Në dy muajt e parë të vitit 2020 kur kriza e koronavirusit ende nuk kishte filluar të ardhurat buxhetore shënuar një rritje 3 për qind në raport me një vit më parë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave gjatë dy mujorit u grumbulluan 70,8 miliardë lekë ose 2,1 miliardë lekë (17 mln euro) më shumë.
Por rezultatet e të ardhurave për dy mujorin ishin më të ulta se planifikimet me rreth 1,5 miliardë lekë ose, me -1,5 për qind më pak se plani në buxhetin fillestar të vitit.
Vendi arriti të përmirësojë grumbullimet tatimore në shifra modeste edhe pse tërmeti I madh I 26 nëntorit paralizoi ekonominë e Durrësit për disa muaj, por kriza që po krijon emergjenca e Covid -19 do të vërë ekonominë e vendit para një vështirësie të re që do të kërkojë kohë për rikuperim.
Të dhënat tregojnë se rezultatet në raport me një vit më parë u përmirësuan nga të ardhurat tatimore dhe arkëtimet më të larta se një vit më parë në zërat kryesore të tatimeve dhe taksave. Të ardhurat tatimore arritën në 66,9 miliardë lekë ose 3.7 për qind më të larta se dy-mujori I një viti më parë.
Të ardhurat nga TVSH ishin 1,2 miliardë lekë më të larta se vitin 2019 me një rritje vjetore 6.4%. Arsye për këtë rritje lidhet me rezultatin e dobët që patën arkëtimet nga TVSH-ja në dy mujorin e parë të vitit 2019.
Përmirësime u vunë re edhe në arkëtimet e Tatimit mbi Fitimin dhe Akcizës, ku të ardhurat në raport me dy mujorin e parë 2019 u rriten përkatësisht me 11 dhe 12 %. Përmirësimet në arkëtimet e akcizës erdhën për shkak të importeve më të larta të karburanteve në këtë periudhe.
Nuk patën të njëjtën ecuri të ardhurat nga Tatimi I të Ardhurave personale. Të cilat shënuan një rënie me 7 % në raport me janar-shkurt 2019. Vitin e kaluar arkëtimet nga TAP ishin më të larta për shkak të efektit që dha ulja e dividentit.
Gjithashtu më rritje ishin edhe të ardhurat e arkëtuara nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të cilat shënuan rritje përkatësisht me 5.1 % secila.
Frenohen shpenzimet, ulje vjetore me 1,1 %
Teksa të ardhurat u rriten në dy muajt e parë, shpenzimet buxhetore ishin më të ulta se ato të një viti më parë. Në janar-mars 2020 u shpenzuan 66,8 miliardë lekë, ose 724 milionë lekë më pak se viti 2019. Totali I shpenzimeve gjithashtu ishte -7.8 për qind më I ulët se plani I periudhës.
Megjithatë shpenzimet korrente ishin më të larta se një vit më parë me rreth 3 miliardë lekë ose 5 % më të larta, por gjithashtu ato ishin 2 për qind poshtë planit të periudhës.
Shpenzimet për interesa ishin me ulje edhe këtë vit me rreth 4% në raport me vitin 2019.
Por rënia më e fortë ishte në shpenzimet kapitale. Gjatë dy mujorit 2020 shpenzimet për investime ishin vetëm1,9 miliardë lekë me një rënie 62 për qind në raport me një vit më parë dhe 47 për qind në raport me planin e periudhës. Zëri I investimeve në buxhetin fillestar të vitit 2020 ishte më I ulët se I vitit 2019.
Por pavarësisht se të ardhurat janë rritur me shumë se 2019 dhe shpenzimet janë ulur, deficiti buxhetor është zgjeruar me 2017 për qind në raport me një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.