Dyfishohen gjobat nëse nuk lëshon kupon tatimor

29/10/2019 10:12 AM 0 komente

Për herë të dytë ndëshkohet 200 mijë Lekë, biznesi i mesëm dhe 300 mijë i madhi

Qeveria ka vendosur të dyfishojë gjobat ndaj të gjitha bizneseve, të cilat nuk lëshojnë kuponin tatimor. Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon që duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, penalitet për moslëshim kuponi të 2 -fishohen, ndërsa nëse kapesh për herë të dytë gjoba 4-fishohet.

Ligji për procedurat tatimore parashikon aktualisht, që çdo biznes i cili nuk lëshon kupon gjobitet me 50 mijë lekë, ndërsa në draftin e ri parashikohet që penaliteti të bëhet 100 mijë lekë për ndërmarrjet me xhiro deri në 14 milion lekë në vit, dhe 150 mijë lekë për tatimpaguesit e mëdhenj.

Sipërmarrësit e vegjël, që nuk janë pjesë e skemës së tvsh-së, do të ndëshkohen me 50 mijë lekë gjobë nëse ka mangësi në faturën që lëshojnë.

Ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore dyfishojnë shkeljen për moslëshimin e kuponit tatimor për herë të dytë, që konstatohet te i njëjti subjekt brenda të njëjtit vit. Kategoria e biznesit të vogël që nuk është pjesë e tvsh-së ndëshkohet me 100 mijë lekë, biznesi i mesëm me 200 mijë lekë dhe ai i madh me 300 mijë lekë.

Financat kanë hequr si mundësi mbylljen e biznesit për 30 ditë kalendarike në këtë rast, duke vendosur si kusht për rihapjen e tij, pagesën e gjobës.

Po ashtu, drafti dyfishon gjobën edhe për konsumatorët që nuk marrin kuponin tatimor ose refuzojnë ta tregojnë atë te administrata tatimore,  nga 1 mijë lekë që është aktualisht në 2 mijë lekë.

Kjo është hera e tretë, që qeveria ka ndryshuar nivelin e penaliteteve brenda 4 vjetësh. Në vitin 2015-ë gjobat tatimore u 10 fishuan, ku ajo për moslëshim të kuponit tatimor arriti në 500 mijë lekë, por pas shfuqizimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese, qeveria ndryshoi penalitetin duke vendosur si nivel maksimal vlerën 50 mijë lekë.

Tv Klan

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of