Nëpunësit civilë në Belgjikë do të kenë të drejtën ligjore për të mos iu përgjigjur telefonatave të punëdhënësve të tyre jashtë orarit të punës – sipas ligjeve të reja të krijuara për të mbrojtur punonjësit nga mbingarkesa dhe burnout.
Duke nisur nga 1 shkurti 2022, në Belgjikë do të prezantohet “e drejta për t’u shkëputur” që do t’i ndalojë drejtuesit e shërbimeve civile të kontaktojnë punonjësit kur nuk janë në punë, përveç rastit të një emergjence apo rrethanave të tjera “të jashtëzakonshme”.
Sipas gazetës belge “De Morgan”, rregullat e reja u përcaktuan në një letër drejtuar nëpunësve civilë nga Petra De Sutter, ministre e Shërbimit Civil për Partinë e Gjelbër të Belgjikës.
Në letër, De Sutter thotë se janë të nevojshme më shumë masa për të mbrojtur punonjësit nga stresi dhe burnout, duke shtuar se dhënia e mundësisë punonjësve për t’u shkëputur tërësisht nga puna “lidhet me rezultate pozitive të mirëqenies, si përqendrimi më i mirë, rikuperimi më i mirë dhe një nivel energjie më i qëndrueshëm”.
Burnout është bërë veçanërisht problematik me rritjen e punës në distancë – theksoi De Sutter, pasi punëmarrësit priren të qëndrojnë para kompjuterit edhe pas pune dhe të lexojnë email-et që u janë dërguar në smartphone.
E drejta e re për t’u shkëputur zbatohet vetëm për nëpunësit civilë, edhe pse parashikohet që në fund do të miratohen edhe ligje që përfshijnë sektorin privat në Belgjikë. Belgjika po i bashkohet një liste në rritje vendesh europiane të cilat kanë marrë disa masa për të mbrojtur punonjësit nga shefat e bezdisshëm.
Irlanda ka prezantuar një kod të ri pune për punëdhënësit në prill të vitit 2021, që dekretoi se të gjithë punonjësit kanë të drejtën të shkëputen nga puna në fund të ditës dhe prej tyre të mos pritet që të kryejnë kërkesa që lidhen me punën në kohën e lirë. Kjo përfshin çdo komunikim me drejtuesit ose kolegët, dhe punëdhënësit nuk mund t’i penalizojnë punonjësit nëse refuzojnë kërkesat e tyre për t’u marrë me çështjet e punës në kohën e lirë.
Udhëzime të ngjashme u prezantuan në Portugali në nëntor, për të gjitha kompanitë me 10 ose më shumë punonjës.
Sipas së drejtës për t’u shkëputur në Portugali, punëdhënësit që shkelin udhëzimet duke kontaktuar punëtorët në kohën e tyre të lirë do të përballen me gjoba. Punëdhënësit duhet gjithashtu të paguajnë në shpenzimet për punën në distancë, si faturat e internetit dhe të shërbime të tjera.
Nuk është ende e qartë se si rregulli i ri i së drejtës për t’u shkëputur do të zbatohet në Belgjikë dhe as se çfarë përbën një justifikim ‘të jashtëzakonshëm’ për punëdhënësit që të kontaktojnë punonjësit jashtë orarit. Megjithatë De Sutter tha në letër se nëpunësit civilë “nuk do të pësojnë asnjë disavantazh nëse ai (ose ajo) nuk përgjigjet në telefon ose nëse nuk lexon mesazhe në lidhje me punën jashtë orarit zyrtar të punës”.
Reforma më të gjera
Thuhet se edhe Belgjika po vlerëson kalimin te një javë pune me katër ditë, si pjesë e reformave të gjera, të nxitura nga pandemia e Covid-19.
Sipas Politico, ndërkohë që belgët do të kishin një ditë më shumë në fundjavën e tyre, gjithsesi do të punonin të njëjtin numër orësh çdo javë. Java e punës me katër ditë do të zbatohet vetëm për qytetarët belgë që punojnë 38 – 40 orë në javë.
Vështirësitë e rritjes së madhe të punës në distancë janë njohur edhe nga drejtuesit në shkallë botërore.
Parlamenti Europian po përpiqet të nxisë një legjislacion të ri nëpërmjet Komisionit Europian që do t’u jepte mbrojtjen ndaj së drejtës për t’u shkëputur punonjësve në të gjithë BE-në – edhe pse kjo do të kërkojë kohë.
Çdo legjislacion i prezantuar në nivel europian nuk do të ishte i zbatueshëm për punonjësit në Mbretërinë e Bashkuar, ku një sondazh i sindikatës Prospect në vitin 2021 zbuloi se dy të tretat e punonjësve do të mbështesnin të drejtën për t’u shkëputur.
/ ZDNet