Dy skenarët e rritjes së çmimit të energjisë në dhjetor

10/09/2014 8:56 AM 0 komente

Varianti i parë parashikon heqjen e fashës prej 300 kilovatorësh, që paguhet me një çmim më të ulët prej 7.7 lekësh. Varianti i dytë është ai i uljes së fashës nga  300 kilovatorë në 200 kilovatorë, që  paguhet me 7.7 lekë

Dy janë propozimet e Bankës Botërore për mënyrën sesi duhet të rritet çmimi i energjisë.
I pari parashikon heqjen e fashës prej 300 kilovatorësh, që paguhet me një çmim më të ulët prej 7.7 lekësh. Ky variant nënkupton pagesën e të njëjtit çmim për çdo kilovator të konsumuar në muaj pa asnjë dallim. Pas kësaj çmimi bëhet 13.5 lekë për kilovat, qe praktikisht është dyfishim i faturave të energjisë.
Një variant i dytë është ai i uljes së fashës, për të cilën aplikohet çmimi i ulët. Aktualisht deri në 300 kilovatorë paguhet çmimi prej 7.7 lekësh. Propozimi është që ky çmim i ulur të paguhet deri në 200 kilovatë. Të dyja këto variante pritet të sjellin rritje të faturës përfundimtare, ndonëse Banka Botërore nuk harron të përmendë mbrojtjen e konsumatorit, një fakt që u përmend dy ditë më parë edhe nga ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri.
Edhe shefi i FMN-së në daljen e tij publike pak ditë më parë përmendi serish nevojën për rritjen e çmimit të energjisë. Ndërkohë, kompanitë prodhuese të energjisë po bëjnë gati dokumentet për të kërkuar rritjen e çmimit, ndërsa Enti Rregullator vlerësohet se po bën gati metodologjinë e re për llogaritjen e tarifave.
Kreu i ERE-s
Por konkretisht, shqiptarët do ta mësojnë se sa para do t’u kushtojë energjia elektrike në fund të dhjetorit. Kryetari i ERE-s, Petrit Ahmeti sqaroi dje se aktualisht kompanitë po sjellin raportet dhe në bazë të performancës së tyre do të vendoset edhe nëse do të ketë një ndryshim të çmimit apo jo. “Brenda dhjetorit duhet të merret vendimi përfundimtar në lidhje me çmimin e energjisë elektrike për të gjithë kategoritë e konsumatorëve. Ne tani jemi në një proces aplikimi nga kompanitë, të cilat aplikojnë pranë Entit Rregullator për çmimet e energjisë elektrike bazuar në performancën e tyre, në bilancet e tyre dhe në kërkesën e tyre që kanë për të ardhurat, për shitjen apo blerjen e energjisë elektrike. Hapi i dytë është të realizohet një seancë publike dëgjimore, e cila do të realizohet me të gjitha palët e interesuara, ku ne marrim dhe përthithim procesin dhe nivelin e çmimeve të energjisë elektrike. Hapi i tretë është vendimi, i cili do të merret brenda muajit dhjetor”, – tha Ahmeti.
Ndërkohë që po analizohen disa skenarë të ndryshimit të çmimit të energjisë, sipas Ahmetit, shumë mundësi ka të vendoset heqja e fashës deri në 300 kwh. “Ajo është një nga alternativat që ne po mendojmë, por natyrisht ajo kërkon një analizë të thellë, nga pikëpamja organizative që ka kompania, por edhe nga pikëpamja e eficencës që do të ketë heqja apo mos-heqja e çmimit me dy blloqe”,  – u shpreh Ahmeti.
Ndërkohë PD-ja, përmes Enno Bozdos deklaroi se rritja e çmimit të energjisë do të vijë si pasojë e skandalit të qeverisë me CEZ-in. “Rritja e çmimit të energjisë është pasojë e megaskandalit të aferës me CEZ-in. Nuk do të kishte rritje të energjisë nëse CEZ-it nuk do t’i ishin falur 500 milionë euro fatura të papaguara shtetit shqiptar. Nuk do të kishte pse të rritej nëse nuk do ishin paguar 95 milionë euro për të blerë një kompani, që ekspertët e vlerësuan negative në treg”, – tha Bozdo./Mapo

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of