E çuditshme që bizneset më të suksesshme shqiptare hezitojnë për të përmbushur parimet e tregut

30/01/2018 2:48 PM 0 komente

Reagimi zyrtar i Ministrisë e Infrastrukturës dhe Energjisë:

Në një prononcim zyrtar për “Monitor”, pas shqetësimit të ngritur nga bizneset dhe operatorët e tregut për ngërçin e furnizimit me energji të subjekteve që furnizohen nga tensioni 35 kv, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha:

“Vazhdimi i reformës për liberalizimin e tregut të energjisë është një detyrim ligjor, i cili sigurisht që has edhe në vështirësitë e veta në hapat e parë të implementimit, që prej më shumë se dy vitesh, nga ana e Qeverisë, në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, po punohet për të bërë të mundur daljen në tregun e lirë të këtyre bizneseve.

Për këtë qëllim, nga ana jonë janë marrë të gjitha masat ligjore, rregullatore, teknike dhe organizative, duke garantuar ndërkohë një furnizim të qëndrueshëm dhe pa kosto shtesë të të gjithë konsumatorëve që duhet të përmbushin këtë detyrim ligjor.

-Në zbatim të nenit 109, të ligji nr. 43/2015, të gjithë klientët e lidhur në tension të mesëm, janë të detyruar të dalin në tregun e liberalizuar sipas një grafiku të përcaktuar.

-Kompania OSHEE, me fondet e saj, kreu investimin për instalimin e sistemit të matjes të rreth 80 klientëve të lidhur në nivelin e tensionit 35 kV.

-Nga ana e ERE, është miratuar Rregullorja për ndryshimin e furnizuesit dhe Metodologjia për përcaktimin e çmimit të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, gjë që plotëson kuadrin rregullator për realizimin e kësaj procedure. Gjithashtu nga ana e ERE-s, janë miratuar tarifat e aksesit në rrjet për të gjithë klientët sipas nivelit të tensionit në 35/20/10/0.6/04/kV.

-Në datën 17 janar 2017, është bërë njoftimi zyrtar për klientët në 35 kV, me qëllim marrjen e masave për gjetjen e furnizuesve alternativë në përputhje me ligjin 43/2015;
-Në datën 16 shkurt 2017 është zhvilluar takimi i parë në MEI me përfaqësues të OSHEE-së dhe klientëve të lidhur në 35 kV;

-Në datën 19 prill 2017, u zhvillua takimi i dytë me përfaqësues të MEI, OSHEE dhe klientëve të 35 kV për informacion më të detajuar mbi platformën e leximit online dhe liberalizimin e tregut;

-Në datën 31.10.2017, ju është dërguar njoftim të gjithë klientëve të lidhur në nivelin e tensionit 35 kV nëpërmjet Postës Shqiptare;

-Në datat 24.11.2017 dhe 30.11.2017, janë realizuar gjithashtu takime me klientët në zyrat e OSHEE-së, për të sqaruar në lidhje me procedurat për kalimin e klientëve të lidhur në nivelin e tensionit 35kV në tregun e liberalizuar;

-Takimi i fundit është realizuar nga OSHEE më datë 18.12.2017, pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.

Në përputhje me njoftimet e mësipërme, data 31 dhjetor 2017 ishte data e fundit ku subjektet e lidhur në 35kV do të furnizoheshin me çmim të rregulluar nga OSHEE (9.5 lekë/kWh). Duke filluar nga data 01.01.2018 dhe 60 ditë në vazhdim OSHEE ka njoftuar abonentët se do të vazhdojë furnizimi në funksionin e FMF (Furnizuesi i Mundësisë së Fundit) me çmim sipas Metodologjisë së përcaktuar nga ERE.

Pas një sërë takimesh sqaruese me përfaqësues të biznesit, është pak e çuditshme që ende promovuesit e parimeve të tregut të lirë, pikërisht bizneset më të suksesshme shqiptare, të hezitojnë për të përmbushur parimet e tregut, përfitimet e të cilave ata më shumë se kushdo duhet t’i kenë të qarta.

Liberalizimi dhe integrimi rajonal i tregut të energjisë elektrike, është rruga e vetme drejt integrimit europian që ne aspirojnë. Sigurisht, në çdo rast, Qeveria garanton që ky proces do të vazhdojë në mënyrë transparente, pa kosto shtesë dhe pa cenuar vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për zhvillimin e aktivitetit ekonomik të këtyre bizneseve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of