Prodhimi i luleshtrydhes në vend po njeh rritje ndër vite. Sipas statistikave, është dyfishuar sipërfaqja e mbjellë dhe thuajse trefishuar sasia e prodhuar nga viti 2015 në 2017. Fermerët ankohen për mungesë mbështetje nga qeveria, pasi kërkesat për eksport janë në rritje dhe përmbytjet kanë dëmtuar sasinë e prodhuar dy vitet e fundit.
Nga Deada Hyka
Luleshtrydhja është një frutë që nisi të shihej me interes nga fermerët shqiptarë, sidomos në 4-5 vitet e fundit. E ëmbël dhe me aromë, ashtu si fitimet që jep ky biznes. Por, në serat plot luleshtrydhe, jo çdo gjë është një fushë me lule. Mungesa e subvencioneve, përmbytjet çdo vit, konkurrenca janë disa nga problemet, me të cilat përballen fermerët.
Sipas shifrave të Ministrisë së Bujqësisë, në vend, deri në 2017, janë rreth 105 hektarë me luleshtrydhe dhe rreth 3895 tonë prodhim, me një rritje prej 36% të prodhimit krahasuar me 2016.
Ndërsa sipas të dhënave të përllogaritura të të mbjellave të vjeshtë 2015-pranverë 2016, ka pasur 2856 tonë prodhim, 524 tonë prej të cilave kanë shkuar për eksport, 2318 tonë në tregun vendas dhe 14 tonë për konsum të familjeve.
Tortën më të madhe të prodhimit e merr Fieri, me 85% të sasisë së prodhuar për 2016. Prodhimi i luleshtrydheve mund të jetë shpesh i lodhshëm dhe me sfida për shumë fermerë, megjithatë sipas specialistëve, ia vlen. Në fillim nevojitet një kapital i konsiderueshëm, por kthimi i investimit është i shpejtë, pasi duhen 6-7 muaj që të merret prodhimi, duke rikuperuar koston fillestare.
Vështirësitë
Vitin e kaluar, kultivuesit e luleshtrydheve në fshatin Kafaraj në Fier u dëmtuan nga përmbytjet. Dhe, sipas tyre, ky është një refren që po përsëritet prej 3 vitesh. Serra të tëra janë shkatërruar, me humbje të konsiderueshme në tregun lokal dhe atë rajonal. Në vitin 2016, u erdhi në ndihmë USAID me një fond prej 750 mijë dollarësh për fermerët e prekur nga përmbytja e vitit 2015, me anë të të cilit ata mundën të rimëkëmben shpejt. U rindërtuan dhe tre modele të reja serash moderne që garantojnë jetëgjatësi dhe janë rezistente ndaj klimës.
Nëpërmjet këtij programi asistence u krijua një pikë grumbullimi, me makineri paketimi, të cilat përmbushin standardet e cilësisë dhe sigurisë ushqimore sipas kërkesave të tregjeve të eksportit, si dhe u mundësua trajnimi i mbi 60 fermerëve mbi praktikat e reja bujqësore për luleshtrydhen.
Ndërsa vitin e shkuar, dimri i acartë i tre muajve të parë të vitit, si dhe përmbytjet në fund të vitit, shtuan bilancin e dëmeve në këtë sektor. Në Njësinë Administrative të Frakullës, banorët të cilët u bënë të njohur nga kultivimi i luleshtrydhes, tashmë janë drejt falimentimit.
Serrat e shkatërruara totalisht dhe luleshtrydhe të kalbura ishte panorama që shihej në fshatrat Kashisht dhe Kafaraj të Bashkisë së Fierit. Fermerët e kontaktuar nga revista “Monitor” të zonës së Karafaj pohojnë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë, përkundrazi janë munduar vetë të rikuperohen nga dëmet e mëdha.
Ata bëjnë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë situatë, që përsëritet çdo vit ose më shpesh. Natyra nuk është treguar miqësore me to, megjithatë ata ngrenë zërin që të ndërmerren nisma në drejtim të përmirësimit të kanalizimeve, pasi kanë pësuar dëme të mëdha. Fermerët tregojnë se, kanë marrë dëmshpërblim vetëm për përmbytjet e 2015-s, i cili ka qenë rreth 30% e dëmit, sipas tyre e papërfillshme.
Astrit Lanaj, një fermer i zonës së Fierit, prej 6 vitesh merret me kultivimin e luleshtrydhes. Ecuria ndër vite, – thotë ai – ka qenë e kënaqshme, duke u rritur, por me vështirësitë që i shoqërojnë. Z. Lanaj tregon se në fshatin Kafaj thuajse të gjithë banorët merren me kultivimin e kësaj frute, e sipas tij, “jemi bërë vetë prodhues e vetë doktor për atë bimë”.
Sa i përket tregtisë, z. Lanaj tregon se përveç tregut vendas që ka pasur kërkesë në rritje me kalimin e viteve, kërkesat u rritën edhe për eksportet. “Para dy viteve nisa të dërgoj luleshtrydhe në rajon, Kosovë, Maqedoni, Serbi. Më pas, në Rusi. Këtë vit kemi shumë kërkesa për Austri dhe Ukrainë, por nuk arrijmë dot të plotësojmë sasinë e kërkuar”, – tregon Astriti.
Së bashku me vëllain e tij, Ledjusin, i cili solli në serrat e familjes së tij përvojën dhe modelin grek të prodhimit të luleshtrydhes, ata tregojnë se vitin e shkuar janë dëmtuar dy herë. “Nuk i plotësojmë dot kërkesat për eksport sepse jemi dëmtuar dy herë brenda vitit. Brenda dy muajve në 2017 përmbytjet e lumit Vjosa si dhe i ftohti i acartë na dëmtuan të mbjellat. Nuk kemi asnjë mbështetje nga qeveria dhe është një mëkat që luleshtrydhja shqiptare, aq e kërkuar në rajon e më gjerë, të mos përkrahet. Në fshatin tonë të gjithë merren me kultivimin e kësaj bime, duhet të kemi më tepër përkrahje”, – thotë Ledjusi.
Astriti shton për “Monitor”, se nisma e qeverisë për zonat rurale “100 fshatrat” është për t’u përgëzuar, por sipas tij, vendosja në këtë hartë të zonës së luleshtrydhes do të ishte një vendim efikas, për të nxitur bujqësinë shqiptare. “Në listën e 100 fshatrave, mungon zona e luleshtrydhes. Duhet të ishte vendosur, jo që të na bënte ne krenarë, pasi të gjithë fermerët e zonës së Kafaraj ia kanë dalë mbanë me forcat e tyre, por që të zhvillohej më tej bujqësia shqiptare, me këtë kulturë që është investim i mirë dhe me fitim në të njëjtën kohë”,- thotë Astriti.
Mungesa
Në listën e 100 fshatrave, mungon zona e luleshtrydhes. Duhet të ishte vendosur, jo që të na bënte ne krenarë, pasi të gjithë fermerët e zonës së Kafaraj ia kanë dalë mbanë me forcat e tyre, por që të zhvillohej më tej bujqësia shqiptare, me këtë kulturë që është investim i mirë dhe me fitim në të njëjtën kohë
Sipas tij, qeveria duhet t’i përkrahë më shumë këta fermerë, pasi kjo do të ishte e dobishme për vendin, do të njihej më tepër luleshtrydhja shqiptare, kërkesat për të cilën kanë qenë të larta dy vitet e fundit. “Ka pasur raste që kemi dërguar edhe 15 tonë luleshtrydhe në ditë për eksport. E zakonshmja ka qenë 5-10 tonë në tri ditë. Por kërkesat janë të larta, nuk po arrijmë dot të furnizojmë”, – përfundon Astrit Lanaj.
Mbiprodhim…?
Prodhimi në vitin 2014 ishte 772 tonë. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, prodhimi u rrit me 1.8 herë në vitin 2015, duke arritur 1425 tonë. Ndërsa në vitin 2016, prodhimi arriti 2856 tonë, duke u dyfishuar nga një vit më parë.
Sa i përket hapësirës së mbjellë, në vitin 2015 janë mbjellë 45 hektarë me luleshtrydhe, nga 25 hektarë një vit më parë. Ndërsa të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se në 2016 arriti 91 hektarë. Sipas të dhënave paraprake të vjeshtë 2016 – pranverë 2017, janë mbjellë rreth 3000 rrënjë të reja luleshtrydhe, rreth 105 hektarë si sipërfaqe, ndërsa prodhimi ka arritur në 3895 tonë, 21 tonë prej të cilave kanë shkuar për eksport.
Kultivimi i luleshtrydheve është një biznes i mirë për fermerët. Kërkesa për këtë produkt është e lartë, si në tregun vendas ashtu edhe jashtë. Disa fermerë pohojnë se madje, nuk arrijnë të përmbushin kërkesat për eksport.
Edhe klima e ndihmon kultivimin e luleshtrydhes në vend. Rritja e prodhimit me këto ritme është reflektuar në tregun e brendshëm, me një çmim të ulët. Një kilogram luleshtrydhe, ndryshe nga vitet e tjera, në muajin shkurt, e gjen në treg në Tiranë edhe 150 lekë.
Gjeografia e prodhimit
Fieri është rrethi që tashmë konsiderohet si “mbreti” i prodhimit të luleshtrydhes. Sipas të dhënave të vitit 2016, vetëm në Fier prodhohet 2442 tonë, pra 85% e të gjithë prodhimit vendas. Pjesa më e madhe e prodhimit vjen nga fshati Kafaraj. Lushnja e ndjek me 14% të prodhimit, ose e shprehur në peshë, në 2016 ky qark prodhoi 391 tonë luleshtrydhe. Të tjera qytete janë Durrësi (15 tonë), Dibra (5 tonë), Elbasani (3 tonë). Në total, në të gjithë vendin ishin thuajse 5 milionë rrënjë të mbjella.
Akuzat për pesticide
Dhjetëra fermerë kultivues të luleshtrydhes në Kafaraj të Bashkisë së Fierit u ngritën në protestë vitin e shkuar. Shkaku ishte bllokimi i shitjes së luleshtrydhes. Qindra fruta nga kjo bimë u prishën, nga bllokada që u bë për shkak të pesticideve të përdorura. Fermerët asokohe kërkuan ndihmën e shtetit dhe strukturave të tij. “Nuk mund të ketë akuza pa analiza”, – pohuan ata.
Astrit Lanaj thotë se akuzat ishin të pabaza, ndërkohë që fermerët u dëmtuan shumë, pasi u shkoi kot një sasi e madhe prodhimi. “Fermerët janë të specializuar për prodhimin e luleshtrydhes, të paktën në zonën e Kafaraj që njihemi, fidanët janë të kontrolluar sepse vijnë nga shtete europiane.
Pesticidet që përdorim janë të kontrolluara në masën e duhur dhe të certifikuara brenda standardeve europiane. Ne nuk kemi përdorur kurrsesi hormone për prodhimin e tyre. Luleshtrydhja si bimë është vetëpllenuese, ekspertët e dinë këtë, ndaj nuk ka nevojë për hormone që të nxitet prodhimi”, – tregon z. Lanaj.
Tregtia e luleshtrydhes shqiptare
Tregu kryesor është ai lokal, kryesisht Tirana, por luleshtrydhet, sidomos të zonës së Fierit, eksportohen edhe jashtë vendit. Më së shumti në rajon, Maqedoni, Bullgari, Mali i Zi etj.
Një treg i furnizuar gati 90% nga importi, deri në vitin 2010, është shndërruar që nga 2014 në potencial për eksport, krahas furnizimit të plotë të tregut vendas.
Sipas shifrave të 2015 dhe 2016, eksportet e luleshtrydhes shqiptare janë 10-fishuar, në peshë dhe vlerë. Në vitin 2015, janë eksportuar 94 tonë luleshtrydhe, ndërsa në 2016 bëhej fjalë për 981 ton.
Partnerët kryesorë tregtarë mbeten ata rajonalë, si Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia. Ndërsa në vitin 2016, janë shtuar edhe vende si Italia, Rumania, Bullgaria.
Shqipëria me “Festën e Luleshtrydhes”
“Festa e Luleshtrydhes” zhvillohet çdo vit tashmë në Frakull, një aktivitet i Bashkisë së Fierit, me qëllim promovimin e vlerave më të mira të zonës, traditave dhe trashëgimisë.
E konsideruar si një prodhim lider i zonës së Frakullës, kultivimi i luleshtrydhes përbën një histori suksesi për fermerët e kësaj zone, që eksportohet në shumë vende të Ballkanit dhe Europës.
Kjo “festë” organizohet më 22 prill dhe konsiderohet si Panairi i madh i Luleshtrydhes me pjesëmarrjen e dhjetëra fermerëve të zonës Frakull; panairi i prodhimeve të ëmbëlsirave me bazë luleshtrydheje nga pastiçeri të njohura; panairi i qendrës “Horizont” i recetave me luleshtrydhe; panairi i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale të zonës; stenda e trashëgimisë dhe traditës dhe panairi i gatimeve nga nxënësit e shkollave, Frakull.
Tregu botëror i luleshtrydhes
Sipas hulumtimit të kryer nga IndexBox për tregun global të luleshtrydhes, të ardhurat e përgjithshme arritën 16,294 milionë dollarë në vitin 2015, duke u rritur me 4.7% nga viti 2007 deri në vitin 2015. Në terma fizikë, tregu shfaqet pozitiv, duke arritur në fund 8,476 mijë tonë në vitin 2015, një rritje prej 5% nga 2014.
Kultivimi dhe prodhimi i luleshtrydheve është një industri e njohur botërore, me përjashtim të atyre vendeve me klimë më të ftohtë. Megjithatë, cilësia, aroma dhe përmbajtja e vitaminave të kësaj frute janë të lidhura drejtpërdrejt me pjesën e botës ku rriten. Klima ideale e rritjes për luleshtrydhet është ajo ku ato janë të ekspozuar ndaj ditëve të ngrohta, me diell dhe netëve të ftohta.
Konsumatorët më të mëdhenj të luleshtrydhesh janë Kina (3,343 mijë tonë) dhe SHBA (1,409 mijë tonë), së bashku duke përbërë rreth 56% të konsumit global. Këto vende janë gjithashtu prodhuesit kryesorë të luleshtrydhes në botë. Meksika (421 mijë tonë) mori vendin e tretë në terma të prodhimit total të luleshtrydheve, me një pjesëmarrje prej 5%, ndjekur nga Turqia (4%) dhe Egjipti (3%).
I nxitur nga rritja globale e popullsisë, tregu i luleshtrydheve parashikohet të vazhdojë një trend rritës të konsumit gjatë viteve të ardhshme. Performanca e tregut parashikohet të rritet me 1.6% deri në 2025, e cila pritet të çojë vlerën e tregut në 10.0 milionë tonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe Zëvendës Presidentja për Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore Antonella Bassani kanë nënshkruar Marrëveshjen për Financimin e Politikave Zhvillimore për Politikën Fiskale, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore. Në…
Turizmi po shënon një ecuri dukshëm më të mirë se viti 2023 qysh në muajt e parë të tij. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për strukturat akomoduese në shkurt tregojnë se numri i të huajve në hotele u rrit ndjeshëm në raport me…
Banka e Shqipërisë vlerëson se vitin e kaluar shqiptarët kryen mesatarisht 21 pagesa elektronike për frymë. Shifrat tregojnë se përdorimi i pagesave elektronike është rritur me ritme të shpejtë në vitet e fundit. Në vitin 2022, numri i pagesave elektronike kishte qenë 17 për frymë…
Inflacioni bazë pësoi rënie të mëtejshme në muajin mars, duke forcuar besimin se rritja e çmimeve në ekonomi, për momentin, po kthehet brenda objektivit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë në muajin mars zbriti në 2.73%, nga 2.91% që kishte qenë në…
Tani kur sezoni i parë i serrave në vendin tonë është në kulmin e tij, tregu vendas po furnizohet në masë nga importet. Të dhënat zyrtare nga tregtia e jashtme tregojnë se në 3-mujorin e parë, importet e zarzavateve u rritën me 70% dhe ato…
Subjektet në tregun e parregulluar, të cilat kishin detyrimin të siguronin të vetëm energjinë, por në fakt e kanë marrë atë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), pasi nuk kanë gjetur furnizues privat, kanë paguar çmime më të lira në 2023 në raport me…
Importet e kafshëve të gjalla po tregojnë se sektori i blegtorisë në vend po përkeqësohet nga viti në vit. Të dhënat nga tregtia e jashtme në tremujorin e parë të vitit 2024 tregojnë se importi i kafshëve të gjalla në sasi u rrit me 62%,…
Buxheti i shtetit shpenzoi në vitin 2023 gjithsej 674 miliardë lekë, ose rreth 6.4 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit, rreth 60% e kësaj shume përdoret…
Ekzaminimet e para mjekësore me skaner në Shqipëri në vitin 1995 janë kryer në klinikat private. Sektori privat mjekësor është gjithashtu ndër të parët që po përdor Inteligjencën Artificiale dhe sistemet e automatizuara. Sa ka arritur t'i reduktojë kostot për mbajtjen e personelit mjekësor përdorimi…
Edhe raundi i katërt rezultoi i pasuksesshëm në Bruksel për dinarin. Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të bëjnë asnjë marrëveshje. Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje…
Kina dhe Europa, mund të përballen me një "aksident të ngadaltë", paralajmëroi kreu i një grupi tregtar europian, një ditë pasi kancelarja gjermane përcolli shqetësimet e…
Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe institucionet e saj duhet të ndërmarrin masa të balancuara që adresojnë nevojat e ekonomisë dhe të konsumatorëve, duke mbajtur nën…
FMN përmend gjithashtu, shqetësimet për "mungesën e ekuilibrit" fiskal në Mbretërinë e Bashkuar, Kinë dhe Itali. Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka paralajmëruar SHBA-në, se deficitet masive fiskale,…
Platforma Telegram “po përhapet si zjarri”. Ajo pritet të arrijë 1 miliard përdorues këtë vit, tha bashkëthemeluesi i saj në një intervistë dhënë këtë të mërkurë…
Sipas një studimi të fundit të European Sponsorship Association (ESA) në bashkëpunim me Nielsen Sports, tregu europian i sponsorizimeve u rrit në 30.9 miliardë euro, duke…