Publikim i Artikullit të Sponsorizuar

Dy produkte të reja sigurimi Jete nga SiCRED dhe rritje e cilësisë së shërbimit për produktet ekzistuese.

06/04/2021 9:52 AM

Dy produkte të reja sigurimi Jete nga SiCRED dhe rritje e cilësisë së shërbimit për produktet ekzistuese.

Mbi 340.000 Euro dëme dhe mbi 120 klientë janë dëmshpërblyer dhe trajtuar nga SiCRED si pasojë e COVID-19, nga fillimi i pandemisë.

Intervistë me z. Genc Koxhaj, Drejtor i Përgjithshëm i SiCRED sh.a., Shoqëri Sigurimi Jete dhe Zv. President i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimit


Cili është ndikimi i pandemisë së COVID-19 në tregun Shqiptar të Sigurimeve?

Pandemia, që në Shqipëri i ka nisur efektet e saja në fillim të 2020, padyshim siç ka ndikuar negativisht të gjithë ekonominë botërore dhe Shqiptare, i ka shtrirë pasojat e saja edhe në tregun e sigurimeve në Shqipëri. Sidoqoftë, impakti negativ në tregun e sigurimeve të Jetës është më i ndjeshëm, pasi në këtë sektor, përveç ndikimit prej ngadalësimit të motorëve të ekonomisë e pothuaj stopimit të lëvizjes së njerëzve jashtë kufijve të Shqipërisë, pandemia në veçanti ka shtuar efektet negative për shkak të specifikave të mbulimit që ka ky sektor tek konsumatori në tërësi.

Cilat janë specifikat e kontratave të sigurimeve të Jetës në përgjithësi dhe çfarë ka ofruar SiCRED për klientët e saj përpara dhe gjatë pandemisë?

Sigurimet e Jetës janë një mbrojte tipike e konsumatorit në raste pandemish. Nëse do të bënim një paralelizëm, ashtu siç qytetarët lidhin kontrata sigurimi për tërmetet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore, po ashtu edhe në rastin e sigurimeve të Jetës individët, që kanë të siguruar Jetën, janë të mbrojtur në rastin e pandemive. Vetëm për produkte me mbulime të përcaktuara, si ai i mbulimeve të sëmundjeve kritike, sigurimit të aksidenteve apo shëndetit, apo kur janë të përjashtuara pandemitë, dëmet nga COVID-19 nuk do të mbuloheshin. Si rregull i përgjithshëm, kontrata e Sigurimit të Jetës duhet të dëmshpërblejë përfituesit ligjorë për dëme që vijnë si pasojë e COVID-19. Po kështu edhe kontratat e sigurimit të Shëndetit në përgjithësi duhet të garantojnë apo dëmshpërblejnë shpenzimet shëndetësore të të siguruarit. Gjithsesi kjo mbetet për t’u përcaktuar sipas politikave të vetë shoqërisë së sigurimit të Jetës. Gjithashtu i rëndësishëm është edhe fakti si janë ndërtuar marrëveshjet e shoqërive të sigurimit me partnerët e tyre të huaj, kur risku në këto kontrata cedohet në shoqëri risigurimi.

SiCRED aktualisht nuk ka bërë ndryshime në politikat e saja në lidhje me kushtet e kontratave dhe i mbulon klientët e saj edhe për dëme që kanë ardhur si pasojë e COVID-19 duke përjashtuar kontratat e sigurimit me përfitime të përcaktuara. Politikat tona të menaxhimit të riskut, procedurat e kujdesshme të marrjes në sigurim, transferimi i mjaftueshëm i përgjegjësisë tek shoqëritë prestigjioze ndërkombëtare risiguruese në mënyrë direkte apo me ndërmjetës të kualifikuar e me reputacion në këtë fushë, kanë bërë të mundur që SiCRED tu përgjigjet me korrektësi të gjitha kërkesave për dëmshpërblim, konform kushteve të kontratave dhe situatës.


Cili është impakti konkret i pandemisë në SiCRED?

Viti 2020 dhe parashikimet për vitin 2021 kanë sjellë rritje të konsiderueshme të kërkesave për dëmshpërblim si dhe të provigjionimeve, veçanërisht si pasojë e COVID-19. Duke pasur parasysh intensitetin në rritje të infektimeve, këto pasoja kanë qenë të pritshme edhe për ne. Konkretisht SiCRED ka trajtuar rreth 120 klientë, raste për dëme me pasojë vdekjen, si dhe dëme shëndetësore ku përfshihen garanci pagese për vizita mjekësore, shtrime në spital, medikamente; apo rimbursime po për këto kategori shpenzimesh. Kryesisht pagesat kanë qenë për shpenzime të kryera në Shqipëri, por ka pasur edhe raste që të siguruarit janë trajtuar edhe jashtë kufijve të vendit, për trajtim më të specializuar. Totali i vlerave të garantuara, paguara, rimbursuara apo në trajtim deri më sot për SiCRED për shkak vetëm të pandemisë është në vlerat e rreth 340.000 Euro.

A është rritur interesi i Shqiptarëve për Sigurim Jete apo Shëndeti në këtë periudhë pandemie?

Padyshim që ka një interes më të lartë. Sidoqoftë nevojitet që konsumatori të ketë një informacion më të gjerë për këto produkte. Interesant është fakti që pothuajse të gjithë institucionet financiare kredidhënëse kanë një interes të shtuar për produktet tona, pasi e shikojnë kontratën e Sigurimit të Jetës për Hua si një instrument të përshtatshëm për menaxhimin e riskut të mospagimit të huas në këtë situatë, ku risku i ndërrimit të jetës si pasojë e COVID-19 është shtuar. Sipas të dhënave paraprake nga INSTAT, mortaliteti është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2020, por nevojiten të dhëna shtesë e më të detajuara për të dalë në përfundime të sakta. Gjithashtu, së fundmi, korporata, biznese private, si dhe institucione shtetërore kërkojnë të sigurohen dhe në kontratat ekzistuese të sigurimit të përfshihet edhe risku i mbulimit të vdekjes natyrore nga COVID-19, si dhe mbulimi i pagesave për shpenzime shëndetësore si pasojë e tij.

Në ç’nivel është kultura e sigurimeve të Jetës në Shqipëri dhe si ka qënë ecuria e SiCRED?

Është interesante të thuhet se sigurimet e Jetës në Shqipëri i gjen përpara luftës së dytë botërore. Janë disa shoqëri sigurimi të mirënjohura Italiane që kanë qenë prezente në tregun Shqiptar të Sigurimeve të Jetës. Shtresa e mesme e popullsisë, sidomos ato që ishin shkolluar jashtë apo që kishin aktivitete tregtare, e ka pasur në kulturë sigurimin e Jetës i cili ka qenë totalisht vullnetar. Gjatë viteve 30 – 40 të shekullit XIX, sigurimi i Jetës ka pasur një penetrim të kënaqshëm duke pasur parasysh nivelin ekonomik të atëhershëm. Po kështu sipërmarrjet private i siguronin rëndom dyqanet dhe magazinat e tyre nga zjarri e katastrofat natyrore. Edhe dërgesat kryesisht nëpërmjet rrugëve detare siguroheshin me mbulimin e sigurimit të mallrave në tregjet e specializuara të Lloyds’ nëpërmjet agjencive të tyre përfaqësuese në Shqipëri apo në vendet me të cilat bëhej shkëmbimi i mallit. Pra kultura e sigurimit ka qenë prezente. Stafi i Marketingut dhe Zhvillimit të Produkteve këtu në SiCRED ka bërë një studim të zgjeruar për këtë dhe rezulton që përveç shoqërive Italiane, për të hyrë në tregun Shqiptar të sigurimeve kanë pasur interes dhe shoqëri sigurimesh të tjera, që operonin në rajon. Pra sigurimet në Shqipëri kanë një historik dhe kulturë të hershme, gati 100 vjeçare. Sigurimet vijuan të ekzistonin në Shqipëri edhe pas luftës së dytë Botërore dhe këtë funksion e kryente Drejtoria e Përgjithshme e Kursimeve dhe Sigurimeve. Gjithashtu koncepti i agjentit ka ekzistuar deri vonë, edhe pas vitit 1970, deri në momentin që kushtetuta e re ndaloi me ligj pronën private dhe sigurimi i pronës nuk kishte më në vetvete konceptin e interesit të sigurueshëm. Ky boshllëk në kulturën e sigurimeve vijoi derisa filloi të funksionojë përsëri pas viteve 90’ me INSIG e më pas me liberalizimin e tregut e hyrjen e shoqërive private.

Për fat jo të mirë, sot sigurimi i Jetës zë një vend modest në totalin e tregut të sigurimeve në Shqipëri. Primi i sigurimit të jetës për frymë është në vlerat modeste të 3 – 3.5 euro në vit dhe ndaj totalit të primeve të shkruara, Jeta është luhatur në vlerat 6 – 7%, në një kohë ku në vendet e rajonit dhe BE, primi i sigurimit të jetës për frymë fillon mesatarisht nga 100 euro në vit, e zakonisht pjesa e sigurimeve të Jetës ndaj totalit zë mesatarisht 26% të volumeve të tregut të sigurimeve. Kjo në Shqipëri besojmë që vjen si pasojë e përqendrimit të vëmendjes tek sigurimet e Jo-Jetës për shkak jo vetëm të volumeve më të mëdha të primeve, por edhe duke qenë që në masën më të madhe ato janë të detyrueshme. Shkak është gjithashtu edhe niveli jo i përshtatshëm i edukatës për investime financiare apo financat personale.


Çfarë do ta zhvillonte konkretisht tregun e sigurimeve në Shqipëri?

Incentivat fiskale specifike për sigurimet e Jetës dhe përfshirja e konceptit të mbulimit të vdekjes natyrore në mbulimet sidomos të sigurimeve të detyrueshme për kredimarrësit, ushtarakët, forcat e policisë, stafet mjekësore apo profesionet e vështira është baza për rritjen, jo vetëm të tregut, por edhe të difersifikimit me produkte që lidhen ngushtësisht me investimet financiare, kryesisht afatgjata. Tregu i Sigurimeve të Jetës i kombinuar me produkte direkte investimi, është një potencial për financim direkt të borxhit qeveritar afatgjatë apo për projekte të caktuara specifike me volume të mëdha. Zhvillimi i bursës Shqiptare dhe opsionet (ofertat) e shtuara të investimeve në treg do ta ndihmonte më tej ecjen përpara të këtij tregu.

Sigurimi i detyruar i Jetës për profesione të vështira, si për minatorët apo forcat zjarrfikëse është iniciativë për t’u përgëzuar, por mendojmë që konsumatori shqiptar duhet të gëzojë një mbrojtje më të gjerë e cilësore. Konkretisht mbulimi me sigurim nuk duhet të përfshijë vetëm aksidentet në punë. Praktikat e mira botërore tregojnë se këto profesione të vështira sigurohen për vdekjen natyrore edhe si pasojë e sëmundjeve profesionale. Në kushtet e sotme të pandemisë është bërë një domosdoshmëri, që mbulimet të përfshijnë edhe sigurimin e Jetës për shkaqe pandemike.

Çfarë mendoni se duhet të përmirësohet në tregun e Sigurimeve të Jetës në aspektin teknik?

NTrajtimi i klientit është shumë i rëndësishëm dhe gjithashtu ka lidhje të drejtpërdrejtë me reputacionin e shoqërisë së sigurimeve. Klientit duhet t’i shpjegohen qartë kushtet e produkteve të sigurimit përpara nënshkrimit të kontratës dhe faqet e internetit të kompanive duhet të kenë informacion të mjaftueshëm për publikun. Gjithashtu duhet të bëhet një punë më e mirë me ndërmjetësit e liçensuar, brokera apo agjentë, për trajnimin profesional të tyre. Mbulimet e kontratave duhet të jenë më gjithëpërfshirëse që të ketë një bazë të gjerë klientësh.
Shoqëritë e Sigurimit të Jetës duhet të përfitojnë edhe nga eksperienca e kompanive partnere jashtë Shqipërisë dhe “trafiku” i produkteve midis kompanive brenda tregut duhet të marrë fund, pasi çdo shoqëri duhet të ketë individualitetin e risitë e veta në çdo kontratë që i ofrohet konsumatorit. Për këtë, stafi teknik dhe drejtuesit e shoqërive duhet të angazhohen që produkti i sigurimit të jetë sa më tërheqës për të siguruarin dhe ky i fundit të ketë motive të qarta për ta blerë e ndryshime te dukshme nga konkurrentët e tjerë në treg. Produktet standarde dhe ulja e paarsyetuar e çmimeve ul jo vetëm reputacionin, por dhe dobëson financiarisht shoqëritë e sigurimit.


Cila është e ardhmja e sigurimeve të Jetës dhe a janë bërë përpjekje nga ana Juaj për të krijuar e lançuar produkte të reja sigurimi Jete, veçanërisht në këtë kohë pandemie?

Është e pashmangshme që sigurimet e Jetës në Shqipëri do të ndjekin zhvillimin e tyre natyror dhe do të kenë vendin që meritojnë. Në këtë kohë pandemie konsumatori do të kishte përfituar më tepër nëse sigurimet e Jetës do të ishin më popullore dhe penetrimi më i lartë. Këtu në SiCRED jemi të kënaqur që pavarësisht pandemisë, në treg jemi duke lançuar dy produkte të reja sigurimi Jete. Konkretisht sigurimi i Jetës nga Sëmundjet e Papritura dhe Aksidentet, një produkt i përshtatshëm edhe për segmentin e mikrofinancës, duke patur avantazh kryesor kohën mesatarisht të shkurtër të sigurimit dhe primet ekonomike. Produkti tjetër është Sigurimi Evolutiv i Jetës, një produkt sigurimi individual jete për cilindo që dëshiron një mbrojtje financiare për familjen. Po punohet gjithashtu që konsumatorit t’i ofrohet asistencë më e specializuar për COVID-19, si dhe duke shtuar gamën e shërbimeve dhe fasiliteteve të tjera, që ofrojmë për klientin, përtej shërbimit thelbësor të sigurimit. Gjatë 2021 parashikojmë të fillojmë aktivitetin edhe në produktet unit-link të cilat ofrojnë kombinim të sigurimit të Jetës me investime në tregjet e kapitalit, si një mundësi alternative investimi.

Grupi SiCRED vijon zhvillimin e tij duke u përqendruar tek shitjet e kryqëzuara në fushën e sigurisë në punë, ndërmjetësimit në shërbime shëndetësore dhe në punësim; në fushën e distribucionit, si dhe ka qëllime të qarta për t’u zhvilluar edhe në promocion e mikrokredi në vitet në vijim.