Në këtë numër të “Monitor” kemi shkëputur një artikull nga revista franceze “Le Figaro”, e cila shkruan për të ardhurat bazë për të gjithë, apo e njohur edhe si e ardhura universale, që përfaqëson një përfitim mujor të derdhur nga shteti për gjithsecilin, i punësuar ose jo. Së fundmi, ky koncept u rigjet nga disa sipërmarrës, duke përfshirë bashkëthemeluesin e Facebook, CEO e Tesla-s, dhe gjithashtu u risoll në fushatën e Benoit Hamon (kandidat i së majtës për zgjedhjet presidenciale në Francë), si një zgjidhje për t’ju kundërpërgjigjur automatizimit të punës, zvogëlimit të vendeve të punës dhe zhvillimit të inteligjencës artificiale.
Përpara Benoît Hamon, ishte Elon Musk. Në qershor të vitit 2016, sipërmarrësi multimiliarder parashikoi se e ardhura bazë për të gjithë “me shumë mundësi” do të shndërrohej në një të vërtetë. Përgjithësimi i robotikës do të lejonte më shumë kohë të lirë për aktivitete më komplekse, interesante dhe zbavitëse, – siguroi CEO i Tesla, në një intervistë për televizionin CNBC. “Ne duhet të mendojmë për të ardhmen e shoqërisë sonë, duke qenë se inteligjenca artificiale është gjithnjë e më e fuqishme”.
Prej disa vitesh, e ardhura bazë për të gjithë është bërë një temë e rregullt diskutimi në Silicon Valley, bën pjesë në programin e konferencave, bëhet subjekt i postimeve nëpër blog-e dhe ndan sipërmarrësit. Ne kemi nevojë për ide të reja dhe kreative të tilla si e ardhura bazë për të gjithë, për të mbushur boshllëkun e politikës sonë dhe për të rivendosur besimin kolektiv në ëndrrën amerikane”, argumentoi Chris Hughes, bashkëthemelues i Facebook në maj 2016. “E ardhura bazë për të gjithë ka potencial të na rijapë lirinë për të zgjedhur punën dhe jetën tonë”, shtojnë anëtarët e Projektit të Sigurisë Ekonomike, një grup interesi në këtë temë, financuar me $ 10 milionë. Ajo ka për qëllim të “eksplorojë dhe eksperimentojë me derdhjen e parave pa kushte”, duke financuar studime, fushata qeveritare apo projekte kulturore rreth së ardhurës bazë për të gjithë. CEO, themelues të startup, “engjëj biznesi” apo profesorë të universiteteve janë pjesëtarë midis qindra pjesëmarrësve në këtë nismë.
Për një ndërgjegje të pastër
Në pamje të parë, duket e natyrshme për njerëzit që prodhojnë robotë dhe inteligjencë artificiale, të shqetësohen rreth ndikimit të tyre në shoqëri. Në fillim të këtij viti, Zuckerberg ka pranuar se “pavarësisht nga avantazhet e shumta të saj” teknologjia “komplikoi jetën e shumë njerëzve”. Një fjalim jo fort i qartë, që tingëllon si një mea culpa. Silicon Valley është përballur tashmë me disa protesta sociale në San Francisko, duke u akuzuar për ndikim negativ në pabarazisë ekonomike. Tashmë i duhet të përgjigjet ndaj kësaj ndjesie të përgjithshme mosbesimi. E ardhura bazë për të gjithë është pjesë e këtij pajtimi, qoftë e sinqertë ose jo. Kjo duket si një mënyrë për të pasur një ndërgjegje të pastër, ndërkohë që kontribuojnë në automatizimin dhe zhvillimin e punës së pavarur dhe të pasigurt.
Përveç këtyre çështjeve morale, nuk është e çuditshme që sipërmarrësit mbështesin konceptin e së ardhurës bazë. Silicon Valley ka qenë tradicionalisht kundër ndërhyrjes së tepruar të qeverisë, sidomos kur pengojnë risitë dhe si rrjedhim, zgjerimin e saj. Kompanitë e teknologjive inovative kërkojnë të lehtësojnë jetën e përdoruesve të tyre me produktet e tyre. E ardhura bazë për të gjithë shihet nga mbështetësit e saj, si një mënyrë për të racionuar ndihmën sociale, përmes një sistemi të vetëm, më të thjeshtë.
Shumë mbështetës të së ardhurës bazë për të gjithë kujdesen të përcaktojnë mënyrën se si dëshirojnë të zbatohet ky koncept, duke preferuar të qëndrojnë në një mendim të përgjithshëm. Kjo temë ka avantazhin të qëndrojë mjaft konsensuale, larg polemikave të papëlqyera në Silicon Valley. Në një artikull të gjatë, i cili mbron këtë koncept, Chris Hughes vuri në dukje pikërisht se e ardhura bazë mund t’i leverdiste më së miri, si republikanëve ashtu dhe demokratëve. “Ajo lejon uljen e taksave dhe zvogëlimin e burokracisë, si dhe forcimin e rrjetit të sigurisë sociale”,- thotë ai me entuziazëm. Ky është një koncept dypartiak, një mundësi e rrallë për një President apo një Asamble të arrijnë një marrëveshje.
Asgjë konkrete
Në të vërtetë, përtej teorive të mëdha, të pakta janë eksperimentet konkrete të kryera më parë. Y Combinator, inkubatori prestigjioz i startup ku lindën Airbnb, Reddit apo Dropbox, njoftoi vitin e kaluar se dëshiron të organizojë një studim mbi të ardhurën bazë pranë 100 banorëve të Oakland (Kaliforni). Ideja është që t’ju paguajnë rregullisht një sasi të hollash, midis 1000 dhe 2000 dollarë në muaj, dhe të vërenin ndryshimet në jetën e tyre të përditshme. “Në qoftë se teknologjia çon në shkurtime të vendeve të punës, shumica e njerëzve nuk do të fitojnë jetesën përmes punës. E ardhura bazë është një opsion për t’i ndihmuar të jetojnë”, – vlerësoi Elizabeth Rhodes, në krye të programit, në një intervistë të dhënë për Quartz. “Ne nuk jemi të sigurt për mënyrën e funksionimit, apo në qoftë se është një zgjidhje e mirë dhe për këtë arsye po kryejmë këtë studim”.
Iniciativa e Y Combinator u prit me entuziazëm nga kolegët e tij në Silicon Valley dhe me shumë skepticizëm nga ana e shoqatave në ndihmë të të varfërve në Oakland. “Ata duhet të financojnë iniciativa të tilla, por jo t’i drejtojnë ato”, – tha udhëheqësi i një organizate për The Guardian. “Kontrolli duhet t’u lihet shoqatave që e njohin realitetin në terren”.
Megjithatë, për aventurierët, logjika është e saktë, Silicon Valley të kthehet në një Shtet social, duke lënë kompanitë e pasura private të operojnë në të mirën e të gjithëve. Në romanin fantastiko-shkencor “Manna”, të botuar në internet në vitin 2003, sipërmarrësi dhe autori i tij, Marshall Brain imagjinonte një kompani të themeluar nga një CEO vizionar, i cili financonte të ardhura të rregullta për banorët e tij. E ardhura bazë do të shndërrohej atëherë, në një lloj investimi në kreativitetin dhe projektet e gjithsecilit duke përdorur një startup për marrjen e fondeve. Sipërmarrësit e teknologjisë së avancuar janë të gatshëm të revolucionarizojnë shoqërinë, por sipas kodeve të tyre.
———
[1] Silicon Valley është qendra e industrisë teknologjike të avancuar, e pozicionuar në pjesën jugore të San Franciskos, Kaliforninë, në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara.