Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka treguar se në QKUK është duke u trajtuar një rast i dyshimtë me koronavirus, por sipas tij bëhet fjalë për grip. Ai më tej ka shtuar se nuk duhet alarmuar dhe janë në pritje të rezultateve. Kurse, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se në Kosovë nuk ka raste të prekur me koronavirus.
Përmes një komunikate për media, IKSHP thotë se ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për një paciente të dyshimtë në sëmundjen Koronavirus COCID-19. Pacientja ka pasur ethe, djegje të syve, rrjedhje hunde dhe fytin e ndieshëm.
“Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS-CoV-2 me metodën RT-PCR. Testi ka rezultuar negativ, domethënë pacientja nuk është infektuar me virusin SARS-CoV-2. Laboratori mikrobiologjik/IKSHPK është pajisur me kite dhe reagensa për detektimin e 2019-nCoV; Ekipet e Institutit Kombëtar po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Koronavirus në botë”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka konstatuar se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri.
“Ka kompletuar Planin e Gadishmërisë për Koronavirus dhe Planin e Kontingjencës duke iu përmbajtur strikt rekomandimeve të OBSH. Janë shpërndarë materialet dhe dokumentet, posteret e shtypur nga Instituti Kombëtar me kohë janë shpërndarë në Institucionet shëndetësore, Shkolla, Aeroport, hyrje/daljet tokësore, Institucionet e burgjeve. Komunikimi me media dhe rrjetet sociale është në vazhdimësi për të ruajtur panikun e mundshëm. Është bërë ngritja e nivelit të vigjilencës dhe gatishmërisë për veprim në situatën e krijuar 24 orë në ANP”Adem Jashari” dhe në hyrje daljet e Kosovës me ekipe mjekësor. Të gjitha institucionet shëndetësore janë të përgatitura për përballje me shfaqjen e sëmundjes”, thuhet në njoftim.
E pak orë më parë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se në QKUK është duke u trajtuar një rast i dyshimtë me koronavirus, por sipas tij bëhet fjalë për grip. Ai tutje ka shtuar se nuk duhet alarmuar dhe janë në pritje të rezultateve.
“Mundësia që të paraqiten raste me koronavirus në Kosovë janë reale, mirëpo jemi duke u përgatitur që të marrim masat e nevojshme. Në infektive është paraqitur një rast i dyshuar, por që nuk duhet alarmuar shkak se dyshohet vetëm për grip”, ka thënë ai.
Ministri ka folur edhe për karantinat në rast se paraqitet nevoja për to ku ka thënë se janë ende në shqyrtim të lokacioneve dhe se nuk ka diçka konkrete.
Vitia ka folur edhe për sigurinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe ka thënë se është dërguar kërkesë që të bëhen kontrollime dhe ekzaminime të rasteve, megjithatë ka potencuar se nuk ka vend për shqetësime për momentin.
Kurse, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka bërë të ditur se pacientja e cila ishte shtrirë në QKUK nuk është e prekur nga koronavirusi.
Kështu ka thënë ai para gazetarëve duke shtuar se Kosova është e përgatitur për parandalimin e kësaj epidemie.
“Duke pasur parasysh se ne kemi marrë rezultatet brenda katër orëve – ato kanë rezultuar negative. Pacientja nuk është e sëmurë me koronavirus. Unë i kam hulumtuar vetëm rastet e mëhershme gjatë të shtunës në mbrëmje, sot nuk kemi pasur shumë kohë sepse jemi përgatitur për hyrjet në kufi dhe ato tokësore”.
IKSHP tashmë është përgatitur dhe që një muaj e gjysmë i ka të gjitha dokumentet përkatëse për të gjitha aktivitetet e parandalimit. Laboratori është furnizuar dy javë pasi kanë dalë rezultatet e para prej prodhimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.