Nga Eda Luto, eksperte e aviacionit
Dikur, të udhëtoje me avion ishte jo vetëm një përvojë e rrallë, por edhe një shërbim që u ofrohej elitave. Biletat ishin të shtrenjta, fluturimet ishin më pak të shpeshta dhe destinacionet më të centralizuara.
Liberalizimi i tregut, kompanitë me kosto të ulët dhe zhvillimet ekonomike që u mundësuan edhe më të varfërve akses në karta krediti dhe huamarrje e bënë transportin ajror, mjetin më popullor dhe masiv të transportit.
Sot parapëlqejmë transportin ajror, jo vetëm për shkak të shpejtësisë dhe leverdisë, por edhe prej kostos mjaft të ulët. Në vendet e zhvilluara, udhëtimi me tren mes qyteteve kushton më shumë, sesa me avion. Transporti hekurudhor e ka bërë me kohë kthesën për të përshtatur teknologji më të gjelbra.
Trenat elektrikë janë mjetet më të pastër, ndaj po shihen gjithnjë më shumë si mjeti i preferuar i elitave të ndërgjegjshme për ndotjen individuale dhe kontributin e gjithsecilit për të ruajtur mjedisin. Trenat kushtojnë më shumë dhe mbërritja në destinacion kërkon më shumë kohë.
Masivizimi dhe ulja e kostos në transportin ajror ka ndikuar fuqishëm në zhvillimin e ekonomisë. Më shumë destinacione sot janë të lidhura në rrugë ajrore duke bërë të mundur shkëmbimet e mallrave dhe transportin e njerëzve.
Aq i shpejtë u bë ky ndryshim sa sot nuk është çudi të dëgjosh për njerëz që jetojnë në Europën Lindore dhe punojnë 5 ditë të javës në Bruksel, Londër, apo Frankfurt.
Ndërtimi i aeroporteve të reja është gjithmonë një lajm i pritur në dy mënyra të ndryshme. Lajm i jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik, por pak pesimist për ambientalistët dhe politikëbërjen rajonale. Aeroportet e reja pa diskutim që krijojnë vende pune dhe ndikojnë shumë në rritjen e ekonomisë lokale. Por fluturimet e shpeshta mund të jenë një faktor ndotës për mjedisin, argumentojnë ambientalistët.
Politikëbërësit lokalë i gëzohen perspektivës së hapjes së vendeve të reja të punës, por nga ana tjetër shqetësohen se mos shkurtimi i distancave ajrore mund të sjellë një konkurrencë më të fortë për tregun vendas të punës. Krahu i punës në tregun liberal të konkurrencës mund të vijë nga kudo dhe rajoni nuk mund të diskriminojë më të aftin.
Këto janë dilema që vetëm zbatimi në praktikë mund t’i zgjidhë. Shqetësimit të parë, atij të ambientalistëve, Industria e Aviacionit i është përgjigjur fillimisht me strategji në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe nëpërmjet tarifave përkatëse për ndotjen.
Një ekonomi e zhvilluar duhet t’u krijojë mundësi shtetasve të zgjedhin. Sot nuk mundet që në mënyrë arbitrare të ndalosh drejtimin e makinave qoftë edhe për 1 km rrugë. Informimi i vazhdueshëm lidhur me statistikat e ndotjes në qytete duhet të orientojë politikëbërjen dhe të prekë në mënyrë vendimtare ndërgjegjen qytetare.
Një nga aspektet më të bukura të punës në Aviacion është njohja nga afër me mënyrën sesi po evoluon kjo industri. Sot nuk po punohet vetëm për të shtuar numrin e destinacioneve, por edhe për t’i bërë aeroportet qendra të fuqishme punësimi, inovacioni, ndërlidhjeje, shërbimesh ekselente, ku konsumatori mund ta shohë e ta prekë nga afër të ardhmen.
E teksa prodhuesit e avionëve po punojnë për të gjetur mënyra më ekologjike për të fluturuar, si për shembull avionë elektrikë apo karburante që nuk ndotin, arkitektët, nga ana tjetër, punojnë për të ndërtuar aeroporte që janë më të favorshme dhe më miqësore për mjedisin. Duket si një mision i pamundur, pasi aeroportet konsumojnë mjaft energji, por kombinimi i vendosmërisë dhe aftësive brilante inxhinierike kanë nisur ta bëjnë këtë një realitet.
Shumica e aeroporteve në botë përpiqen të ofrojnë më të mirën e shërbimeve të tyre. Ato janë mini-oaze që tregojnë për zhvillimin e një vendi. Adaptimi i politikave dhe teknologjive më të gjelbra është pjesë e pandarë e kësaj industrie.
Vendet Skandinave kanë qenë gjithmonë në pararojën e standardeve të zhvillimit dhe nuk përbën çudi që aeroporti i vlerësuar si më ekologjiku në botë, ndodhet në Norvegji.
Terminali më i ri i Aeroportit të Oslos, i hapur pak kohë më parë, është modeli më brilant aktual, i cili e ka rritur kapacitetin e aeroportit në 32 milionë pasagjerë në vit. Drejtuesit e aeroportit kanë treguar sesi Aeroporti i Oslos e realizoi këtë duke siguruar materiale ekologjike, zgjidhje inovatore të përdorimit të energjisë dhe menaxhimit të mbetjeve.
Firma që u ngarkua me projektin e terminalit të ri tregoi se objektivi ambicioz ishte që struktura e re ta përgjysmonte konsumin e energjisë. Muret dhe xhamat e aeroportit thithin në maksimum dritën e diellit, ndërsa materialet e ndërtimit janë që të gjitha nga pyje të menaxhuara me qëllim ripërtëritjen e tyre. Çdo material ndërtimi, jo vetëm që vjen nga ekonomia vendase, por edhe nuk rrezikon shterimin e rezervave natyrore të Norvegjisë.
Një tjetër element që e bën unik terminalin është fakti që përdorimi i materialeve vendase i jep aeroportit edhe një identitet karakteristik nordik, në një kohë kur aeroportet në mbarë botën i ngjajnë njëri-tjetrit. Një prej mekanizmave menaxhues tipik nordik është sistemi i ftohjes. Në dimër, dëbora mblidhet dhe depozitohet në depo e mbuluar me tallash për izolim.
Gjatë verës, uji nga dëbora e shkrirë përdoret për freskimin e ndërtesave të aeroportit. Në dimër ngrohja bëhet me energji termale natyrore. Një tjetër element i jashtëzakonshëm i arkitekturës së këtij terminali është fakti që megjithëse aeroporti është më i madh, koha e mbërritjes më këmbë e pasagjerëve te Portat e Nisjes ka mbetur e njëjtë.
Edhe Finlanda fqinje ka të njëjtat objektiva ekologjikë. Kompania që menaxhon 21 aeroportet e vendit, “Finavia” ka një program ambicioz për të qenë karbon neutrale. Autobusët dhe makinat e aeroportit do të jenë elektrike ose me karburante biologjike.
Pavarësisht këtyre ndryshimeve, përshtatja e aeroporteve me nevojat e domosdoshme të kohës mbetet një përpjekje që kërkon shumë investime, vendosmëri dhe angazhim të madh nga ana e qeverive.
India, një prej vendeve në zhvillim më ndotëse në botë, ka dhënë shembullin e saj me Terminalin 3 në aeroportin “Indira Gandhi” dhe aeroportin e ri ekologjik “Galapagos”. Në Aeroportin e Dehlit, energjia dhe uji konservohen duke shfrytëzuar në maksimum dritën e diellit nëpërmjet paneleve diellore, uji i shiut depozitohet për t’u shfrytëzuar për freskim, ndërsa mbetjet menaxhohen nga një uzinë përpunimi e ndërtuar ngjitur me aeroportin.
Aeroporti “Galapagos” u ndërtua në një pjesë të madhe nga materiale të ricikluara dhe përdor 100% energji diellore dhe nga turbina të erës.
Aeroportet janë porta ku jo vetëm prekim dhe ndiejmë zhvillimin e shoqërive tona, por edhe vendet ku mund të projektojmë me sukses modelet e jetesës që do të trashëgojnë brezat e ardhshëm. Për një ekonomi më të fuqishme, kemi nevojë për më shumë rrugë dhe ndërlidhje. Për më shumë vende pune, na duhet një hapje më e madhe ndaj botës dhe aeroportet e reja e bëjnë këtë më së miri.
A mund t’i ndërtojmë ato më ekologjike? Sigurisht që po. Nëse të gjithë kemi motivacionin dhe vendosmërinë për ta bërë këtë me burime natyrore të ripërtëritshme vendase, energji diellore dhe nga era, si dhe menaxhim dhe riciklim të mbetjeve.