Më dyshues se kurrë!

11/01/2016 4:21 PM 0 komente

Çdo dështim i mundshëm i ekonomisë këtë vit për t’u rritur mbi 3% është i justifikuar. Në pritshmëritë e sipërmarrjeve private në vend, pikëpyetjet janë më të shumta se kurrë ndonjëherë tjetër. Mbarëvajtja e industrisë nxjerrëse do të varet nga çmimet në tregun botëror. Tregtia me pakicë, industria ushqimore, shërbimet, industria e riciklimit e shumë sektorë të tjerë i kanë varur shpresat te lufta deri në fund e informalitetit. Tek-tuk, optimizmi nuk mungon, por më shumë se asnjëherë më parë janë shtuar të panjohurat e “ushtrimit” ekonomik, si në kahun e zhvillimeve të brendshme edhe në atë të ecurisë botërore. Në fillim të 2015-s, sipërmarrjet i kishin më të qarta idetë me çfarë do të përballeshin

 

Fasoni, luftë për mbijetesë

Prodhuesit e veshjeve e këpucëve duken të lodhur nga barra e krizës ndër vite.

“2016-n nuk e presim mirë”, thotë Flamur Hoxha, sipërmarrës i kompanisë Kler. Sipas tij, “dy-tre vitet e fundit, mbarëvajtja e punës ka qenë më mirë nga ç’pritej. Pritshmëritë kanë qenë të ulëta pasi në këto vite sipërmarrjet nuk kanë investuar në teknologji. Z. Hoxha thekson se këtë vit, industria ka arritur në “maksimumin e lodhjes”. Pas tre vitesh qëndrimi në vend, sipas tij, “nuk do të jemi konkurrues për 2016-2017. I gjithë sektori është i plogësht. Nuk kemi kërkuar rritje çmimi te klientët, nuk e kemi rritur produktivitetin, ndërsa kemi pasur rritje të kostove”.

E lodhur nga kriza duket edhe sipërmarrësja Lindita Legisi, e cila thekson se “për momentin nuk kemi dëshirë për t’u rritur”. Përpjekjet, sipas saj, do të fokusohen tek ruajtja e të njëjtit nivel aktiviteti krahasuar me 2015-n. Mes problemeve të shumta të sektorit, ajo thekson oraret në dogana. Pavarësisht se fasonit iu premtua se do të punohej pa orar, ato vijojnë të kenë vonesa në kufi si në hyrje edhe në dalje të mallrave jashtë.

Sipas administratorëve në industrinë e veshjeve dhe këpucëve, gjatë këtij viti, do të reflektojnë negativisht në këtë sektor, si kushtet e brendshme të të bërit biznes, edhe faktorët e jashtëm. Flamur Hoxha thotë se “kemi presion në rritje për të punuar në ato kushte që kemi pasur para shumë vitesh nga klientët e huaj”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of