Komiteti norvegjez i Nobel vendosi t’u japë Çmimin Nobel për Paqen këtë vit dy gazetarëve Maria Ressa dhe Dmitry Muratov, për përpjekjet e tyre për të mbrojtur lirinë e fjalës, që është një parakusht i demokracisë dhe paqes në afatgjatë.
Znj. Ressa dhe z. Muratov vlerësohen me Çmimin Nobel për Paqen për luftën e tyre të guximshme për lirinë e fjalës në Filipine dhe Rusi. Në të njëjtën kohë ata janë përfaqësues të të gjithë gazetarëve që luftojnë për këtë ideal në një botë ku demokracia dhe liria e shtypit përballen me kushte gjithnjë e më të pavaforshme.
Gazetaria e lirë, e pavarur dhe e mbështetur në fakte shërben për mbrojtjen kundër abuzimeve të pushtetit, gënjeshtrave dhe nga propaganda e luftës.
Komiteti norvegjez i Nobelit është i bindur se liria e fjalës dhe liria e informimit ndihmojnë në sigurimin e një publiku të informuar. Këto të drejta janë parakushte të rëndësishme për demokracinë dhe mbrojnë nga lufta dhe konfliktet. Vlerësimi i Maria Ressa dhe Dmitry Muratov me Çmimin Nobel për Paqen synon të theksojë rëndësinë për të mbrojtur këto të drejta të rëndësishme.
Znj. Ressa, e cila ka bashkëthemeluar faqen e lajmeve Rappler, është vlerësuar pasi ka përdorur lirinë e fjalës “për të denoncuar abuzimin e pushtetit, përdorimin e dhunës dhe rritjen e autoritarizmit në vendlindjen e saj, Filipine”.
Komiteti tha se z. Muratov, i cili ka bashkëthemeluar gazetën e pavarur Novaja Gazeta, ka mbrojtur për dekada lirinë e fjalës në Rusi, në kushte gjithnjë e më të vështira.
Çmimi synon të nderojë një individ apo organizatë “që ka bërë maksimumin apo punën më të mirë për vëllazërinë mes kombeve”.
Fituesit e çmimit prestigjioz, me vlerë 10 milionë krona suedeze (1.1 milionë dollarë), u zgjodhën mes 329 kandidatëve. / BBC