët e fundit është rritur interesi edhe nga polakët, bullgarët dhe ukrainasit, të cilët, pasi e kanë vizituar Shqipërinë si turistë, kërkojnë që të blejnë një apartament në një nga zonat bregdetare të Shqipërisë. Më ndryshe paraqitet tregu i apartamenteve të Jug të vendit, që po mbahet nga kërkesat e të huajve. Më të interesuar duket se janë blerësit nga vendet nordike, veçanërisht norvegjezët. Turistët nga vendet nordike, me 30-40 mijë euro, kanë blerë një apartament.

Sipas portalit Numbeo, nga të gjitha vendet bregdetare të rajonit, Shqipëria ka kostot më të ulëta të jetesës. Kroacia dhe Greqia kanë indeks më të lartë se 50, ndërsa Shqipëria e ka këtë indeks 37.8, duke u renditur e 35-a nga 40 vendet e Europës.
Indeksi i kostove të jetesës është një tregues relativ i çmimeve të mallrave të konsumit, duke përfshirë ushqimet, restorantet, transportin dhe shërbimet. Indeksi i kostos së jetesës nuk përfshin shpenzimet e akomodimit si qiraja ose hipoteka. Nëse një qytet ka një Indeks të Kostos së Jetës prej 120, kjo do të thotë se Numbeo vlerëson se është 20% më e shtrenjtë se Nju Jorku (me përjashtim të qirasë).

 

Ndryshon tendenca

Në ndryshim nga viti i kaluar, kur pati gjallërim të segmentit të vilave në bregdet në tregun imobiliar, këtë vit, kërkesa ka qenë e fokusuar tek apartamentet. Kohët e fundit, sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, njerëzit janë bërë më kërkues. Agjencitë e pasurive të paluajtshme raportonin një vit më parë se, kërkesat për të shtëpi në bregdet ishin të përqendruara në komplekset turistike, kryesisht fshatrat turistikë.

Sipas Dritan Cakës, nga agjencia e pasurive të paluajtshme DevInf, i pyetur një vit më parë, kishte rritje të kërkesës për vila në bregdet, veçanërisht në fshatrat turistikë, ndërkohë që tregu i apartamenteve kishte mbetur në vend. Për sa i përket profilit të blerësve, vitin e shkuar, ishin blerës me të ardhura mbi mesataren. Ndërsa gjatë këtij viti, kërkesa ka qenë më ekonomike.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of