Fitueset e këtij viti të Çmimit Nobel në Kimi janë Emmanuelle Charpentier dhe Jennifer A. Doudna, për zhvillimin e një metode për modifikimin e gjenomit.
Ato zbuluan një nga instrumentet më të mprehta të inxhinierisë gjenetike – gërshërët gjenetike CRISPR/Cas9. Duke i përdorur ato, kërkuesit mund të ndryshojnë AND e kafshëve, bimëve dhe mikroorganizmave me saktësi jashtëzakonisht të lartë.
Göran K. Hansson, sekretar i përgjithshëm i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, tha se këtë vit, çmimi kishte të bënte me “rishkrimin e kodit të jetës”.
Instrumentet për modifikimin e gjenit, CRISPR/Cas9, kanë revolucionarizuar shkencën e jetës molekulare, kanë sjellë mundësi të reja në përmirësimin gjenetik të bimëve, po ndihmojnë në terapi inovative në luftën kundër kancerit dhe mund të bëjnë realitet ëndrrën për shërimin e sëmundjeve të trashëgueshme.
Charpentier, nga Franca, dhe Doudna, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gratë e para që fitojnë së bashku Çmimin Nobel në Kimi (gruaja e gjashtë dhe e shtatë në histori që fiton çmimin Nobel në Kimi).
Duke komentuar fitoren e saj, profesoresha Emmanuelle Charpentier, nga njësia Max Planck për shkencën e patogjenëve në Berlin, u shpreh e emocionuar kur mësoi për çmimin. “Kur kjo ndodh, ju befasoheni dhe mendoni se nuk është e vërtetë. Por natyrisht, është e tillë” – tha ajo.
“Dëshira ime është që ky të japë një mesazh pozitiv, mbi të gjitha tek vajzat e reja që duan të ndjekin rrugën e shkencës dhe t’u tregojë atyre se edhe gratë në shkencë mund të marrin çmime. Por, mbi të gjitha, që gratë në shkencë mund të kenë ndikim edhe nëpërmjet hulumtimit që po kryejnë” – tha Emmanuelle Charpentier në konferencën për shtyp sot. Ajo vijoi: “Kjo nuk është thjesht për gratë, ne shohim një mungesë të qartë interesi për të ndjekur rrugën e shkencave. Dhe kjo, është vërtet shqetësuese”.
“Shpresa ime e madhe është që kjo të përdoret për mirë, për të zbuluar mistere të reja në biologji dhe për të mirën e njerëzimit” – tha Doudna, e cila bashkëpunon me University of California, Berkeley, dhe paguhet nga Howard Hughes Medical Institute.
Nesër pritet të jepet Çmimi Nobel në Letërsi; të premten, 9 tetor, Çmimi Nobel për Paqe dhe të hënën, më 12 tetor, Çmimi Nobel në Ekonomi.
Burimi: BBC / CNN