Shqipëria renditet në vendin e 120-të sa i përket kontributit direkt dhe total që jep turizmi në ekonominë e vendit, pas Greqisë, Malit të Zi dhe Kroacisë, por përpara Italisë, Turqisë dhe Maqedonisë. Raporti i fundit i Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) mbi ndikimin në ekonomi e rendit Shqipërinë në vendin e 22 sa i përket ritmit të rritjes së industrisë për këtë vit. Në 2015-n, kontributi direkt u llogarit në rreth 6% të PBB-së
Nga Elona Bedalli
Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) në raportin e fundit për vitin 2016 ka përllogaritur ndikimin në ekonominë shqiptare të kësaj industrie. Sipas vlerësimeve për vitin 2015, kontributi direkt u llogarit në 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (87.6 mld lekë). Për vitin 2016, kjo shifër parashikohet të rritet me rreth 6%, duke arritur në rreth 92.6 miliardë lekë. Sipas raportit, kjo përfaqëson aktivitetin e gjeneruar nga degët e ndryshme të industrisë, si hotelet, agjencitë e udhëtimeve, shërbimet e transportit të pasagjerëve, ato të restoranteve, të argëtimit etj. Parashikohet që ndikimi direkt i kësaj industrie në PBB të rritet me rreth 5.4% deri në vitin 2026, duke e çuar peshën totale në rreth 8%.
Ndërsa sa i përket kontributit total të industrisë ndaj PBB-së për vitin 2015, kjo shifër arriti në 306.2 miliardë lekë (21.1% e PBB-së). Për këtë vit, parashikohet që ky kontribut të rritet me afërsisht 5.4%, ndërsa deri në 2026-n, me rreth 5.3% për të arritur në 27.2% e PBB-së.
Sa i përket punësimit, raporti i WTTC-së llogariti që kontributi direkt ishte 51,000 vende pune (5.5% e totalit të punësimit). Kjo shifër parashikohet të rritet me 3.4% në vitin 2016 dhe me rreth 4% (77,000) deri në vitin 2026.
Në total, kontributi i industrisë u llogarit në 19.3% (180,000 vende pune). Gjatë vitit 2016, kjo shifër parashikohet të rritet me 3.1% (185,500 vende pune) dhe me rreth 3.6% deri në vitin 2026.
Gjatë vitit të kaluar, eksporti i turistëve gjeneroi 204.2 miliardë lekë (33.5% e totalit të eksporteve). Ky tregues pritet të rritet me rreth 6% në vitin 2016 dhe me rreth 5.5% në vit deri në 2026-n.
Investimet në sektorin e turizmit dhe udhëtimit në vitin 2015 u llogaritën në 19.9 miliardë lekë ose rreth 6% e totalit të investimeve. WTTC parashikon që kjo shifër të rritet me 1.4% gjatë 2016-s dhe me rreth 4.5% përgjatë dhjetë viteve të ardhshme.
Në nivel botëror, WTTC bën të ditur se turizmi gjatë vitit 2015 arriti të gjenerojë 7.2 milionë vende të reja pune, ndërsa kontributi në PBB-në botërore u llogarit në rreth 7.2 trilionë dollarë. Ky raport përllogarit ndikimin e kësaj industrie në 184 vende të botës (24 rajone).
David Scowsill, president dhe CEO i WTTC-së, deklaroi se: “Pavarësisht pasigurive ekonomike, sektori u rrit me rreth 4% gjatë vitit 2015, duke kontribuar me rreth 10% të PBB-së. Udhëtimi dhe turizmi llogariti në total 284 milionë vende të reja pune ose me rreth 7.2 milionë më shumë, kjo do të thotë se turizmi gjeneron në mënyrë direkte dhe indirekte 1 në 11 vende pune në shkallë botërore”. Sipas tij, edhe për vitin 2016, parashikimi është pozitiv, pasi kontributi total i industrisë ndaj PBB-së do të rritet me rreth 3.5%. Shqetësimet e sigurisë, politikat kufitare, çmimet e naftës, forca e dollarit në krahasim me valutat e tjera amerikane, si dhe zhvillime të tjera makroekonomike do të vazhdojnë të ndikojnë në tendencat e udhëtimit në vitin 2016 dhe më tej.
Shqipëria, përballë fqinjëve dhe rajonit
Raporti i Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) vëren se Shqipëria (referuar ecurisë së industrisë gjatë vitit 2015) pozicionohet ulët në renditje për disa tregues të ndryshëm. Në analizë janë marrë në total 184 vende.
Duke u ndalur në një analizë më të detajuar vihet re se vendi ynë renditet në vendin e 120-të sa i përket kontributit direkt që jep turizmi në ekonominë e vendit. Për vitin 2015, kjo shifër u llogarit në 6% të PBB-së. Krahasuar me Greqinë (7.6%), Malin e Zi (11.3%) dhe Kroacinë (10.1%) kjo shifër është e ulët. Por, nuk ndodh kështu nëse i referohemi shifrave të Italisë (4.2%), Maqedonisë (1.5%) dhe Turqisë me 5%. Ky krahasim vlen edhe në kontributin total që jep në ekonomi industria e turizmit.
Kështu vendi ynë renditet i 110-i nga 184 vende që merren në vlerësim.
Në lidhje me kontributin direkt që turizmi jep në punësim, Shqipëria sipas raportit, renditet në vendin e 115, duke lënë pas Qipron, Malin e Zi dhe Bosnjën. Ndërsa për kontributin total në punësim zë vendin e 103, me po të njëjtët shtete pas në renditje.
Në lidhje me investimet, pozitat janë disi më të përkeqësuara duke qenë se Shqipëria, gjatë viteve të fundit, nuk ka shënuar investime të ndjeshme në këtë fushë, gjë që lidhet edhe me moratoriumin e ndërtimeve dhe përgatitjen e planeve të reja zhvillimore për qytetet.
Për sa i përket eksportit të vizitorëve, vendi ynë shfaqet në një renditje të përmirësuar duke zënë vendin e 88-të.
Renditja është më e përmirësuar kur treguesit jepen të krahasuar në raport me PBB-në (kontributi relativ). Kështu me 6% të PBB-së si kontribut direkt që turizmi zinte në vitin 2015, Shqipëria renditej në vendin e 44, duke lënë pas vende si Turqia dhe Italia, madje kjo shifër është edhe më e lartë se mesatarja e kontinentit (3.5%). Shumë më e përmirësuar është renditja e kontributit total të turizmit në raport me PBB-në, ku ne renditemi në vendin e 32-të (21.1%), duke lënë pas vende si Qipro, Bullgaria, Greqia, Italia, Turqia.
Vendi ynë, po në raport me PBB-në, në lidhje me kontributin direkt të punësimit, renditet i 54, duke lënë pas Italinë dhe Republikën Çeke; për kontributin total zëmë vendin e 36-të dhe lëmë pas fqinjin përtej Adriatikut, Italinë.
Në vendin e 37-të, ne renditemi në lidhje me raportin që ka eksporti i turistëve ndaj PBB-së dhe pas nesh qëndron Greqia, Italia, Turqia, por edhe Qipro. Duhet thënë se këtu ne renditemi më sipër se mesatarja europiane që për vitin 2015 ishte 5.7%.
Për kontributin e investimeve kapitale në raport me PBB-në, ne renditemi në vendin e 86-të, sërish më lart se mesatarja e Europës (rreth 5%), ndërsa lëmë pas vende si Çekia po Italia.
Në terma afatgjatë (2016–2026) treguesit e kontributit të industrisë së turizmit jepen në përmirësim, ku më mirë parashikohet renditja në lidhje me kontributin e punësimit (direkt dhe total), përkatësisht në vendin e 21-të dhe të 26-të.
Raporti paraqet edhe ecurinë e treguesve të tjerë. Kështu parashikimi për vitin 2016 për shpenzimet e brendshme parashikohet në rritje me rreth 5%, ndërsa për investimet, rritja mendohet të jenë më e ulët, me rreth 1.4%.
Turizmi botëror, rritja 3.3% në 2016-n, më e ulët se ajo e parashikuar një vit më parë
Turizmi dhe udhëtimet gjatë vitit 2015 shënuan rritje më të ulët se ajo e regjistruar gjatë katër viteve të fundit me 3.7%. Kjo i dedikohet kryesisht ritmit më të ulët të rritjes së ekonomisë botërore (2.3%). Gjatë së njëjtës periudhë, sipas raportit të WTTC-së, u gjeneruan 2.5 milionë vende të reja pune, duke e çuar numrin e të punësuarve në këtë industri në rang botëror në 108 milionë. Kontributi total i turizmit në punësim u rrit me 2.6% në vitin 2015, ndërsa kontributi total, me 3.1%.
Në termat e PBB-së, turizmi shfaqi ecuri më pozitive se sektorë të tjerë, si prodhimi apo shitjet me pakicë.
Në lidhje me parashikimin për vitin 2016-të, WTTC ka bërë një rishikim me tendencë uljeje në raport me parashikimin e bërë në vitin 2015, duke e çuar në 3.3%. Megjithatë, kjo shifër është në linjë me rritjen e parashikuar të PBB-së në shkallë botërore, 2.8%.
Kjo rritje do të mbështetet nga përmirësimi i të ardhurave familjare, por edhe nga çmimet më të ulëta të naftës (që kanë arritur në një rekord gjatë dhjetë viteve të fundit). Kjo do të ndikojë edhe në tarifat e udhëtimeve ajrore.
Megjithatë, disa rajone (kryesisht ato eksportuese të naftës) do të përballen me tkurrje të investimeve të biznesit, ulje të shpenzimeve qeveritare dhe rënie të punësimit.
Kjo do të çojë në paqëndrueshmëri në këto tregje dhe në performancë më të dobët ekonomike, gjë që do të ndikojë edhe në sektorin e turizmit.
Por, në periudhën afatmesme, rënia e çmimeve të naftës do të ketë një ndikim qartazi më pozitiv në ekonominë botërore, konsumatorët do të përfitojnë nga çmimet më konkurruese. Raporti i WTTC-së parashikon që të gjithë komponentët kryesorë të industrisë së turizmit dhe udhëtimeve të regjistrojnë rritje më të shpejtë në vitin 2016 krahasuar me 2015-n. Investimi parashikohet të rritet me 4.7%, shpenzimet e brendshme dhe të jashtme të turistëve janë parashikuar të rriten përkatësisht me 3.3% dhe 3%.
Në terma afatgjatë, shpenzuesit kryesorë të turizmit do të jenë Kina, SHBA-ja, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Shifra
7.2 trilionë dollarë kontributi i turizmit në 2015-n
10% e PBB-së botërore
284 milionë vende pune; ose 1 në 11 vende krijohen nga turizmi
3.1% rritja në 2015-n
3.3% rritja e parashikuar në 2016-n
4% rritja mesatare deri në 2026-n
————
Shqipëria nuk ka produkte turistike të identifikuara
Turizmi në Maqedoni, fqinji zë një pjesë të vogël të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me rreth 2%, ndërkohë që menaxhon një buxhet promocioni që llogaritet mesatarisht në rreth 700,000 euro në vit.
Flet Arkan Keri, drejtor ekzekutiv i agjencisë “Generalturist”
Si e vlerësoni bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë në fushën e turizmit?
Marrëdhënia mes dy vendeve në fushën e turizmit është plotësuese, duke qenë se ne jemi pjesë e përbashkët e tureve ballkanike, kjo është shtuar edhe më shumë gjatë 5-6 viteve të fundit. Ne organizojmë ture të përbashkëta, si në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci, Bosnjë, etj. Pjesa më e madhe e turistëve që ndjekin këto ture vijnë nga Japonia, Kina, Koreja, të cilët kërkojnë të vizitojnë një sërë destinacionesh në sa më pak kohë.
Ne si agjenci parashikojmë që këtë vit të sjellim në Shqipëri rreth 40,000 turistë të huaj, ku pjesa më e madhe do të kenë edhe net-qëndrime. Falë bashkëpunimit me agjencitë shqiptare, ne ju sigurojmë akomodim në qytete si Shkodra dhe Tirana. Prej tyre, vetëm 9,000 turistë parashikohet që të kenë një qëndrim të shkurtër, pa fjetje, kryesisht në Tiranë dhe në Durrës.
Si ka qenë ecuria e prurjeve të turistëve shqiptarë në Maqedoni?
Ecuria nuk ka qenë edhe aq pozitive, në krahasim me vitet e kaluara. Pjesa më e madhe e turistëve shqiptarë vijnë për skijim, në resortet më në zë, por mungesa e dëborës gjatë këtij sezoni dimëror ndikoi ndjeshëm në rënien e shifrave.
Turistët shqiptarë janë të mirëpritur në çdo kohë.
Megjithatë, me liberalizimin e vizave, turistët shqiptarë kanë më shumë mundësi udhëtimi dhe ata janë më të interesuar për të udhëtuar në destinacione të tjera, si në Itali, Greqi, etj.
Ne shpresojmë që prania e turistëve shqiptarë të rritet në Maqedoni dhe anasjelltas.
Planet e qeverisë për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, veçanërisht atë që nga lidh nga Dibra (Rruga e Arbërit), na bëjnë që të jemi më optimistë, pasi kjo do të rriste shkëmbimet mes dy anëve të kufirit.
Dua t’ju them një informacion. Vitin e kaluar, rreth 500 mijë maqedonas vizituan Bullgarinë, kjo është një shifër e lartë. Nëse ju do të keni infrastrukturë me standarde dhe që mundëson ndërlidhjen e duhur, atëherë këto shifra mund të vlejnë edhe për rastin e Shqipërisë. Ndaj është në dorën tuaj që të përmirësoni turizmin dhe ta ktheni atë në një burim të qëndrueshëm për ekonominë.
Cilat janë problemet kryesore me të cilat ju haseni në Shqipëri?
Në radhë të parë, Shqipëria duhet të rrisë numrin e njësive akomoduese, të investojë në ndërtimin e hoteleve të reja, me kapacitete më të mëdha.
Infrastruktura rrugore është gjithashtu një çështje që mbetet problematike dhe kjo theksohet edhe më shumë gjatë sezonit të verës. Qarkullimi nga Tirana drejt Sarandës apo edhe drejt Shkodrës bëhet shpesh i pamundur nga rëndesa e trafikut.
A mund të përfitojmë nga situatat politike që po ndodhin në vende të ndryshme, si në Turqi, Egjipt, etj.?
Përfitimi mund të jetë minimal, sepse mbi të gjitha Shqipëria nuk ka një produkt të plotë dhe të mirëfilltë turistik. Çështja është se në Shqipëri mungojnë resortet turistike. Turisti shpesh vuan për të siguruar akomodimin dhe facilitetet e duhura.
Qeveria maqedonase ju ofron subvencionime për sjelljen e turistëve të huaj nga shtete të ndryshme, po për turistët shqiptarë?
Po, ne përfitojmë subvencionime nga qeveria maqedonase në rastin kur sjellim turistë të huaj. Vlerat e subvencionimeve ndryshojnë sipas vendeve. Për shembull: në rast se agjencitë turistike sjellin turistë nga vendet e Beneluksit, atëherë subvencionohen deri në 65 euro për person.
Edhe në rastin e turistëve shqiptarë, mund të përfitohen këto subvencionime, por me kushtin që ata të qëndrojnë rreth 7 net.
Turizmi, një burim i sigurt rritjeje për ekonomitë e varura nga nafta
Turizmi është një burim i rëndësishëm për vendet, ekonomitë e të cilave janë të varura tërësisht nga ari i zi. Kërkimet e Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) tregojnë se këto vende mund të përfitojnë më shumë nga investimi në këtë industri, për të diversifikuar më tej ekonomitë e tyre dhe për të rritur të ardhurat. Një shembull i mirë për këtë janë vendet e Emirateve të Bashkuara Arabe, por tashmë duket se po kthehet në një mundësi për destinacione të tjera. Parashikohet që çmimet e ulëta të naftës do të kenë ndikim pozitiv në industrinë e turizmit, pasi shpenzimet për udhëtime që zënë një pjesë të madhe do të bien. Luhatjet e forta të çmimit të naftës kanë bërë që ekonomitë e këtyre vendeve të jenë të paqëndrueshme, ndaj shprehen ekspertët e WTTC-së, turizmi duhet të shikohet si burim i rëndësishëm për rritjen e PBB-së.
Gjatë periudhës 2012-2015, investimet në turizëm në Azerbajxhan u rritën me një bazë të ulët, me një mesatare prej 24.3% në vit, e cila kishte rritjen më të lartë në nivel global. Studimi i WTTC parashikon që shpenzimet e qeverisë për turizmin për vendet si Arabia Saudite, Kuvajti dhe Norvegjia janë parashikuar në rënie në vitin 2016.
Presidenti dhe CEO i WTTC-së, David Scowsill, deklaroi se institucioni që ai drejton inkurajon vendet varura nga nafta të njohin potencialin e këtij sektori, pasi mund të sjellë përfitime për ekonomitë e tyre, në një kohë kur të ardhurat nga eksporti i naftës kanë rënë. “Turizmi është një sektor që inkurajon hapjen e vendeve ë reja. Në total, në mbarë botën, në vitin 2015 u hapën 284 milionë vende pune. Qeveritë e vendeve eksportuese të naftës duhet të nxisin investimet në infrastrukturën e transportit, në ndërtimin e hoteleve të reja, të atraksione turistike, marketing, etj.”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.